Hendbollistët e Prishtinës të kënaqur me përgatitjet në Ulqin

February 15, 2013   | Sporti / Sport

hendbollprishtinaSelmanaj: Na duhen më shumë ndeshje kontrolluese

Baki Berisha

Ekspedita e hendbollistëve të Prishtinës, tashmë është kthyer nga Ulqini, ku ka kryer një pjesë të fazës përgatitore për vazhdimin e kampionatit, ku i pret betejë e vështirë për ta ruajtur jo vetëm pozitën e liderit, por edhe për të mbetur skuadër e vetëm që nuk di se çka është humbja.

“ Jam shumë i kënaqur me përgatitjet që për dhjetë ditë i kryem në Ulqin, ku kryesisht kemi punuar për qëndrueshmërinë fizike, por kemi shfrytëzuar rastin që të zhvillojmë edhe tri ndeshje kontrolluese, në të cilat kemi shënuar fitore dhe kemi treguar paraqitje solide. Me përjashtim të Shqipe Kërtokut, e cila ka munguar me arsye, të gjitha hendbollistet tjera kanë qenë të pranishme në përgatitje dhe kjo është mirë, ndërkohë që edhe dy përforcimet, Burneta Rama e Blerina Haxha janë adaptuar mjaft mirë në skuadër dhe nuk ka problem në këtë aspekt”, thekson trajneri i Prishtinës, Imer Selmanja, i kënaqur edhe me angazhimin e hendbollistëve.

Prishtina në dy ndeshjet e para në Ulqin, ka mposhtur dy skuadrat nikshiqase, Sutjeskën dhe Nikshiqin, kurse në ndeshjen e tretë mposhti Goricën nga Podgorica, me rezultat 37:30. Selmanaj shpreson se edhe pas kthimit në kryeqytet, skuadra to të ketë mundësi të zhvillojë edhe ndeshje tjera miqësore, madje edhe me skuadra të Maqedonisë, pasi Prishtinës i duhen rivalë më të fortë, në mënyrë që ta shohë veten se ku qëndron me cilësi krahas skuadrave të rajonit, pasi në hendbollin kosovar ka kohë që përveç Kastriotit nuk ka rival të denjë.

Kur është fjala te Kastrioti, Selmanaj e ka të qartë se kjo skuadër është përforcuar dhe se Prishtina nuk do ta ketë lehtë ta mposhtë që në nismë të stinorit pranveror. “ Kastrioti edhe pa përforcime ka pasur skuadër të mirë me disa hendbolliste të huaja, kurse tash është edhe më e fortë. Megjithatë, ne do të mundohemi që edhe në pjesën e dytë të kampionatit ta vazhdojmë serinë e fitoreve dhe në fund të edicionit të shpallemi kampion si dhe ta mbrojmë trofeun e Kupës së Kosovës”, thotë Imer Selmanaj.

 

Burimi: Zëri