Prof.Dr.Bahri Brisku fiton çmimin Arshi Pipa nga Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane

February 1, 2013   | Kulturë / Kultura, Reportazh / Reportaža

Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, ngjarje e rëndësishme kulturore letraro-artistike
Bahri Brisku fiton cmimin Arshi  Pipa nga Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane“Ajo sallë e thjeshtë me ata njerëz të mrekullueshëm, dashamirës të artit, të letërsisë, dashamirës të Kuvendit, m’u duk më e madhërishme, më e bukur se vitet e tjera. Atje ishte mbledhur shpirti bashkatdhetar paqësor, atje ishte humori ynë popullor, folklori ynë i pasur madhështor, fjala jonë e artë poetike, gura jonë popullore e pashtershme shqiptare…”

 Nga Pierre-Pandeli Simsia-Michigan

Bahri Brisku fiton cmimin Arshi  Pipa nga Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane.3

Në një ambient tepër të ngrohtë miqësor e vëllazëror, në Michigan nga  datat 17 dhe 18 nëntor, 2012 u zhvilluan “Ditët e Letërsise Shqipe” për vitin  2012, organizuar nga KUVENDI, revistë kombëtare informative dhe  kulturore. Për të 11-tin vit radhazi ai aktivitet i rëndësishëm tashmë ka  hyrë në historinë e diasporës shqiptare si një ngjarje e madhe e rëndësishme  kulturore letraro-artistike. Këtë vit, si asnjëherë tjetër, “Ditët e  Letërsisë Shqipe” u zhvilluan në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së  Shqipërisë. Pikërisht, ndryshe nga vitet e tjera, kur aktiviteti është zhvilluar  në fund të muajit tetor, sivjet, jo pa qellim ishin zgjedhur edhe datat 17 dhe  18 nëntor, 2012. Duke qenë për të disatën herë pjesëmarrrës në atë aktivitet  edhe sivjet nuk mund të rija pa shkuar në Michigan. E ndjej veten time mik,  pjesëtar të atij komuniteti të nderuar; gjej mikpritje, ngrohtësi,  dashuri… Pasi mbërij në Detroid, në dalje, në koridorin e Aeroportit DTW  takohem me shkrimtarin Ramiz Gjini bashkë me familjen e tij, bashkëshortja dhe  dy fëmijët e tyre, vajza dhe djali. Kishim kohë pa u takuar fizikisht me njëri  tjetrin edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet edhe pse shkëmbejmë mesazhe  miqësore. Dy fëmijët si yje, ku rezatonte urtësia dhe edukata, më nxorrën  mallin e dy djemve të mij edhe për faktin nga shtatlartësia e tyre; i takoj dhe  i përqafoj me mallin e një prindi. Kur krijuesit takohen me njëri tjetrin  dijnë se për çfarë të flasin, kështu që edhe ne dy kolegë e gjetëm shpejt  mënyrën e komunikimit. Sapo dalim jashtë derës së terminalit, i “zoti i  shtëpisë” zotëria i nderuar Pjetër Jaku që kishte ardhur për të na pritur,  bashkë me Mondi Rakaj, intelektual i ri në moshë, sekretar i degës së Vatrës në  Michigan, na njofton me telefon se ndodhet shumë afër nesh, meqenëse aeroporti  ka disa terminale dhe dyer dalëse. Unë takohesha me miqtë pas disa muajve,  kur u takuam në Nju Jork në festimin 100 vjetorit të Vatrës, ndërsa Ramizi dhe  familja e tij e kishin për të parën herë që mernin pjesë në atë  aktivitet. Nuk ka nevojë për fjalë të tepërta, sepse gëzimi që ndjen njeriu  në ato çaste takimi e tregojnë fytyrat, e tregojnë ndjenjat  emocionante… Kështu ishin fytyrat tona në ato çaste, të qeshura e të  gëzuara. “J’u faleminderit shumë… që na keni nderuar me ardhjen në Michigan,  me pjesëmarrjen tuaj në aktivitetin e rëndësishëm të Letërsisë Shqipe…”  shprehej zoti Pjetër Jaku. Pas një rrugëtimi disa minutësh në autostradat e  Michiganit të zotët e shtëpisë na çojnë në hotelet luksoze për të pushuar. Si  çdo vit, masat ishin marë, pagesa e hotelit ishte bërë nga miqtë pritësa. (U  ndjehemi shumë borxhlinj…) Pushoni në hotel, na thotë Pjetri, më vonë do  vijmë t’ju marrim sipas programit që kemi për aktivitetin. Edhe pse disi i  lodhur, sikur nuk ndjehesha i qetë në atë dhomë të hotelit. Më dukej sikur ora  ecte ngadalë; doja të takoja sa më shpejt edhe miqtë e tjerë: Alfons Grishaj,  Elinda Marku, Julian Çefa, Paulin Palushi, Luigj Gjokaj, Nevruz Nazarko, Prof.  