PDIU kundër copëtimit të komunës së Plavë dhe Gucisë

February 4, 2013   | Rajoni / Region

PlavaDeklaratë për media

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kundërshton copëtimin e komunës së Plavë -Gucisë në Mal të Zi

 

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kundërshton vënien në jetë të vendimit të Kuvendit Komunal të Plavë -Gucisë në Mal të Zi që synon ndarjen e kësaj komune dhe krijimin e komunës së Gucisë. Nëse zbatohet ky vendim komuniteti i vogël shqiptar që ka mbijetuar në trojet e veta edhe pas emigracionit dhe asimilimit masiv do të përçahet në dy njësi administrative dhe pesha politike e tij do të minimizohet dramatikisht. Prandaj PDIU shpreh solidaritetin me organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës popullore të datës 1 shkurt të cilët dolën para kuvendit komunal të Plavës për të kundërshtuar copëtimin e komunës Plavë-Guci.

PDIU u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë shqiptarë kudo që ndodhen që të kthejnë vëmendjen tek bashkombasit tanë në krahinën heroike të Plavë-Gucisë dhe të japin mbështetje të pakufizuar që ata të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. PDIU beson se përshpejtimi i hapave për të ndërtuar një rrugë të re të kombit Deçan-Plavë-Guci-Vermosh-Shkodër do i nxjerrë shqiptarët e kësaj krahine nga izolimi njëshekullor, do të sjellë zhvillimin ekonomik dhe do i vërë fre vazhdimit të braktisjes së identitetit kombëtar shqiptar dhe largimit të mëtejshëm prej këtyre trojeve të trungut tonë etnik.

 

PDIU Zyra e shtypit