LD në MZ denon aktin vandal të xhasndarmërisë serbe të heqjes së përmendorës së UÇPMB-së në Preshevë

January 21, 2013   | Ngjarjet - Events

 

Tuz , më    20.01. 2013

 

Kumtesë për opinion

 

LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI DENON ASHPËR AKTIN VANDAL TË XHANDARMËRISË SERBE TË HEQJES SË PËRMENDORES SË UÇPMB-SË NË PRESHEVË

 

Heqjen e përmendores kushtuar lavdisë së dëshmorëve të  Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Preshevë, heronjve të kombit shqiptar, nga ana e xhandarmërisë serbe, sot në orët e mëngjesit, Lidhja Demokratike në Mal të Zi e dënon ashpër, si akt vandal antinjerëzor e antishqiptar.

 

Ky  skenar dhe ky akt jo civilizues e brutal nuk është diçka e befasishme, kur është fjala për veprimet e pushtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Janë veprime që me dekada politika serbe ka ushtruar dhe po ushtron  ndaj shqiptarëve, me intervale e intensitet të ndryshëm, varësisht nga nevojat politike të ditës dhe projekteve të tyre shekullore, si presion për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta. Këto janë presione mirë të planifikuara kundër kulturës shqiptare,  kundër trashëgimisë dhe si cak i fundit i tyre kundër ekzistencës së shqiptareve, kundër qenies sonë.

 

Kjo është një situatë, që në forma të ndryshme, herë me mjete të plishta e herë më brutale, po e pësojnë shqiptarët edhe në trojet e tjera  në ish republikat e Jugosllavisë, e tash shtete të pavarura, si në Maqedoni e Malin e Zi.  Udhëheqësit politikë shqiptarë,  në këto troje, sikur po harrojnë se çka ka ndodhë e po ndodhë, e po bëjnë gara se kush më parë të gjejë “rahati” në prehër të pushtetit, për interesa  të kalueshme personale.  Kjo po i sjell dëm edhe politikës shqiptare në këto troje, po edhe asaj në përgjithësi, po u sjell dëm zhvillimeve demokratike, realizimit të të drejtave të njeriut dhe atyre nacionale, individuale e sidomos kolektive, mohimi i të cilave si në rastin konkret, nuk çon në stabilitetin e paqes në rajon e më gjerë.

Vlerësojmë përpjekjet e liderëve politikë dhe udhëheqjeve të qeverisjeve lokale Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që këtë situatë ta zgjidhin me dialog, por theksojmë se për dialog nevojitet vullneti më së paku dy palëve, e në rastin konkret vullneti i pushtetit aktual serb, që është vazhdimësi i atij millosheviqian, mungoi, siç ka munguar gjithherë.

Prandeaj LD në MZ, e  vetëdijshme për situatën e tensionuar aktuale, për sulmin brutal e plot urrejtje ndaj shqiptarëve, kulturës së tyre, ndaj historisë, ndaj UÇPMB-së, bën thirrje për unitetin e faktorit politik shqiptar dhe masat civilizuese e demokratike që duhet ndërmarrë në rastin konkret  po edhe më andej.

 

LD në MZ edhe kësaj here e përsëritë se problemet e marrëdhënieve ndëretnike nuk mund të zgjidhën me dhunë. Kundërshtarët për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve si në Luginë, si në Malin e Zi… tregojnë qartë se ata nuk duan  drejtësi, as liri, as demokraci as paq, por hegjemoni, e kjo është e papranueshme.

 

Ftojmë Qeverinë e Serbisë që të kthejë lapidarin në vendin e vet. Ai nuk është pronë e tyre. Ai, megjithëse është nga mermeri, ai flet, ai rrezaton e porosit edhe po ta bëjnë copa-copa.

Për LD në MZ

Mehmet BARDHI, kryetar