Lulash Palushaj, Nexhip Ejupi, Pal Rakaj, Ilir Myftiu, Gjovalin Lumaj, Shkëlqim  Legisi, Rubin Jaku, ….. Në këto mendime e sipër, dëgjoj zilen e telefonit;  ishte Pjetër Jaku. Më njofton se në hotel sapo ka mbëritur kolegu tjetër, poeti  Mëhill Velaj. Dal nga dhoma; edhe me Mëhillin kisha kohë pa u parë dhe,  sigurisht, takimi ishte miqësor vëllazëror. “Edhe pse Michigani është më larg  se vendet ku banojmë ne, na duhet të vijmë këtu për t’u takuar e shmallur me  njëri tjetrin…” i them Mëhillit. Mëhill Velaj, përveç buzagazit të tij që i  qendron përherë në fytyrë, ka edhe një humor të këndshëm, që ia shton edhe më  tepër bukurinë bisedës. Me humor m’u përgjigj edhe ai mua. Shpirti i  poetëve, i krijuesve letrarë nuk mund të rijë i qetë pa patur edhe humorin në  buzë për të shoqëruar bisedat e këndshme. Mësojmë se shkrimtari Fatos Kongoli  dhe bashkëshortja e tij, Lili, për arsye familjare, e kishin anulluar biletën e  avionit dhe ndodheshin në Shqipëri. Me shkrimtarin Kongoli kemi qenë edhe herë  të tjera bashkë në Michigan dhe ruajmë mbresa të shkëlqyera dhe kujtime tepër  mbresëlënëse dhe të paharuara dhe e dëshiroja shumë që të ishim përsëri prap  edhe pse shpesh herë bisedojmë në telefon dhe shkëmbejmë mesazhe në  e-mail. Edhe shkrimtari Naum Prifti për arësye tjetër nuk mundi dot të vinte.  Edhe me zotin Naum kam mbresa të paharuara, sepse kemi qenë disa herë të ftuar  në aktivitete në shtete të ndryshme të Amerikës si edhe në gëzime familjare të  bashkatdhetarëve tanë. Edhe komuniteti atje e ndjen mungesën e shkrimtarit  Prifti; ndoshta do ta ketë pranë së shpejti… Koha kalon dhe përsëri në  dhomën e hotelit ku po rrija dëgjoj prap zilen e telefonit. Përsëri ishte Pjetër  Jaku. Na njofton të bëhemi gati, pas pak vijnë makinat për të na marrë  ………. Mblidhemi në lokalin e Pjetër Jakut. Që nga jashtë e ke të  kollajtë për ta kuptuar që është lokal shqiptar, sepse tabela lexon KAFE  KUVENDI Një tjetër ambient i këndshëm shqiptar na priste atje. Bashkatdhetarë  të ndryshëm kishin zënë vend në ambiente të lokalit, një pjesë e tyre e shijonin  kafen apo pijet e ndryshme në këmbë, pranë banakut. Takohemi dhe përqafohemi me  miqtë e vjetër bashkëkombas. Mall, emocione, nostalgji…! Dy televizorë të  mëdhenj në dy qoshet e lokalit me programet e tyre, pikturat e varura në murr me  pamje nga atdheu, gjuha e bukur shqipe që flitej atje, e ndjeje veten që të ishe  edhe në Shqipëri edhe në Amerikë. Në një tavolinë tjetër janë ekspozuar  libra të ndryshëm nga autorë shqiptarë, kryesisht nga të diasporës. Dhe, në të  tilla raste, për kënaqësinë e miqve, vjen kamerierja… Na lini të shmallemi  njëherë, po edhe kafen do t’a pijmë – i them me humor, duke bërë në të njëjtën  kohë edhe porosinë . Dhe biseda fillon shtruar, përmallshëm me Prof. Julian  Çefën, me Pishtarin e Demokracisë Shqiptare, Alfons Grishaj, artistin grafik, të  mirënjohurin shkodran, Paulin Palushi, dekoruar nga presidenti i republikës me  Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, aktori, artisti i mirënjohur, i  talentuari Ndue Gjekaj, Luigj Gjokaj, Shkëlqim Legisi … Djali i Pjetër Jakut,  Rubini i shkathët, buzagaz, me një kulturë