Hajrullah Koliqi: Portret i intelektualit Simë Dobreci

March 16, 2013   | Opinione

Sime-Dobreci-fotoPortret i intelektualit Simë Dobreci – Pinjolli atdhedashës i Gjon Buzukut

Nga Prof. dr. Hajrullah Koliqi

Lexoj revistën “Buzuku” dhe menjëherë “fluturoj” në: Shestan, Brisk dhe në fshatra të tjera të Krajës, në Ulqin, Tivar, Shkodër…Udhëtoj në kohë, në shekuj. Kujtoj dhe bashkëjetoj me: zanat e Rumisë, baladat, këngët, vallet, historinë, krajatat, me fate njerëzish të Nënrumisë, me gjuhën arbërishte, me Gjon Buzukun… Atje edhe drurët dhe gurët sikur rrëfejnë diçka.

Zërat e tyre gjëmojnë qysh prej shekujsh që ikën. Futem thellë në rrënjët e të parëve të mi, në Krajën e Shkodrës, në këtë rezervat vlerash të mëdha shpirtërore, të cilat sot janë në rrezik nga “dhëmbi” i kohës, nga injoranca dhe tjetërsimi i njerëzve, nga vështirësitë e jetës, ashtu siç ishte në rrezik shpirti dhe ideali i Buzukut në shek. XVI.

Shestani, Ljarja dhe fshatrat tjerë të Anës së Sipërme të Krajës u boshatisën, u tjetërsua identiteti etnik i shumë bijëve dhe bijave tyre. Frikshëm dhe me shpejtësi u zvogëlua dhe po zvogëlohet edhe numri i banorëve të Anës së Poshtme. Por, edhe në këto rrethana, ka njerëz të këtyre anëve që përpiqen t’i ruajnë vlerat dhe shpirtin e brezave të shkuar, ta ruajnë idealin e shqiptarizmës, nëpërmjet të ndriçimit dhe afirmimit të vlarave dhe modelit frymëzues të të parëve. Atë e mbajnë të gjallë pinjollët e tij, ndër të cilët shquhet intelektuali dhe shkencëtari atdhetar me rrënjë nga Dobreci (Ljare) i kontëve të Junkajve, prof. dr. Simë Dobreci.

Simë Dobreci (lindur më 1934, në Braticë të Ulqinit), mjek i shquar dhe i nderuar në Tivar, Ulqin dhe në Prishtinë, doktor i shkencave të mjekësisë, profesor universiteti, autor tekstesh universitare dhe studimesh shkencore- profesionale, tani i pensionuar, sikur të kujton Gjon Buzukun, idealin dhe përpjekjet e tij. Ndoshta edhe rrënjët i kanë të përbashkëta Në këto anë, Doktor Sima është një majemali e lartë, e bardhë si bora e Rumisë. Trashëgoi dhe kultivoi, gjatë gjithë jetës, dashuri të veçantë për vendin dhe për kombin e vet. Emrin e ka Shqiptar, mbiemrin Njeri. Është shqiptar i mirëfilltë dhe altruist i madh, gjithnjë në shërbim të njerëzve, pa asnjë dallim. Është fisnik dhe zemërbardhë. Nuk e ndanë fjalën nga vepra.

Vizite-nga-Ulqini-Mesharit-të-Gjon-Buzukut.2
Por, Doktor Simës i dhemb shpirti i tij prej atdhetari, i dhemb shpirti për fatin e trevave stërgjyshore, për gjakun dhe gjymtyrët e shprishura të bijve dhe bijave të Nënrumisë. Megjithatë, ashtu si Buzuku shekuj më parë, ai nuk pajtohet me këtë gjendje, me përshkrimin dhe me “vajtimin” e saj. Simë Dobreci është krenar për të parët e tij dhe ka shpresa për të ardhmen. Ka kohë që përpiqet të bëjë diçka me vlerë për brezat e kaluar, për brezin tonë dhe për brezat që do vijnë. Ndonëse me një peshë moshe mbi supe, Doktor Sima, pa ndjer lodhje dhe pa përfilluar asnjë pengesë, ashtu si rilindës i vërtetë, qëmtoi dhe qëmton me akribi dhe me përkushtim për admirim vlera, fakte, ngjarje, personalitete…, sidomos nga e kaluara e Anëssë Sipërme. I evidentoi ato me besnikëri e me korrektesë metodologjike dhe i publikoi në revistën “Buzuku”, në gjuhën e burimit të tyre. Kur lexon njeriu materialet e tilla të kësaj reviste, natyrshëm të duket sikur je duke biseduar me Gjon Buzukun, apo me tezën Tone! Të gjitha ato i shoqëroi dhe diokumentoi me të dhëna të nevojshme për burimet e tyre përkatëse. Doktor Sima, i mbështetur nga bashkëshortja e tij fisnike, zonja Lule, dhe me ndihmën e vullnetmirëve të tjerë, përpiqet me të gjitha forcat dhe me mundësitë që ka në dispozicion të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga pluhuri i harresës, të ringjallë atë që mund të ringjallet. Shumë nga përmbajtjet dhe ilustrimet e kësaj reviste të kujtojnë Krajën, sidomos Shestanin dhe shestanasit e hershëm, të shquar për vlera e vërtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, pasardhësit e të cilëve, dheut dhe varreve të të parëve, fatkeqësisht, u lanë lamtumirën. O Zot, Shestani-pa shestanas! Kanë marrë botën në sy!

Koleksioni i 38 numrave të revistës “Buzuku”, të botuar deri sot, është një burim shumë i çmuar, jo vetëm për kujtesën atërore dhe kombëtare, por edhe për studuesit e gjuhës, historisë, etnografisë, folklorit etj., si të këtyre anëve, ashtu edhe në shkallë kombëtare. Koleksioni i revistës “Buzuku” është një “përmendore” e të parëve, por edhe një “arkivë” shumë e çmuar, njëkohësisht.

Doktor Sima është pjesëmarrës aktiv edhe në aktivitete të tjera shoqërore, shkencore dhe kulturore, që lidhen me Shestanin, Krajën, Anën e Malit, Ulqinin, Tivarin etj., me të tashmen dhe me të kaluarën e tyre. I vogël me trup, por i madh me shpirt dhe me vepër, Simë Dobreci, ky pinjoll dinjitoz i Gjon Buzukut dhe i të parëve të tij, është model për t’u ndjekur nga intelektualët dhe veprimtarët tjerë të këtyre trevave të Arbërisë etnike dhe më gjerë. Personaliteti dhe vepra e prof. dr. Simë Dobrecit të bëjnë të mendosh se këto treva, në të gjitha kohërat, kanë patur dhe do të kenë bijë dhe bija që e duan dhe punojnë për mëmetin, gjuhën, kulturën dhe Atdheun e vet. Ndonëse, shpesh eremitë, ata janë njerëz me dinjitet dhe me integritet shembullor, ashtu siç është edhe prof. dr. Simë Dobreci.

Koha Javore