Canka: 2012 – Vit i humbur për Ulqin

December 30, 2012   | Opinione

ULQINI20122012 për qytetarët e Ulqinit është praktikisht vit i humbur. Më saktë, ishte ky viti i zhgënjimit. Sepse, sa në të vërtet kemi nga ato që mund të thonë se në fund të këtij viti jetojnë më mirë dhe janë më të lumtur se një vit më herët. Është e sigurt që për diçka të tillë ju mjaftojnë gishtat e të dy duarve, derisa numri i atyre që janë në situatë më të dobët ekonomike është me mijëra.

Si mund të jetë ndryshe kur në 2012 nuk filloj ndërtimi i asnjë hoteli të madh, kur realizimi i buxhetit të komunës ishte i mjerueshëm 60% dhe kur në horizont nuk shihet kthimi i fuqishëm bujqësisë.

Sikur edhe Zoti Bamirës mos ta çonte kohën e mirë që sezoni turistik ti sjell qytetarëve sado pak të ardhura dhe Ullishta të bëj jashtëzakonisht mirë, situata do të ishte tragjike si në Kripore, ku krip kishte si asnjëherë, por nuk kishte kush ta mblidhte.

Krahas kësaj, Parlamenti lokal me ngut rrënon vetveten duke sjell vendime që janë në interes të vetëm një grupi shoqëror, e në dëm të numrit më të madh të qytetarëve. Sepse, të paguajnë pronarët e shtëpive tatim më të madh se pronarët e objekteve afariste është diçka që nuk bën vaki. Besoj që kjo nuk ekziston në rruzullin tokësor. Ato që këtë e propozuan dhe e aprovuan ndoshta janë udhëhequr nga qëllimi që të paktën me diçka të njihemi në vitin 2012. Aferim! Pra, në vend që të zvogëlohen tatimet për qytetarët tonë, për njerëzit që mbijetojnë në shtëpitë e veta, ato do të duhet të paguajnë administratën e cila u tregua e suksesshme vetëm në vjeljen e taksave nga qytetarët. Të dhënat që nga legalizimi i objekteve janë vjel  vetëm 26 mijë euro, e në Budve 19 milion, flet mjaftueshëm.

Prandaj tentohet që populli të zbavitet me fushata gjithnjë e më të pakuptimta dhe retorikë boshe, në të cilën pak kush beson më. Ndoshta më e keqja që na ndodhi këtë vit është vdekja e shpresës që mundet më mirë, si dhe mësimi që interesi i përgjithshëm nuk vihet para ati personal. Me kësi lloj klase politike,  Ulqini mbetet një qytezë e ngushtë e njerëzve të ngushtë!

Por, unë asnjëherë nuk e humba optimizmin, edhe pse do të na duhet disa kohë që prapë të mblidhet energjia e nevojshme për ndryshime. Sepse, historia dhe eksperienca na mësojnë që jeta, fati dhe gjeografia janë më të fortë se lakmia, ngushtësia dhe padija. Erërat e reja në kulturë dhe sport, por edhe në politikë, dhe veçanërisht aktivitetet e organizatave joqeveritare dhe të medieve, janë garant që ky qytet do të jetë vend i rehatshëm për jetesë të paktën të fëmijëve tanë. E kjo është arsye e mjaftueshme për motivim.

Në fund të fundit, poeti i madh gjerman Gete mrekullueshëm tha që Zoti krijon prej asgjëje, e njerëzit nga rrënojat. Prandaj, me plagë në shpirt e përcjellim këtë vit të shanseve të humbura për komunën tonë duke shpresuar që Viti i Ri do të sjell më shumë dashuri dhe fat në shtëpitë tona dhe në këtë qytetin tonë, për ne më i dashuri dhe më i bukuri në botë.

 

Mustafa Canka

6