Xhensila Myrtezaj: ”Historia moderne e Hirushes”

January 24, 2013   | Lajmet / Vijesti

E dashur, e ëmbël dhe shumë e suksesshme. Xhensila Myrtezaj është një emër shumë premtues, që e ka treguar veten kohëve të fundit në muzikë. Këngë të bukura, ashtu siç është dhe vetë ajo, e dashuruar dhe në një lidhje serioze, këngëtarja sharmante vjen në një rrëfim ku tregon ndoshta gjëra që më herët nuk kemi pasur rastin t’i dëgjojmë për të.
Xhensila Myrtezaj

Si e kalon një 24 orësh i juaji?
Mendoj se nuk ka 24 orësh fiks asnjë njeri, në përgjithësi ditën mundohem të alternoj punën, shkollën dhe zbavitjen, si dhe angazhimet në çift.
Kur je e lirë, çfarë bën?
Kam një problem pak të madh me gjumin, i jap më shumë se ç’duhet rëndësi.
Ke gjithmonë angazhime, të ftojnë nëpër koncerte?
Të them të drejtën, viti që kaloi ka qenë shumë i mbarë për mua, me ftesa dhe koncerte si brenda dhe jashtë shtetit, ku Vitin e Ri e finalizova në Toronto-Kanada. Uroj që edhe ky vit të jetë njëlloj i suksesshëm dhe me të njëjtat angazhime si ai i vjetshmi.
Çfarë ushqimesh preferon të përgatisësh kur je e lirë?
Më besoni që kjo është një ndër pyetjet që më sikletos më së shumti. Nuk jam ndonjë amvisë e mirë ose ndoshta prej faktit që s’e kam marrë ndonjëherë mundimin për të qenë amvisë. Në fëmijëri dhe adoleshencë kam pasur një amvisë të shkëlqyer përmetare që nuk linte gjë pa gatuar, mamanë time. Kurse tani që jam rritur pak, kam një amvis të mrekullueshëm nga Fushë-Kruja (Besartin) që e ka me shumë pasion gatimin dhe nuk më lë të hyj në territorin e asaj që e mban emrin kuzhinë.
Me çfarë e josh më shumë të dashurin?
Mos ndoshta duhet të pyesim Besin?
Blen dhe gjëra të lira apo gjithmonë “firmato”?
Mjafton të më rrijë mirë, në përgjithësi i alternoj të dyja.
Ju ka ndodhur që të refuzoni ndonjë mashkull vetëm pse ai nuk është i bukur?
Përderisa unë jam në një lidhje shumë serioze dhe shumë e sigurt në vetvete për qëllimet e mia në jetë, refuzoj çdo mashkull, i bukur, i pasur apo sido që të jetë. Unë e kam gjetur bukurinë e ditëve të mia dhe pasurinë shpirtërore që mbajnë vetëm një emër.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Vetëkontrolli.
Çfarë do të ndryshonit te vetja nëse do mundeshit?
Në qoftë se do të pyesnit mamanë time për mua, meqenëse është personi që më do më shumë se çdo njeri tjetër, ajo do thoshte se më ka mërzitur gjithë jetën me punën e oreksit, nuk i kam marrdhëniet fort të mira me ushqimin.
Terapia juaj kundër stresit?
Vrapi.
Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?
Jay Z dhe Beyonce, Besi dhe unë (qesh). Me kusht që të merrnin dhe vajzën e vogël, meqenëse unë i adhuroj fëmijët dhe Beyonce është idhulli im. Kjo ngelet gjithnjë në kontekstin e një shakaje, kështu që nuk bën për titull gazete (qesh).
Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?
Më shumë sesa personazh librash apo filmash, më pëlqen një personazh jetësor dhe çfarë ka bërë ajo, është Nënë Tereza.
Dhurata që ju pëlqen të bëni?
Kryqet i blej dhe ua dhuroj njerëzve, që me të vërtetë kanë vlerë për mua.
Talenti që do të doje të kishe?
E kam.
Deri ku do arrinit për dashurinë?
Gjithë sakrificat që nuk do lëkundnin kornizën time.
Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?
Në mesjetë, në Francë.
Ju trembin vitet që ikin?
Jam ende e re dhe s’më ka ardhur koha ta përjetoj këtë pjesë tani për tani.
Frika duhet fshehur?
Patjetër.
Vdekja ju tmerron?
Asgjë nuk vjen prej asgjëje dhe nuk shkon në asgjë, kështu që nuk e kam dhe me aq frikë.
Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karriera?
Në momentin që po flas kam primare karrierën, tani për tani kam moshë vetëm për karrierë. Fëmijët i adhuroj por jam ende e re dhe në momentin që do të kem një fëmijë, jam e sigurt se ai do të jetë primari për çdo gjë.
Po sikur të ishe një film, si do të ishte titulli i tij?
Një histori moderne Hirusheje, jo më kot po e them më besoni (qesh).

BLERAND REXHEPI
PANORAMA