UDSH-ja reagon në shkarkimin nga puna të punëtorëve

March 15, 2013   | Politika

UNIONI-DEMOKRATIK-I-SHQIPTAREVE-NE-MAL-TE-ZIBreshëri shkarkimesh nga puna, punëtorët qiten në rrugë ndërsa përgjegjësit bëhen si “francez”!

Edhe pse UDSH para dhe gjatë fushatës për zgjedhje parlamentare vazhdimisht ka paralajmëruar për fenomenin e çuditshëm të punësimeve brenda natës, askush nga pushtetarët lokal nuk e pa të arsyeshme që të paktën ti mendoj pasojat që vijnë mbas këtyre veprimeve të pamenduara dhe papërgjegjëse.

Njerëzit janë punësuar pa asnjë lloj kriteri (i ashtuquajturi punësimi ad hoc), vetëm për një interes, me çdo kusht të fitohen zgjedhjet dhe që të arrihet kjo, qëllimi e arsyeton mjetin!

Mungesa e parimeve, njerëzore dhe politike, e mbi të gjitha papërgjegjësia, i shtyu të mos mendojnë për pasojat, apo, nuk kanë menduar çka pas kësaj.

Veprimet e pandërgjegjshme të ashtuquajturve bamirës na sollën deri në atë pikë që tani përveç shumë të tjera kemi edhe një problem tjetër social.

100 persona mbesin pa punë, përgjegjësit fikin telefonat apo thjesht nuk gjinden askund. Përnjëherë, askush nuk di asgjë dhe për të gjithë kjo është risi, dhe këtu e kemi fjalën për Këshillin Drejtues të ndërmarrjes, ish drejtorin dhe atë që është sot në atë rol, të gjithë brenda natës u bënë “francez”. Edhe pse Ndërmarrja e ujësjellësit ka qëndruar financiarisht keq dhe me vështirësi ka mbuluar pagat mujore punëtorëve ekzistues, ato punësuan pa asnjë kriter, gjoja për tu ndihmuar njerëzve  edhe pse e dinin që kjo është e paqëndrueshme. Rezultati i gjithë kësaj është 3 milion euro borxhe për një vit.

Duhet të jesh artist i paditurisë dhe i paaftësisë që të arrish një gjë të tillë!

Mos ndoshta po realizohet shakaja e hidhur parazgjedhore, e thënë nga punëdhënësi, e cila thotë: “marrëveshja ishte të ju punësoj dhe jo t’u jap rrogat”!

Dëmi është bërë, njëqind njerëz mbeten pa punë dhe me njëqind e pesëdhjetë të tjerë që janë akoma në marrëdhënie pune tetë (8) muaj nuk kanë marrë rrogën! Pushteti lokal si i vetmi përgjegjës për situatën e krijuar duhet ti dal në ndihmë këtyre njerëzve që u dëmtuan rëndë. Thërrasim kryetarin e komunës së Ulqinit dhe të gjithë pjesëtarët e pushtetit lokal të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë mënyrën si të korrigjohet padrejtësia ndaj këtyre njerëzve.  Për papërgjegjësi nuk ka vend, njerëzit brenda natës kanë mbet pa punë, jo një por njëqind, Ndërmarrja e ujësjellësit është para kolapsit dhe të gjithë vuajmë pasojat e kësaj situate.

Në fund, ndaluni së qeni “”francez” dhe zgjidheni problemin për të cilin vetëm ju jeni fajtor!

 

 

Shërbimi për informim i UDSH-së