“Art Club” boton librin “Dashuri në stinën e qershive” të autorit Asllan Bisha

February 4, 2013   | Kulturë / Kultura

Njoftim për media

Asllan Bisha libri Dashuri ne stinen e qershiveShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Dashuri në stinën e qershive” të autorit Asllan Bisha. Në libër janë përfshirë 29 tregime humoristike dhe 9 anekdota.

Shkrimtari Asllan Bisha ka botuar deri tani disa romane, libra me tregime dhe novela për fëmijë dhe të rritur. Ky libër përbën një sprovë të tij në një fushë të re të krijimtarisë letrare dhe është vijimësi e librit të mëparshëm “Grimca jete dhe anekdota”.

Në parathënien e librit, autori tregon arsyen se pse vendosi të shkruaj këtë libër.

“Jetojmë në një kohë kur brenga na ka kapluar, buzëqeshja na ka ikur nga fytyra e stresi na rëndon shpirtin tonë. I kemi të gjitha, por s’kemi asgjë… Jemi të mërrolur. Prandaj, kemi nevojë për të mundur stresin. Por si? Vendosa të shkruaj tregime humoristike, të cilat shpresoj se do t’ju kthejnë buzëqeshjen, duke mundur të keqen.”

Kryeredaktor i librit është Basri Çapriqi, redaktor Jaho Kollari, recensent Haxhi Shabani, ndërsa lektor Skender Temali.

Libri është shtypur në Shtypshkronjën “Rozafa 1” në Shkodër, kurse botimin e tij e ka mundësuar z. Sabri Gjoni, avokat në SHBA.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese, “Art Club” i cili është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi ka botuar deri tani rreth 85 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

Ulqin, më 04. 02. 2013

SHAI “Art Club”

CV e Asllan Bishës  

asllan-bisha3Asllan Bisha u lind në Lisën të Anës së Malit – Ulqin. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje. Ka mbaruar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Kosovë. Shkruan prozë për të rritur dhe fëmijë.

Ka qenë gazetar, korrespondent i gazetës “Rilindja” të Prishtinës, Radio Titogradit, por edhe i RTV të Kosovës në harkun kohor 2000-2008. Ishte kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Tani është bashkëpunëtor i gazetës “Koha javore” të Podgoricës.

Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Ka punuar mësimdhënës i gjuhës shqipe në Ulqin.

Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” – Ulqin dhe sekretar shumëvjeçar i saj, fitues i Çmimit të këtij klubi për librin “Nusja e detarit”. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në librat shkollorë.

Veprat

“Valët e detit”, tregime për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë, 1986.

“Net peshkimi”, tregime për fëmijë, “Koha”, Titograd, 1988.

“Nusja e detarit”, miniroman dhe novela për të rritur, “Art Club”, Ulqin, 1994.

“Dasma e peshqve”, tregime për fëmijë, “Art Club”, Ulqin, 1996.

“Dashuri buzë Barbanës”, novela për të rritur, “Art Club”, Ulqin, 1998.

“Nusja e detarit”, robotuar nga “Toena”, Tiranë, 2000.

“Dashuri në stinën e verës”, tregime dhe novela për të rritur, “Art Club”, Ulqin, 2000.

“Dashuri te palma”, roman për të rritur, “Art Club”, Ulqin, 2007.

“Frikë dhe dashuri në Barbanë”, roman për të rritur, “Art Club”, Ulqin, 2010.

“Ankthi i pritjes”, përzgjedhje, “Art Club”, Ulqin, 2010.

“Grimca jete dhe anekdota”, “Art Club”, Ulqin, 2011.

“Dashuri në stinën e qershive”, tregime humoristike dhe anekdota, “Art Club”, Ulqin, 2013.