për ta patur zili, m’u duk, sikur  ndjehej në siklet; donte si e si të na kënaqte më mirë. Takohemi me pjesën  tjetër të Familjes Jaku; me Elindën, Monelën, Marën. Mësojmë se në atë Kafe  Kuvendi përveç pijeve të ndryshme shërbehej edhe raki Skrapari. – Po këtë na  thoni ju neve… dhe nuk vonoi shumë erdhën gotat me raki. Sa shpejt ikën  koha në ambiente të tilla të këndshme me aromë Shqipërie! Duhet të dilnim nga  kafe Kuvendi për të hyrë përsëri nëpër makinat që na prisnin jashtë. – Po  Alfonsi, ku shkoi? ….. Nuk po e shohim! Alfons Grishaj kishte shkuar në  “Romë” Atje kishin menduar për të na kënaqur të darkonim, në “Romë” në Luçiano’s  RESTAURANT. Dhe vërtet, kur shkuam atje, ishim në “Romë”, në Romën e lashtë.  Alfons Grishaj na priste në derën hyrëse. Restoranti luksoz, një ndër tre  restorantët më me emër në Michigan ishte i ndërtuar në brendësi të tij me  arkitekturë romake. Tapeti i sallës i “shtruar” me kalldrëm, ndërtesat  karakteristike romake të vjetra, me mure diku të plasaritur, me ballkonet e  shtëpive me lule shumengjyrëshe, me çatitë e shtëpive me tjegulla të kuqe, me  rrugicat e ngushta midis shtëpive…, ma ngacmuan pak mallin dhe nostalgjinë,  sepse më kujtonin shtëpitë dhe rrugicat e Beratit… Ky ishte ambienti brenda në  “Romë” që të ofronte Restoranti Luçiano. Tri sallat e mëdha të restorantit  ishin të mbushura plot me klientë ku dëgjoheshin zërat melodiozë të dy  këngëtarëve Xhina dhe Pipo të këndonin në dy gjuhët, italisht dhe anglisht; të  tjerë klientë rinin në këmbë për të pritur. Prandaj edhe Alfonsi kishte shkuar  më parë se të mbërinim ne atje, për të rezervuar tavolinat tona. Pasi zumë  vend në tavolina, zoti Pjetër Jaku, me gotën e verës në dorë, çohet, na uron të  gjithëve mirëseardhjen, na falenderon që ndodhemi atje… Në kulmin e  kënaqësisë që po shijonim atë ushqim special e të bollshëm, pamë të vinin drejt  tavolinës sonë dy këngëtarët. Mrekulli e vetë Zotit! Ta shijosh atë ushqim me  zëra të ëmbël. Kur ata mësuan se ne ishim shqiptarë, atëhere Pipo na thotë se si  mund të dëgjonte edhe ai një këngë shqiptare. Duke e përtypur me të shpejtë  ushqimin që kisha në gojë, menjëherë çohem, marrë mikrofonin dhe ashtu, pa  muzikë shoqërimi, fillova të këndoj këngën e mirënjohur korçare “Se vitet ikin  tutje” Se si m’u kujtua për momentin dhe përsëritjen e strofës së parë e ktheva  menjëherë duke e kënduar në gjuhën angleze. (I took it my guitar, I start to  sing my song…) Kjo i dha edhe humor edhe kënaqësi tryezës që u prit me  duartrokitje. Pipo kishte mësuar edhe titullin e një kënge tjetër shqiptare,  “Mora mandolinën” Pasi mbarova këngën e parë, fillova të këndoj këngën “Mora  mandolinën” të shoqëruar edhe nga zoti Kujtim Qafa. Edhe pse të “dehur” nga  kënaqësia që përjetuam në Luçiano’s Restaurant, edhen pse ora tregonte mesnatë,  para se të shkonim në hotel, na duhej të ktheheshim përsëri në Kafe KUVENDI për  të vazhduar kënaqësinë e asaj mbrëmjeje. Natyra na kishte dhuruar një tjetër  befasi; Michiganin e kishte mbuluar të tërin mjegulla. Epo, duhet ta shikonim  edhe me mjegull Michiganin… Të tjerë bashkatdhetarë na prisnin në Kafen  Kuvendi, e midis tyre Luigj Gjokaj dhe aktori Ndue Gjekaj; të tjerë artistë të  humorit dhe të këngës na prisnin për t’u kënaqur… Eh Zot! bekoji të gjithë  ata njerëz të mirë e të dashur që jetojnë në atë komunitet atje, që vetëm  dashuri, mikpritje, humor, kënaqësi dijnë të falin….

Bahri Brisku fiton cmimin Arshi  Pipa nga Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane.1

 E diel, 18 nëntor, 2012.
