Trepça anulon Ulqinin, presin përforcimin

February 15, 2013   | Sporti / Sport

basketboll trepcaKampioni dhe fituesi i Kupës në basketboll, Trepça, me ndërrimin e shtabit teknik, respektivisht trajnerit, ka ndërruar edhe planin e përgatitjeve. Para se të largohej finlandezi Mika Turunen xehetarët kishin planifikuar që këto ditë të udhëtonin për në Ulqin për të kryer fazën përgatitore mirëpo me ardhjen e Panche Milevksit ky plan është anuluar.

Milevski ka kërkuar më shumë ndeshje miqësore dhe nuk e ka parë të arsyeshme udhëtimin në Ulqin për fazën përgatitore.

“Udhëtimi në Ulqin është anuluar me kërkesën e trajnerit të ri Milevski i cili ka kërkuar nga kryesia më shumë ndeshje miqësore”, ka thënë menaxheri i skuadrës, Lenard Vidishiqi. Si rezultat i kësaj xehetarët nesër do të udhëtojnë për në Tiranë ku do zhvillojnë një ndeshje miqësore atje.

“Nesër do të udhëtojmë për në Tiranë për të zhvilluar një takim miqësor me “Shoqata Tirana” ku edhe do të flemë një natë. Të nesërmen do të ndalemi në Shkodër për të zhvilluar një takim me Vllazninë. Këto dy takime janë të sigurta ndërsa mendojmë që nga Shkodra të shkojmë edhe në Ulqin për të zhvilluar një takim të tretë me Ulqinin”, ka shtuar Vidishiqi.

Ndërkohë me largimin e amerikanit Roonie Kinney, xehetarët kanë mbetur përsëri me vetëm dy basketbollistë të huaj. Mirëpo jo për shumë kohë pasi që i treti pritet të arrijë së shpejti.

“Jemi në bisedime me katër basketbollistë të huaj të pozitës 2 dhe 3. Besoj që nëse jo sot, atëherë nesër do të kemi një emër konkret. Sidoqoftë e sigurt është që Trepça do të luajë me tre basketbollistë të huaj këtë stinor”, ka thënë Vidishiqi.

Ndërkohë faqja e KB Trepçës në Facebook ka bërë të ditur se përforcimi i ri është një nigerian dhe sipas tyre shumë cilësor. Kampioni në fuqi synon që edhe sivjet të mbrojë titullin.

“Synojmë pozitën e tretë e më pas të arrijmë të shpallemi kampion. Ky është qëllimi ynë për këtë stinor”, ka përfunduar menaxheri Lenard Vidishiqi.

 

Burimi: Zeri