Pirro Çako: Me Invën tani jemi miq

January 14, 2013   | Zbavitje / Zabava

Pirro Çako më në fund foli. Foli dhe foli gjatë, në një bisedë të çlirët me prezantuesin Adi Krasta. Duke filluar nga raporti i shumëpërfolur me Sisin, 23-vjeçaren që prej më shumë se një viti bashkëjeton me kantautorin, e deri tek marrëdhënia që ka sot me ish-gruan, sopranon e famshme Inva Mula. I biri Anthony dhe “Ashensori”, albumi i ri që e kthehu Çakon në tregun diskografik…
invamula_pirrocako

Me këtë vajzën e re, a je ti i kënaqur, a je i qetë? A është kjo një bashkëjetesë simpatike?
Po, unë jam shumë i qetë. Ndihem shumë mirë.
A ke ti një marrëdhënie miqësore me Inva Mulën?
Po, kam një marrëdhënie miqësore me të. Pse mos ta kem këtë marrëdhënie?! Kam një djalë dhe kam shumë nevojë të komunikoj me mamanë e djalit, sepse është për të mirën e tij. Ti je vetë prind, nuk je në pozitat e mia dhe nuk mund ta kuptosh, por jam shumë i sigurt që po të ishe në pozitat e mia, do kishe reaguar njëjtë. Sigurisht, fillimi ishte i vështirë; njerëzit ashpërsohen, acarohen…
Sepse është traumatik divorci në një kuptim?
Po, është në të dyja palët, por me kalimin e kohës gjërat qetësohen. Sot po falin njerëzit gjakun; shumë familje janë vrarë dhe vjen një moment që falin, e jo më një çift që u nda e që nga martesa kanë lindur edhe një fëmijë. Unë kam një marrëdhënie normale me Invën dhe sa herë që kemi nevojë të diskutojmë rreth djalit, që ai të ketë një ecuri të mirë, që të jetë nën kujdes, komunikojmë. Kjo është marrëdhënia jonë, që ua sugjeroj të gjithë prindërve që janë në kushtet e mia.
Secili nga prindërit në këtë familje ka një jetë të caktuar dhe ndërkohë, djaloshi Çako i ri është 18 vjeç, është i rritur, është indipendent dhe jeton në Paris…
Pas disa muajsh do të jetë 18 vjeç.
Ti ke ndenjur shumë me të… Di që keni qenë miq të mirë, përveçse babë e bir. A vazhdoni ju të jeni kështu?
Me djalin kam një adrenalinë të çuditshme, është pikërisht ajo adrenalina që ka prindi me fëmijën. Unë jam shumë mirë me Anthonyn, kemi një marrëdhënie shumë të fortë bashkë. Ishte për pushime këtu dhe kaluam shumë mirë. Ai tashmë është i madh dhe është krenar për ne.
Ka shprehur ai një lloj shqetësimi për këtë histori?
Jo, absolutisht. Për mendimin tim, atë e mësoi jeta dhe është shumë i qartë për situatën që ka kaluar dhe do të kalojë ndoshta edhe për pak kohë, sepse edhe ai një ditë do të krijojë familjen e tij dhe gjërat pastaj do të kalojnë në një tjetër stad, por për momentin është i vetëdijshëm. Nuk i mungon asgjë. Është i rrethuar nga plot gjëra të mira. E mira dhe e keqja thuhet që nuk kanë fund, por unë jam shumë i kënaqur për atë çfarë atij i ka ofruar jeta. Përpiqemi të dyja palët t’i qëndrojmë sa më afër, aq sa është mundësia, sepse tashmë është normale që unë kam jetën time. Ai nesër pasnesër, ndoshta do të jetë në pozitat e mia dhe do të më kuptojë sa herë jam dhe nuk jam pranë, qoftë edhe nga ana e mamasë së tij. Mendoj se ai ka raporte shumë të mira me prindërit.
Nga ajo që kam kuptuar unë, ti je një ndër këngëtarët, artistët më të kërkuar, jo vetëm si këngëtar… Fjala vjen, unë kam qenë në sallë kur ti ke drejtuar festivalin me Elsa Lilën. Ndërkohë, kanë qenë shumë simpatike fitoret e rëndësishme në “Kënga Magjike”. Si me thënë, je rikthyer në Pirro Çakon e përhershëm, atë që kemi njohur ne…
E viteve kur ishim të rinj akoma.
Më lejo të të komplimentoj për “Ashensorin”, me këtë titullin interesant. Një set i ri këngësh që fillon me “Nusepashka ime”, “Nuk jam superman”, që më duket shumë e drejtë për të gjithë ne… Shumë këngë interesante. Është një tjetër tregim, Pirro?
Është një rrugëtim i këtyre pesë viteve të fundit do të thoja. Unë nuk kam pasur shumë-shumë kohë të punoj për vete. Që nga rikthimi im në vitet 2007-2008, fillova të kompozoja për shumë këngëtarë. Me ikjen time nga Shqipëria u ndërpre edhe karriera si kantautor, ndaj në rikthimin tim bëra këngë për shumë artistë. Nuk jam fare pishman për këtë. Shumë prej tyre u kam dhuruar këngë shumë të bukura me shumë dashuri dhe në një farë mënyre kjo shërbente edhe si mjet për të fituar jetesën. Mirëpo duke kompozuar për këngëtarët e tjerë, rifitova një status, por humba një tjetër që e kisha fituar vite më vonë. Isha i dyzuar në duhej të vazhdoja apo jo, por në fund vendosa që të sillja këtë album, i cili ka edhe shtatë kompozime të reja, veç atyre që janë kthyer në hite këto pesë vitet e fundit. Ky mbetet një ndër albumet e mia, që vlejnë shumë për të medituar, për të kuptuar të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të shëmtuarën. Ka shumë gjëra aty…

Vipat.info