Përsëri kafja e mëngjesit do pihej në lokalin e Pjetër Jakut,  Kafe KUVENDI e shoqëruar me “ilaçin” e shumëdashur për burrat, Raki  Skrapari. Më pas do të niseshim në një tjetër ambient të këndshëm e  piktoresk, në kompleksin Patridge Creek, ku me të vërtetë është një vend  shlodhës me shumllojshmërinë e dyqaneve. Vendin për të drekuar, miqtë  pritësa e kishin menduar në sallën e madhe të Qendrës Kulturore pranë Kishës së  Shën Palit. Ishte edhe dëshira jonë për ta vizituar atë qendër. Ishte hera e  parë që shkoja atje. Një vend magjepsës natyror, mes gjelbërimit të pafund dhe  ajrit të pastër ngrihet Kisha e Shën Palit në Michigan. Që në ambentet hyrëse  qendrojnë madhështore dy figura të ndritura të Kombit tonë; Heroi ynë Kombëtar  Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe Shenjtorja Shqiptare, e ndritura Nëna  Tereze. Janë këto dy figura të ndritura të kombit tonë që të përshëndesin të  parët e të urojnë mirëseardhjen në atë vend të shenjtë, duke na dhënë edhe  bekimin. Përpara Kishës, valëvitet edhe Flamuri ynë Kombëtar përkrah Flamurit  Amerikan. Brenda në Kishën e Shën Palit mesha, falja e kishës ende nuk kishte  mbaruar, ndërsa ne hyjmë në sallën kulturore. Ajo që të binte menjëherë në sy,  në murret e sallës qendronin të varura piktura me heronj, luftëtarë shqiptarë,  Flamuri ynë Kombëtar me shqiponjën dykrenore. Koha ecën shpejt, pa u kuptuar  dhe ne, duhet të ktheheshim përsëri në hotele, të shlodheshim pak për të qenë  gati në mbrëmjen e madhe të letërsisë. Dhe pikërisht, në në Sallën e takimeve  dhe të festave pranë Kishes Katolike ” Zoja Pajtore, u mbajt mbrëmja e Letërsisë  Shqipe. Nuk ishin bërë ftesa private dhe nuk ishte e arësyeshme të bëheshin,  përderisa dihet tashmë, njoftimi ishte dhënë kohë më parë në revistën Kuvendi  dhe në shtypin elektronik. Letërsia ndjehet, dashurohet, interpretohet,  shkruhet, mirëpritet, respektohet… dhe kjo nuk ka nevojë për ftesa  private. ……………………………………. Ajo sallë e thjeshtë  e Kishës, me ata njerëz të mrekullueshëm, dashamirës të artit, të letërsisë,  dashamirës të Kuvendit, m’u duk më e madhërishme, më e bukur se vitet e tjera.  Atje ishte mbledhur shpirti bashkatdhetar paqësor, atje ishte humori ynë  popullor, folklori ynë i pasur madhështor, fjala jonë e artë poetike, gura jonë  popullore e pashtershme shqiptare… Atje ishte shpirti intelektual, artist,  krijues, atje ishin njerëzit e thjeshtë bashkatdhetarë të ardhur me dëshirën e  tyre me dashurinë për letërsinë, për Kuvendin, me dashurinë dhe respektin që  tregojmë ndaj njëri tjetrit, për të cilën kemi shumë nevojë të falim dashuri, të  marrim dashuri. Dera e KUVENDIT është përherë e hapur për të gjithë dhe ai i  mirëpret me dashuri të gjithë ata që e repsektojnë me pjesëmarrjen e tyre. Mbrëmjen e Letërsisë Shqipe në Michigan, atë gërshetim të bukur të poezisë  me këngën, të interpretuesve me zgjedhjen e poezive, të humorit… e moderuan me  mjeshtëri artistët e mirënjohur të komunititetit Enita Hajdari dhe aktori i  talentuar dhe i suksesshëm Ndue Gjekaj. Prezantuesit bënë të njohur emrat e  personaliteteve që kishin ardhur për të marrë pjesë: Dom Ndue Gjergji,  Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Don Fran Kola, Famullitar i  Kishës së Shën Palit, Alfons Grishaj, Kryetar i degës së Vatrës për shtetin e  Michiganit, Mondi Rakaj, Sekretar i degës së Vatrës për shtetin e Michiganit,  Prof. Julian Çefa, Kujtim Qafa, biznesmeni Gjeto Ivezaj, Prof. Dr. Bahri Brisku  i ardhur nga Ulqini, veprimtar i shquar, ish kryetari i fondacionit “Vendlindja  thërret” në Michigan, z. Luigj Gjokaj, përfaqësues të Shoqatës  KASTRATI… Vagjet poetike nga poetët dhe shkrimtarët Pjetër Jaku, Alfons  Grishaj, Elinda Marku, Nexhip Ejupi, Mensur Spahiu, Gjovalin Lumaj, u  interpretuan nga aktorët: Ndue Gjoka, Ndue Gjekaj, Enita Hajdari, Fran Gjoka,  Agim Agalliu, Mirushe Lumaj, Manjola Dega-Tërshana. Interpretimet e tyre me  ndjenjë dhe emocione bënë që disa herë të ndërpiteshin nga duartrokitjet. U  