Neglizhohet hapja e ambasadës në Mal të Zi

January 14, 2013   | Rajoni / Region

Na kanë njohur si shtet qysh në vitin 2009, por as pas gati katër vjetësh Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë vendosur për shkëmbimin e ambasadorëve, gjegjësisht hapjen e ambasadave. Ndonëse, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se kjo vonesë ka të bëjë më shumë me planifikimet e kësaj Ministrie, opozita konsideron se problemet qëndrojnë te të dyja palët, shkruan gazeta “Zëri”..
EnverHoxhaj_FilipVujanovic
Sipas gazetës, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, para pak kohe ka kushtëzuar Kosovën që të njohë malazezët si pakicë kombëtare, në të kundërtën, siç pati thënë ai, Mali i Zi nuk do të pranojë letrat e akreditimit të ambasadorit kosovar në Podgoricë.

Ai pati thënë po ashtu se për kërkesën e tij, ka marrë premtime edhe nga ana e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, se çështja e statusit të malazezëve do të zgjidhet së shpejti.

Por zyrtarë nga Presidenca e Kosovës, të kontaktuar nga “Zëri”, nuk kanë pranuar të flasin rreth këtij problemi.

Ndërsa Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, mohon që ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ekzistojnë çështje të hapura. Madje, sipas tij, çështja e pakicës malazeze në Kosovë është e rregulluar tash e dy vjet.

“Nuk ka çështje të hapura mes dy vendeve, përfshirë këtu edhe statusin e pakicës malazeze në Kosovë, e cila përndryshe tash e 2 vjet është e rregulluar me ligj.

Prandaj, moshapja e Ambasadës ka qenë më shumë e ndërlidhur me planifikime”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, Republika e Kosovës për këtë vit ka projektuar të hapë 5 përfaqësi të reja diplomatiko-konsullore përfshirë edhe ambasadën në Mal të Zi dhe zyrën ndërlidhëse në Serbi.

“Ambasada në shtetet fqinje është e domosdoshme dhe shenjë e rëndësishme e fqinjësisë së mirë të kërkuar nga standardet e BE-së”, tha ai.

Sidoqoftë, opozita e konsideron shumë të vonuar hapjen e ambasadës në Mal të Zi.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqija, tha se Mali i Zi, si një vend i afërt i yni, dhe si vend ku jeton komuniteti shqiptar, ka qenë shumë me rëndësi që Ministria e Jashtme e Kosovës të intensifikonte punët për të vendosur raportet diplomatike me këtë vend.

“Prandaj, mendoj se Ministria nuk është duke e kryer punën e vet, ajo do të duhej të ishte në nivel të detyrës”, tha Sahatqija.Duke folur për kushtet që Mali i Zi i ka paraqitur Kosovës, ajo tha se megjithatë MPJ, në Kosovë do të duhej të ishte më e vendosur në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes dy vendeve.

Ndërsa deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, fajësoi edhe qëndrimin e Malit të Zi, që, sipas tij, ka ndikuar në këtë proces.

“Nuk e shoh aspak normale kushtëzimin e Malit të Zi, për njohjen e malazezëve si pakicë kombëtare në Kosovë. Ne nuk mund të njohim çdo pakicë sepse atëherë nuk e di se ku do na çonte kjo punë. Megjithatë unë nuk po dua të fajësoj vetëm njërën palë. Konsideroj se ambasada e Kosovës në Mal të Zi, është dashur të hapet menjëherë pas njohjes së Kosovës nga ky shtet”, tha Muharremaj.

Zëri