Protestë kundër heqjes së lapidarit – Video

January 21, 2013   | Ngjarjet - Events

ProtestPresheva.21janNë Preshevë, në orët e mesditës, ka nisur protesta kundër heqjes së lapidarit të ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Xhandarmëria serbe ka larguar këtë monument të dielën në mëngjes, me urdhër të Qeverisë në Beograd. Në vendin ku ka qëndruar ai, përkatësisht para Kuvendit Komunal të Preshevës, qytetarët kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur kurora me lule.

Të pranishëm në demonstratë raportohet të jenë të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës, në mesin e tyre: kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i Kuvendit Komunal, Skender Destani, krerët e Bujanocit, Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, si dhe veteranë të UÇPMB-së.Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë, por edhe më gjerë, të dielën kanë thënë se Serbia vazhdon të zgjidhë problemet me dhunë dhe jo me dialog.

Në një konferencë për media në Preshevë janë dëgjuar po ashtu paralajmërime se shqiptarët e Luginës do të kërkojnë të drejta të barabarta si serbët e veriut të Kosovës.Sot, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se situata e sigurisë në Preshevë është e qetë dhe se ngjarjet atje janë “çështje e brendshme” e Serbisë.

TVCG