kujtua miku i Kuvendit që u nda nga jeta pak javë më parë, Zef Lleshi. Në nderim  të të ndjerit u mbajt një minutë heshtje. Drejtuesit ia dhanë fjalën  Botuesit të Kuvendit, organizatorit të atij aktiviteti, poetit dhe prozatorit  Pjetër Jaku: “Falenderoj gjithë ju që jeni të pranishëm në këtë mbrëmje të bukur  letrare. Ditët e Letërsisë Shqipe vijnë sot në vitin e tyre të 11-të. Ne e kemi  filluar këtë aktivitet në vitin 2001 dhe kemi mbëritur deri këtu ku jemi  mbledhur sonte, pa u shkëputur asnjëherë. Pothuajse një pjesë e mirë e juaja  keni qenë të pranishëm çdo vit. Ju falenderoj në mënyrë të veçantë që na keni  ndjekur dhe vazhdoni të na ndiqni. Edhe një falenderim tjetër të veçantë edhe  për ata të tjerë që nuk kanë mundur të marin pjesë sonte për arësye të ndryshme.  Nëse mbrëmja e letërsisë shqipe është në vitin e 11-të, në kemi 12 vjet që  botojmë revistën Kuvendi dhe dua të them se e gjithë koha e botimit të kësaj  reviste, ka qenë ditë letërsie. Për 12 vjetë në të gjithë numrat që kanë dalë ne  kemi përfshirë rreth 3000 faqe të letërsisë artistike me mbi 80 autorë nga  diaspora, materialet e të cilës gjenden në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Unë  uroj që sonte të kalojmë të gjithë së bashku një mbrëmje vërtetë të këndshme. Ne  kurrë nuk kemi synuar që të kemi numër njerëzish, të kemi artista të fjalës. Na  intereson të kemi në këtë aktivitet ata njerëz që e kuptojnë letërsinë, që e  respektojnë atë, duke patur edhe parasysh që jetojmë edhe në kushte të vështira.  Një vlerësim të veçantë unë e kam për Prof. Dr. Bahri Brisku, i cili na ka  nderuar me pjesëmarrjen e tij, është autor i disa librave dhe që e njeh mirë  letërsinë” tha në përshëndetjen e tij z. Pjetër Jaku. Enita Hajdari, recitoi  poezinë “Mos më zhgënje” të poetit prozator, Alfons Grishaj. Më pas e mori  fjalën Dom Ndue Gjergji, Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve: “Ju  përshëndes të gjithëve për këtë mbrëmje të letërsisë, e cila është e  gjithpërfshirëse kjo ditë e letërsisë shqipe. Ju përshëndes dhe dua të përmend  këtu që, siç e dini, në Shqipërinë tonë mbëriti libri i parë i shkruar në gjuhën  shqipe “MESHARI” Në të gjitha gjinitë e letërsisë sonë jepet ajo ç’ka ne jena,  një popull i madh, fuqiplotë që e përvuajti mundimin nëpër luftëra, shtrëngata  të ndryshme gjatë gjithëhistorisë së tij. Në atë kohë, Luigj Gurakuqi, është  treguar figura më e madhe e kombit tonë… Ju jeni ata, të nderuar krijuesa  letrarë, që me zërin tuaj në shkrimet tuaja e ngrini Ju uroj të gjithëve juve  organizatorë për këtë mbrëmje të bukur të letërsisë shqipe; ju të gjithë, që  jeni mbledhur në këtë aktivitet letrar artistik. Uroj gjithë shqiptarët anembanë  kudo janë “Gëzuar Festën e madhe të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë”  Zoti j’u bekoftë”. Kryetari i degës së Vatrës për Michiganin, Pishtari i  Demokracisë Shqiptare, zoti Alfons Grishaj, në përshëndetjen e tij, i uroi  mirëseardhjen gjithë të pranishmëve dhe duke i bërë një paraqitje të shkurtër  veprimtarive nëpër vite të Kuvendit, vlerësoi dhe falenderoi të gjithë ata  krijuesa, aktivistë që kanë ndihmuar në ritjen dhe gjatësinë e tij, rolin e madh  atdhetar që luan revista Kuvendi… Fran Gjoka më parë se të fillonte  interpretimin, përshëndeti: “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan janë një  aktivitet që meriton përkrahjen, vlerësimet, përgëzimin tonë për vetë mbledhjen  e artistëve të diasporës, që dihet se sa shumë vlerë ka puna e tyre. Dihet, se  sa shumë jetë i jep jetës shqiptare dhe komunitetit shqiptar…. Siç e dimë të  gjitha viset, vendet shqiptare, po vishen kuq e zi në prag të 100 vjetorit të  Shpalljes së Pavarësisë. J’u përshëndes nga zemra. Ndjej kënaqësi dhe i  privilegjuar të recitoj disa nga poezitë e poetes tashmë të talentuar, Elinda  Marku…” Manjola Dega-Tërshana, recitoi poezi nga poeti Mensur  Spahiu. Aktori i talentuar Agim Agalliu, recitoi poezi nga Nexhip Ejupi,  “Atdhe” Rushe Lumaj, recitoi përshëndetje nga poeti Gjovalin Lumaj, në  pamundësi për të marë pjesë në atë aktivitet. Vargjet poetike nga poeti  Gazmend Gjika u interpretuan nga dy aktoret e mirënjohura. Aktori Ndue Gjeka  interpretoi pjesë nga krijimtaria e poetit, prozatorit Pjetër Jaku. Në fjalën  e tij përshëndetëse Dom Fran Kola, Famulltar i Kishës së Shën Palit midis të  tjerave në përshëndetjen e tij tha: ” Përshëndetje të dashur bashkatdhetarë!  