Reagimi i Dritan Abazit: E njohim

March 6, 2013   | Lajmet / Vijesti, Politika

 DritanAbazoviq

E njohim

Është e pamundur si politikanët gjatë fushatës parazgjedhore harrojnë realitetin dhe e tregojnë atë ashtu siç në fakt nuk është. Kohë më parë dikush tha që më të rrezikshme janë gjysmë të vërtetat, gjysmë idetë dhe gjysmë njerëzit. Kështu dje, për shembull, kishim rastin të dëgjojmë një gjysmë të vërtet kur kandidati për kryetar të Malit të Zi për herë të tretë, z. Fillip Vujanoviq, tha që në Ulqin janë investuar mbi  40 milion euro në pesë vitet e fundit!? Ndoshta i ndikuar nga euforia e madhe që mbizotëronte në qytet me rastin e vizitës së tij harroj që ai dhe partia e tij janë në pushtet tash 24 vite të plota, kështu që edhe para këtyre pesë vite të fundit që i përmendi, ai në këtë vend ishte edhe kryetar, edhe kryeministër, edhe ministër i policisë, edhe ministër i drejtësisë!

Asgjë nuk do të ishte e çuditshme sikur Vujanoviqi të thoshte që Qeveria ka investuar atë çka investoi, por absolutisht ajo shumë nuk është aq sa ai tha. Nga ana tjetër, ajo me vite ka rrënuar Ulqinin dhe potencialet e tija, kështu që dëmi është shumë më i madh nga investimet për të cilat foli kandidati për kryetar. Është ndërtuar ura, por është rrënuar simboli jonë, Galebi, dhe disa hotele tjerë, është ndërtuar deponia, por është shitur dhe shkatërruar Kriporja, është ndërtuar faza e parë e rrugës së thjesht me dy korsi drejt Sukubinës,  por Të Mirat Detare kanë robëruar praktikisht çdo gjë që vlen në këtë qytet, nuk është kthyer Valdanosi, përkundrazi parashihet për të kush e di satën herë të shitet ky gji përrallor, nuk ka kapacitete të reja banimi, dhe Komuna më e pasur me resurse në bregdet në fakt është Komuna më e varfër !? Dhe të gjitha këto fal qeverisjes së mirë për të cilën foli z. Vujanoviq.

Por, asgjë e papritur nga z. Vujanoviq, ne e njohim! Me siguri u inspirua dhe frymëzua kur “respektuesit” lokal i thanë që në Ulqin ai do të fitoj më së shumti vota. Ndoshta dhe do ti marrë, i gëzoftë, mirëpo mos të mendoj që të gjithë njerëzit këtu janë aq naiv siç ju duket pushtet mbajtësve nga Podgorica. Është e vërtet që Ulqini në 24 vitet e fundit ka rënë materialisht dhe moralisht, por edhe rënia është fluturim, vetëm nëse ajo kuptohet. Do të niset Ulqini prapë përpara, për këtë gjë nuk ka as dyshim dhe as dilemë, por vetëm mbasi që kjo qeveri dhe ky lloj pushteti të shkoj në opozitë, dhe deklaratat e ngjashme do të trajtohen në rubrikën “besoni apo jo”. Duke pasur parasysh që Vujanoviqi është i qasshëm si njeri dhe si burrë shteti, është e pritshme që këtë reagim tonin ta kuptoj si qëllimmirë, dhe nëse prapë ulet në të njëjtën karrigë, ta ndryshoj marrëdhënien reale ndaj këtij qyteti dhe ndaj qytetarëve të tij.