Konference për shtyp i UDSH-së – Reagim

February 6, 2013   | Lajmet / Vijesti, Politika

UNIONI DEMOKRATIK I SHQIPTARËVE

DEMOKRATSKA UNIJA ALBANACA

THE DEMOCRATIC UNION OF ALBANIANS

Ulcinj – Ulqin , 06.02.2013

tel / fax: + 382 (0)30 412 757

 

Mbas një serie të veprimeve të gabuara në privatizim e burimeve ekonomike të Komunës së Ulqinit, gabime të cilat qytetin e çuan në varfëri (në mbrojtje të kësaj flet fakti që privatizimi në Ulqin la pa punë 3000 punëtorë dhe atë në qytetin prej 20.000 banorëve), siç duket kjo nuk ishte e mjaftueshme por tani nga qyteti kërkohen 10 milion euro shtesë, si kompensim për vendbanimin e rrënuar K1.

Tani me drejt pyesim: Deri kur do të merret nga Ulqini? Kur do të ndalet kjo gjë?

A është ndokush në këtë shtet i cili do ti dal në mbrojtje këtij qytet?

Për hir të vërtetës, K1 nuk e rrënuan ulqinakët, por u rrënua me vendimin e pushtetit të atëhershëm republikan të cilët u frikuan që atë vendbanim do ta banojnë shqiptarët nga Kosova. Nuk ekzistonte ajo gazetë, ditore apo javore,  e cila në atë kohë nuk shkruante për rrezikun e ekzistimit të këtij vendbanim dhe për rrezikun që vjen nga ky vendbanim ( është shkruar për mijëra shqiptar që do të vijnë të jetojnë në Ulqin nga Kosova dhe për të ashtuquajtura plane perfide të irredentës për banimin e Ulqinit).

A duhet qyteti i Ulqinit të paguaj dhe për veprimet politike të gabuara të strukturave udhëheqëse të atëhershme të republikës së Malit të Zi, të cilët në çdo gjë shihnin irredentizmin Shqiptar?! Në atë kohë nuk janë kënaqur vetëm me arrestimin e shqiptarëve dhe me qitjen e tyre nga puna, por në mënyrë euforike u nisën në rrënimin e çdo gjëje që lidhej me Kosovën.

Të gjitha këto mund të kuptoheshin sikur  të ja atribuonim ngjarjeve politike ditore në atë kohë, por kurrsesi nuk mund të pranojmë që për të gjitha këto gabime prapë shqiptarët të paguajnë faturën.  E kanë “gëlltit” Ulqinakët aferën “mushkonja”, kur për 20.000 marka gjermane, Komuna Ulqinit në bazë të vendimit të famshëm të gjykatës pagoi mbi 10 herë më shumë. Kjo nuk do të ishte dhe aq tragjike sikur këtë vendim mos ta pasonin një seri vendimesh të gjykatës të cilët e dëmtuan arkën e Komunës për disa milion euro dhe të gjitha këto ndodhen 20 vitet e fundit. Tani paralajmërohet dhe obligimi prej 10 milion eurosh dhe kur kësaj ja shtojmë dhe ekonomin krejtësisht të shkatërruar, atëherë me të drejtë mund të pyesim, a ka perspektivë për këtë qytet?

Ulqini askujt nuk i ka borxh, aq më pak njëfarë Rekreaturs-it, apo Atlas grupit, prandaj ftojmë të gjitha strukturat politike në Ulqin, që me përpjekjet e përbashkëta ti japim fund grabitjeve të ndryshme të cilat këtë qytet e çojnë drejt humnerës.

Konsiderojmë, që sa më shpejt duhet të thirret mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit lokal të Ulqinit, dhe të sjellim vendime të duhura sepse interesi i qytetit tonë mund të mbrohet vetëm me përpjekje dhe vendime të përbashkëta.

Po ashtu reagojmë në tekstin e botuar në të përditshmen DAN me datën 04.02.2013 me titull – Plani sekret për Shqipërinë e madhe

Edhe pse shqiptarët në Mal të Zi, rrjedhimisht dhe shqiptarët e Plavës me veprimin e vet politik për kush e di satën herë treguan, dëshmuan  dhe thanë një PO të madhe çdo procesi pozitiv në Mal të Zi, dikush vazhdimisht mundohet  të ju atribuoj projekte të ndryshme.

E drejta themelore e çdo qytetari është e drejta e votës dhe zgjedhjes dhe normalisht duke e përdorur këtë të drejt kushtetuese shqiptarët e Komunës së Plavës u përcaktuan dhe treguan mendimin e vet në lidhje me formimin e Komunës së Gucisë.

Pakënaqësinë e vet me këtë projekt shqiptarët e treguan me protestë të qetë dhe demokratike para godinës së Komunës së Plavës, dhe kjo për fat të keq nuk i pëlqej atyre që priten diçka tjetër dhe që me kënaqësi do të na kthenin në të kaluarën e errët.

UDSH përkrah këtë lloj të shprehjes së pakënaqësisë dhe prandaj i përkrah anëtarët e vet dhe të gjithë qytetarët e tjerë që protestuan.

Nuk e kemi ndër mend të shërojmë fiksimet imagjinare të disa personave që çdo ku dhe në çdo vend shohin “rrezik” nga shqiptarët, prandaj dhe ky reagim i yni shkon drejt përkrahjes demokratike të zgjedhjes që bënë shqiptarët nga ato treva dhe vlerësimin e veprimtarisë së deritashme politike të tyre në demokratizimin e Malit të Zi si dhe në promovimin e bashkëjetesës dhe tolerancës.

Dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me propozimin e paralajmëruar të Ministrisë së Shëndetësisë për riorganizimin apo shfuqizimin e Shtëpisë së shëndetit në Ulqin.

Përkundër kërkesave dhe synimeve tona për decentralizimin e pushtetit në Mal të Zi, kësi lloj projektesh apo propozimesh na çojnë kah centralizimi më i madh dhe për këtë arsye për ne janë të papranueshme.

Siç duket, askënd nuk e brengos veçoria etnike dhe gjuhësore e qytetarëve të Ulqinit dhe shtrirja hapësinore e kësaj komunë. Në vend që sot të flasim për fazën e radhës të maternitetit me të cilën materniteti i Ulqinit do të kompletohej me sallën e operacioneve, si dhe me repartet cilësore zonale sidomos në zonën e Anës së Malit dhe Plazhit të Madh, neve sot na parashtrohet heqja e statusit të Shtëpisë së shëndetit në Ulqin dhe na servohet ambulanca zonale. Dikush qëllimisht harron që përveç fakteve të lartpërmendura Ulqini është qytet turistik, që gjatë një viti pret mbi 600 mijë mysafir. Nuk shohim asnjë arsye të mirëfilltë pse duhet të ja ndërrojmë statusin Shtëpisë së shëndetit në Ulqin, prandaj plotësisht jemi dakord me mendimin që efektet pozitive të një mase të tillë do të ishin minimale, ndërsa dëmi maksimal.

Për fund shtrohet pyetja, a do të jetë dhe kur do të jetë Ulqini për diçka QENDËR?!

 

 Unioni Demokratik i Shqiptarëve

  Shërbimi për informim 

9