Është kënaqësi e madhe të ndodhem sot midis jush, në mes të intelektualëve. Sa  bukur është të ndodhesh në mesin tuaj, sepse ju jeni përgjegjësit e shoqërisë…  Me penën tuaj, me shkrimet tuaja, ta reshtoni popullin tonë shqiptar në  realitetin e ri…” Dom Fran Kola kujtoi me respekt edhe poetin nga Kosova Ali  Podrimja, i cili u nda nga jeta para pak kohësh…” Zoti Julian Çefa: “Është  një kënaqësi e veçantë një krenari kombëtare sonte kemi në mesin tonë në këtë  mbrëmje të bukur të letërsisë, gjendet ajka e kombit tonë, shkrimtarë, poetë,  romancierë, historianë… që janë një krenari e veçantë për kombin. Të gjithë  shqiptarëve që kanë zotësi nëpërmjet penës dhe mendjes, j’u uroj suksese në  krijimtarinë e tyre të bukur e të vështirë letrare. Natyrisht, ky bashkim sonte  i dedikohet zotit Pjetër Jaku dhe gjithë stafit të tij. Një respekt i veçantë që  për dymbëdhjetë vite drejton Kuvendin. Ky zotëri i nderuar ka ngritjen kryesore  që na bashkon të gjithëve… J’u uroj të gjithëve Gezuar festën e madhe të 100  vjetorit Pavarësisë…” Luigj Gjokaj: ” … Faleminderit që na keni bashkuar  sonte në këtë mbrëmje. Dua të them se jeni një ndër më të vlerësuarit në  komunitetin tonë këtu në Sh.B.A. sepse për 11 vite me radhë na keni dhënë  Revistën KUVENDI. Më kujtohet nata e parë e mbrëmjes për letërsinë në Kishën e  Shën Palit kur kemi filluar të kujtojmë At Gjergj Fishtën, por Pjetër Jaku  bashkë me të gjithë ne së bashku, vendosi që të kalojmë edhe një hap më tepër  për të zhvilluar Mbrëmjen e Letërsisë Shqipe dhe vit pas viti, kjo u bë traditë  këtu në Sh.B.A. që ne të mblidhemi, të dëgjojmë fjalën tuaj poetike letrare, të  shohim artistë, krijues, historianë… të ndryshëm. Ndjehemi krenarë që ndodhemi  në mes të intelektualëve tanë…” Shkrimtari Ramiz Gjini në fjalën e tij  përshëndetëse, midis të tjerave tha: “…M’u bë shumë qejfi që këtu po njihem me  poetë, shkrimtarë, të cilët, fati na ka ndarë, sepse Amerika është shumë e  madhe, jetojmë larg njëri tjetrit. Gjatë kësaj kohe na u dha mundësia të  bisedojmë dhe të shkëmbejmë edhe libra… ” Ramiz Gjini gjithashtu, lexoi edhe  disa poezi nga poetja Elinda Marku. Poeti Mëhill Velaj, njëkohësisht edhe  kryetar i jurisë në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi punën e Kuvendit dhe  gjithë stafit të tij…
Unë, autori i këtij shkrimi, në fjalën time përshëndetëse, midis të  tjerave u shpreha: “Kjo sallë, me pjesëmarrjen e këtyre njerëzve të  mrekullueshëm që kanë ardhur me dëshirën e tyre me dashurinë për letërsinë, për  Kuvendin, me dashurinë dhe respektin që tregojmë ndaj njëri tjetrit, po më duket  e madhërishme. Është ajo dashuri që neve na mban gjallë, që e kërkojmë ndaj  njëri tjetrit… Dhe atë dashuri ne e gjejmë në vatrën e “shenjtë”KUVENDI në  Michigan dhe gjithë stafin që e drejton atë. Dashuri gjejmë në Komunitetin  Shqiptar në Michigan që di të shprehë dashuri, mikpritje, respektin për miqtë  bashkëkombas që shkojnë atje… Shfrytëzova rastin të recitoja poezinë  “DASHURISË” të poetit Ndoc Gjetja.
Zoti Kujtim Qafa: “… Programi i kësaj mbrëmjeje ka qenë shumë i  shkëlqyer, ka qenë në nivel, ka qenë një mbrëmje mjaft e gëzuar me muzkë, më  recitime, me këngë, me humor. Na keni dhënë një kënaqësi jo vetëm që keni  ardhur, por edhe me interpretimet, recitimet tuaja, do mbeten të paharuara. Unë  kam qenë pjesëtar i Kuvendit së bashku me Pjetër jakun dhe kam mendimin se duhet  ndihmuar; po bën një punë të shkëlqyer, jo vetëm me revistën Kuvendi, por edhe  me këtë aktivitet, siç është kjo natë që jemi mbledhur sonte.
