Në Festivalin e VIII të këngës për fëmijë – fituese Hafize Lamoja

February 18, 2013   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Hafize Lamoja

Çmimi i Parë për Hafize Lamon

Fituese e edicionit të 8-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Ulqini 2013”, i cili u mbajt të shtunën në pallatin e Qendrës Kulturore të Ulqinit, është këngëtarja e re nga Ulqini, Hafize Lamoja. Kënga e saj “Fluturoj si shqipe”, me tekst të Cani Lazos, ndërsa muzikë dhe orkestrim të Sefer Hajrullahut, u vlerësua me Çmimin e Parë nga juria e Festivalit në përbërje Ali Salaj, publicist dhe kritik arti, Gjylije Pelinku, studente e solokëndimit në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Hysejn Hasanaga, muzikant. Në edicionin e vitit të kaluar të këtij festivali, Hafize Lamoja ka fituar Çmimin për interpretimin më të mirë. Çmimi për vendin e dytë i ka takuar këngëtares nga Shkodra, Niki Mjeda, për këngën “Një lahutë e një flamur”, me tekst të Alfred Çapalikut, kurse muzikë dhe orkestrim të Zef Çobës, ndërsa Çmimi për vendin e tretë këngëtarit Rron Morina nga Gjakova, për këngën “Rrena autogol”, me tekst të Jorgo Papingjit, ndërsa me muzikë dhe orkestrim të Roland Gulit. Përveç çmimeve për tre vendet e para, në edicionin e sivjetshëm janë ndarë edhe katër çmime të tjera. Kështu Çmimin për interpretimin më të mirë e fitoi Dorina Çoba për këngën “Mami, babi”, Çmimin për tekstin më të mirë kënga “Fluturo si flutur”, me tekst të Anton Lulgjurajt dhe e kënduar nga Arta Lamoja, Çmimi për komponimin më të mirë kënga “Zhurka pod maskama” e kompozuar nga Islam Axhemi, kurse e interpretuar nga dueti Aleksandra Pepgjonoviq – Anastasija Dragoviq, si dhe Çmimi Special “Fiqiri Hasanaga” iu nda vogëlushes Emi Milla. Organizatori ka ndarë po ashtu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit e Festivalit. Për dallim prej viteve të tjera kur Festivali mbahej dy net, edicioni i këtij viti zgjati vetëm një natë, gjë që nga organizatori u arsyetua me mungesën e mjeteve financiare. Në festival kanë konkurruar 20 këngë të fëmijëve nga Ulqini, Shkodra, Gjakova dhe Prishtina. Festivali i Këngës për Fëmijë “Ulqini 2013” u organizua nga Qendra Kulturore e Ulqinit, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Organizatës Turistike të Ulqinit.

(Kohapress)