Ulqini i `59-tës nga Fatmire Duraku

January 7, 2013   | Kulturë / Kultura

Urlaub in Ulqini fon Alfred WollnerUlqini i `59-tës

(Lidhur me fotoalbumin e Alfred Vollnerit “Pushimi në Ulqin”, përgatitur nga Gazmend. Çitaku dhe botuar nga “Asociacioni Ulqini” më 2012)

Nga Fatmire Duraku

Udhëtimi në kohë i Ulqinit mijëvjeçar është shënuar pak.

Vetëm ndonjë udhëpërshkrues ka lënë ndonjë fjalë  apo fotografi –  rastësisht apo  me qëllim, të na e kujtojë mënyrën e jetesës  së njeriut, i cili atdheut të vet të lashtë i dha shpirt dhe përmbajtje…

Ja,  ndodhi dhe rasti i vonë me fotografitë e bëra më 1959 të mjekut vjenez Vollner: krejt rastësi! E rastet, në rrjedhën e kohës, shndërrohen  në data, në ngjarje… të cilat me frymën e vet, me peshën, me pamjen e përmbajtjen që kanë,  bëhen shkronjë e historisë, ngelin gjurmë të ndritshme dokumentare e artistike të një mjedisi. Frymëmarrjet e një rrjedhe të tillë, duke e folur veten më pastaj bëhen dëshmi e  jetës, rrënjë e kulturës materiale, shoqërore dhe artistike, bëhen udhë e arritjes së njeriut – me ngashërimin e pikëllimin e vet, deri te unaza, ku lidhet e  kaluara me të tashmen dhe e tashmja me të ardhmen.

FatmireDurakuArritja në këtë cak nuk mund të ngjajë  pa  gjurmë, shenja, shkrime!

Ne, në unaza të caktuara të kohës kishim shumëçka të shënonim e – nuk i shënuam, e –  “ajo që nuk shënohet nuk ka ndodhur”! Kështu, çastet, datat, ngjarjet pamëshirshëm i gllabëron harrimi e udhëtimi disa mijëvjeçar ngel më i  zbrazët, më i  panjohur!

Dhe, tash – ja, jemi këtu ku jemi! Pa  mundësinë ta kujtojmë një pjesë të vetes përmes gjurmës që lamë vetë, veçse jo krejtësisht në pashpresë. Së paku me mundësinë t`i mbledhim aty-kështu  ato që mund të mblidhen; fjalët, shenjat, fotografitë… të cilat i lanë dëshmi për ne të tjerët, në rrugëtim të rastit apo të qëllimtë nëpër gjymtyrët e atdheut të coptuar… Kuptohet, kjo-në këtë kohë do të mund të bëhej, në radhë të parë vetëm me gatishmërinë për ta ndriçuar një pjesë të vetes, vetëm me vullnetin e mirë.

Këtë gjë e bëri këtë herë me shumë sukses Gazmend Çitaku. Dhe ja, pra, pse mendoj se puna që bëri ai në gjurmimin, mbledhjen, përgatitjen dhe botimin e albumit me fotografi të Alfred Vollnerit është shumë me peshë, është punë për respekt, me interes kulturor kombëtar, punë me mund e sakrifica të mëdha, punë që tash e në  të ardhmen do çmuar dhe përkrahur qoftë moralisht e materialisht nga institucionet jo vetëm të kulturës, jo vetëm të historisë, jo vetëm të shtetit. (T`i kujtojmë këtu dy librat e mëhershëm të autorit  Çitaku “Albumi I” dhe  “Albumi II”, ku   radhiten me legjenda përkatëse shumë rrugë, kroje, pamje lagjesh të Ulqinit, tashmë  trashëgimi e humbur, fare e  panjohur për ulqinakun e brezit të ri). Çitaku, ky entuziast me dashuri të madhe, të thellë e të zjarrtë për të hulumtuar, për ta zbuluar e ruajtur çfarë mund të ruhet nga tradita e pasur e Ulqinit, i gatshëm të bëjë gjithçka për ta fotografuar, për ta shënuar, për ta mbajtur gjallë për brezat pasurinë e madhe të qytetit të lashtë vepron e punon me devocion… pa kursyer djersën, pa kursyer xhepin, në të mirë të kulturës së vet, të qytetit të vet, me bindje se ia vlen ajo që bën vite me radhë. Me këtë patundje, në këtë rrjedhë, ia doli ta përgatis dhe botojë dhe fotoalbumin  “Pushimi në Ulqin”, me fotografitë e Vollnerit – mjek vjenez, i cili më 1959 vizitoi Ulqinin dhe me syrin e aparatit të vet të vogël fotografik përjetësoi shumë ngjarje, detaje të ngashërimit e të hidhërimit, çaste të punës, rrjedha karakteristike të jetës në qytetin-muze, në qytetin prej guri në brigjet e detit; shënoi fluturimet e rëniet brenda një dite, brenda dy, tri… shtatë dite, gjatë një pranvere, gjatë një vere, gjatë një viti… shënoi aktet e çeljes së lules dhe të buzëqeshjes, të shkëputjes së pikës së ujit nga kroi, të tufës së dritës së shpërthyer nga sytë e fëmijës e të nënës, të shkëputjes së lotit nga sytë e njeriut në orën e vet të dhembjes apo dhe të gëzimit të rastësishëm, të ecjes së Ulqinit nën vetëtimat e suvalët e egra, në vitin 1959!
URLAUB-IN-ULQINI_Alfred-Wollner-_Gazmend-Citaku_Ulqin

“Pushimi në Ulqin” apo gjermanisht “Urlaub in Ulqini” është album me fotografi, me të cilat – rastësisht apo me qëllim, autori Vollner ka përjetësuar njerëzit në unaza të caktuara të agut të kristaltë, në mesditat e zjarrta dhe në mbrëmjet e argjendta të Ulqinit, ka përjetësuar rrugë, kulla, sheshe – fragmente karakteristike të arkitekturës ilire venedikase-orientale tok me njerëzit aty-në lëvizjet e tyre të  përditshme, në shëtitjet e tyre të lira, intime, në çastet e pushimit, të kapjes së peshkut, në shitjen e fikut, të domates-specit, të djathit në tregjet e vogla, ditore… Dhe, tërë këtë punë e ka bërë mjaft natyrshëm, sa  me pamjet e ngurta dhe të gjalla në një kornizë ai ka zënë dhe tiktaket e kohës – shpirtin e gurit e të njeriut, që në tufë krijojnë gjithësinë e qytetit të amshuar, Ulqinin.

Mbresë të veçantë lënë sidomos fotografitë – secila me legjendë adekuate, në të cilat sikur ende kumbon jeta, sikur ende dëgjohen trokitjet e zemrës, bashkë me vlimit shpirtërore, me ngashërimet e dhembjet e përditshme. Kjo – e tëra, frymon me hije-dritën e dokumentit, me pjesë të qytetit tashmë me pamje të ndërruar, apo të zhdukura fare, frymon me kohën e ëndrrat në rrugët e sheshet, në të cilat lëvizin burra, gra, fëmijë, vijnë e ikin nga tregjet, shesin e blejnë… herë-herë veshur në rroba tradicionale, varësisht kombit dhe fesë që u përkasin. Pikërisht kjo larushi, ky mozaik e vë fotoalbumin e mjekut vjenez në gërshet të fortë mes dokumentares dhe artistikes, e cila gjë ia mban ndezur fanarin në udhëtimin e vet në kohë e breza.

Zemra Shqiptare