Përshëndetën edhe Prof. Bahri Brisku, poeti Mensur Spahiu, dashamirësi  i artit, zoti Gjeto Ivezaj, Rakip Babqorri, Pal Rakaj, Kujtim Qafa, Paulin  Palushi, përfaqësues të Shoqatës KASTRATI, Shkëlqim Legisi,Valentin  Lumaj… Biznesmeni i njohur Gjeto Ivezaj përshëndetjen e tij e shoqëroi edhe  me disa fragmente poetike për Bajraktarin e Grudës, Smajl Martini si dhe Prek  Topalli me një krijim të posaçëm për Gjergj Fishtën. Poetët Elinda Marku dhe  Gjovalin Lumaj recituan poezi nga krijimtaria e tyre.
U lexua edhe përshëndetja e shkrimtarit Fatos Kongoli. Zëri i ëmbël dhe  melodioz, që unë e quajta kanarina e këngës shqiptare, këngëtarja e komunitetit  tonë në Michigan, Manjola Degaj-Tërshana, na befasoi, na emocionoi. E thjeshtë,  e çiltër, duke kënduar këngët me mikrofonin në dorë, ajo do të shkonte edhe  tavolinë më tavolinë… E shoqëruar në organo nga vëllai i saj, instrumentist  tepër i talentuar, Elvis Tërshana. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur  ata dy artistë motër e vëlla kanë të njëjtin gjak, gjakun e xhaxhait të tyre,  Artistit të Merituar Tonin Tërshana. E ku ka më bukur për ne, pjesëtarët e  Diasporës sonë të mbledhur në atë sallë nga vise e rrethe të ndryshme shqiptare  të duartrokasim, të këndojmë të gjithë së bashku si në korr këngët e ndryshme  shqiptare të interpretuar me mjeshtëri nga ata artista profesionista Manjola  Degaj-Tërshana, bilbili i diasporës dhe i mbarë shqiptarisë, i mirënjohuri Frank  Kola, instrumentisti Elvis Tërshana, që me muzikën e tyre na çojnë në qiellin e  7-të të kënaqësisë… Si mund të rish pa hyrë në botën e thellë muzikore, kur  Manjola, vetëm mos e kaptë mikrofonin me dorë, se e di vetë ajo pastaj se ku të  shtegëton me këngët nga krahinat e ndryshme shqiptare. E ç’mund të flas unë  më tepër në këto rreshta për aktorin, bilbilin zëmprehtë Fran Gjoka, kur më  shumë se unë, flet vetë zëri i mprehtë dhe melodioz i Franit, talenti i tij i  madh që ai ka për artin muzikor dhe atë interpretik. E ç’mund të shkruaj unë  më tepër në këto rreshta, kur e gjithë salla, magjepset, elektrizohet kur këta  dy zëra të fuqishëm bashkohen në duet, duke formuar zërin Dega-Kola. Kënga e  mirënjohur “Shqipëri o nëna ime” që nuk është vetëm malli që ne kemi për atdheun  tonë, por ajo këngë që kurrë nuk ka plakje, por që vetëm të rinon sa herë që e  dëgjon dhe që vetë rinohet nëpër vite, të rrënqeth trupin, na rrëmben të  gjithëve të hyjmë edhe ne mes tyre duke e kënduar së bashku të shoqëruar me  duartrokitje… Dhe atë këngë e kënduan mjeshtërisht këngëtarët  Degaj-Kola “Xhamadani vija vija” Është kjo një këngë tjetër që, jo vetëm të  emocionon sa herë e dëgjon, por pse jo edhe përlotesh. Janë lot malli, gëzimi,  emocioni, që na i dha dueti Dega-Kola me interpretimin e tyre të  shkëlqyer. Disi e vështirë ishte edhe puna e jurisë. Mes prurjeve të shumta  krijime letrare të gjinive të ndryshme, duhet të përzgjidhnim edhe nga tre çmime  në poezi, publiçistikë, prozë. Për këtë, kishim kohë që po punonim. Juria e  përbëra nga: Mëhill Velaj kryetar, Pierre-Pandeli Simsia anëtar dhe Manjola  Degaj anëtare, vendosi:
POEZI
Çmimi i  parë:                          Nexhip Ejupi
Çmimi At Gjergj Fishta:         Elinda Marku
Çmimi  Migjeni:                       Pal Rakaj
 PUBLICISTIKË
Çmimi i  parë:                         Frank Shkreli
Çmimi Faik  Konica:              Gëzim Basha
Çmimi Arshi  Pipa:                 Bahri Brisku
 PROZË
Çmimi i  parë:                        Alfons Grishaj
Çmimi Petro  Marko:           Albana  Lifschin
Çmimi Anton Pashku:         Pal  Ndrecaj
Bahri Brisku fiton cmimin Arshi  Pipa nga Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane.2
 Çmimet e Këshillit Botues:
Çmim të veçantë për shkrimin më të mirë me temën e 100 Vjetorit të  Pavarësisë, iu dha Rakip Babqorrit
Çmimin për librin më të mirë paraqitur dhe promovuar në Komunitetin  Shqiptar të Detroitit, ia dha Nusret Pllanës
Dom Ndue Gjergji, Famulltari i Kishës Zoja Pajtore e  Shqiptarëve i dhuroi botuesit të Kuvendit dhe anëtarëve të jurisë albumin “The  Mother of Charity” punuar nga Don Lush Gjergji dhe librin “Dom Prek Ndrevashaj”  nga Ndrek Ded Guri .
