Propozim i Art Klubit për emërtimin e një rruge “Ali Podrimja” ne Ulqin

February 14, 2013   | Kulturë / Kultura
Shoqata-Art-Club-Ulqin.1

Njoftim për media

 

“Art Club” propozon që një rruge apo sheshi në Ulqin t’i jepet emri i poetit Ali Podrimja

 

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini i ka propozuar Komisionit për Emërtimin e Rrugëve dhe Shesheve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit që një rrugë apo shesh në këtë qytet të mbajë emrin e poetit të njohur shqiptar me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja.
ALI PODRIMJA

Në arsyetimin e këtij propozimi thuhet se Ali Podrimja ishte shumë i lidhur me Ulqinin, të cilin e donte dhe e vizitonte shpesh.

“Ali Podrimja kishte një dashuri të veçantë për Ulqinin dhe ishte mysafir i rregullt i ngjarjeve kulturore që i organizonte Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve ‘Art Club’, posaçërisht i manifestimit letrar ‘Kalimera Poetike’”, thekson propozimi.

Po ashtu, përmendet kontributi i jashtëzakonshëm që ka dhënë poeti Ali Podrimja në ideimin e disa veprimtarive letrare në Ulqin, por edhe në zbulimin dhe afirmimin e poetëve dhe krijuesve nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Ai e adhuronte detin, valët dhe Kalanë e lashtë, për çka Ulqinin e cilësonte si ‘cepin më të bukur të Shqiptarisë’. Prania e vazhdueshme e Podrimjes në Ulqin dhe shkrimet e tij në mediet e këtushme ngjallën frymën e krenarisë dhe të qëndresës së shqiptarëve në Mal të Zi”, thuhet më tej në propozim.

Poeti Ali Podrimja vdiq në korrik të vitit të kaluar. Ai ishte zhdukur gjatë kohës së mbajtjes së festivalit të poezisë “Zëri i Mesdheut” në qytetin Lodeve të Francës. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, u gjet trupi i pajetë i shkrimtarit.

 

 

 

Ulqin, më 14. 02. 2013

   SHAI “Art Club”