Mbyllet për qarkullim rruga Pejë–Kullë–Mali i Zi

January 19, 2013   | Anketë / Anketa

kulla_rozhajePolicia e Kosovës e rajonit të Pejës, ka njoftuar se si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave është mbyllur për qarkullim për të gjitha mjetet aksi rrugor Pejë – Kullë – Mali i Zi, njofton Radio Televizioni i Kosovës.

”Nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore duke përfshirë edhe aksin rrugor Pejë-Rugovë dhe
Pejë – Kullë ,me që aksi rrugor Pejë – Kullë – Mali i Zi, është i mbyllur për të gjitha mjetet qarkulluese”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore , zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.

Pakujdesia gjatë operimit me makina në komunikacionin rrugor merr çdo vit me dhjetëra jetë njerëzish dhe shkakton dëme materiale të konsiderueshme.

Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. (RTK)