 Moderatorët e programit kishin menduar t’i jepnin një formë të  re aktivitetit. Ndue Gjeka me mikrofon në dorë duke kaluar  në çdo tavolinë, bëri që të pranishmit të thonin mendimin e tyre.
Dhe çdo përshëndetje, çdo mendim, kishte refrenin e  përbashkët: Vlerësim, respekt, mirënjohje Botuesit të Kuvendit, zotit Pjetër  Jaku dhe gjithë stafit të tij.
Në atë sallë të madhërishme që Kuvendi zhvilloi aktivitetin e tij të  përvitshëm, ne gëzuam, kënduam, vallëzuam shqiptarçe ashtu siç na ka hije. Ne  dëgjuam atje krijimtarinë letrare, interpretimin, fjalën e artë poetike  shqiptare.
Takimin regjistroi ACTV telekronisti, mjeshtri Paulin  Palushi.
 Koha e ndarjes me njëri tjetrin është gjithmonë prekëse dhe  emoionante. Ndërsa takohemi, përqafohemi me miqtë, shokët, me ata bashkatdhetarë  të nderuar të atij komuniteti “Faleminderit! J’u lumshin këmbët që na erdhët në  Michigan, na gëzuat…! J’u faleminderit motra dhe vëllezër të nderuar! J’u  faleminderit për mikpritjen vëllazërore që na ofroni. J’u presim edhe ne në New  York…!” me mendjen time përsëris të njëjtën shprehje: U jemi shumë borxhlinj  këtyre njerëzve të mirë e mikpritësa… Do mundemi vallë ndonjëherë t’ua  shpërblejmë atë, që ata bëjnë për ne, për mbarë bashkatdhetarët, për Letërsinë  Shqiptare…! J’u FALEMINDERIT.
Dita e hënë në mëngjes përsëri u gdhi e argjendtë; mjegulla e  kishte mbuluar përsëri Michiganin. Në hotel vjen Elinda për të na takuar. Pas  pak, vjen edhe mjeshtri Paulin Palushi, ku të gjithë së bashku me makinën e tij  nisemi drejt aeroportit DTW për t’u kthyer përsëri në New York. Largësia nga  hoteli në aeroport nuk ndihet fare, përderisa udhëton me një artist të humorit  siç është Paulini.
 Faleminderit organizatorë të nderuar, Ju, që na mblidhni çdo  vit në Michigan për të festuar Ditët e Letërsisë Shqipe, për t’u  gëzuar…
Faleminderit të gjithë ju, miq të nderuar bashkatdhetarë që  jetoni atje, në Michigan; Ju, që na prisni me ngrohtësi, që na dhuroni  dashuri…
Kështu u mbledhshim përherë me njëri tjetrin jo vetëm në  Michigan, por edhe në New York edhe në Connecticut, edhe në Chicago, edhe  në…
Gëzuar dhe për shumë vjetë të  tjera Festën e Madhe e të Lavdishme 100 Vjetorin e Shpalljes së pavarësisë së  Shqipërisë
 Shënim:
Botuesi dhe Editori i Revistës “Kuvendi” u kujtuan të pranishmëve se juria ka porosi të veçantë për të mos i vlerësuar me  çmime stafin e ngushtë të kësaj reviste.
Unë autori i këtij shkrimi, duke qenë për të disatën herë  anëtar jurie në atë aktivitet, edhe pse e njëjta porosi ka qenë edhe në vitet e  kaluara, këtë herë e “theva” porosinë. Insistova në pavarësinë e punës sonë në  vlerësimin e krijimeve letrare në dhënien e çmimeve. Madje u spjegova të  pranishmëve që stafi i Revistës Kuvendi, jo vetëm që nuk ndërhyn në punën e  jurisë, por nuk ka fare dijeni se çfarë vendimi merr juria në dhënien e  çmimeve.
Në punën tonë si juri, ne kemi vlerësuar krijimtarinë letrare  të çdo krijuesi, pa patur parasysh emrin dhe funksionin që ata luajnë në jetën  dhe aktivitetin e komunitetit.
Ky spjegimi im u duartrokit nga të pranishmit, që do të thotë  se pranohet dhe se vlerësimi ishte i drejtë.
www.fjala.info

 

1