Vujanoviq: Nuk ka President pa mbështetjen e popujve pakicë + Foto

March 17, 2013   | Ngjarjet - Events

FilipVujanoviq ne Ulqin“Dëshiroj të falënderoj miqtë e mi shqiptarë që më mbështesin. Me respekt e përjetoj këtë  mbështetje, ndërsa vlerësoj lart mbështetjen që më japin partitë shqiptare. Këtë e përjetoj  si mirënjohje për politikën shtetërore që kam udhëhequr”, ka theksuar Vujanoviq. 

Presidenti aktual i Malit të Zi dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve për president të ardhshëm, Filip Vujanoviq, ka zhvilluar tubime promovuese në Ostros, Katërkollë dhe Ulqin, ku ka marrë mbështetjen e partive më të mëdha shqiptare.
Në tubimin e mbajtur në Ulqin, ai ka thënë se nuk mund të ketë President të Malit të Zi nëse ai nuk e ka mbështetjen e popujve pakicë. “Jam tejet i kënaqur sepse kam mbështetjen e partive të popujve pakicë. Nuk mund të ketë President të Malit të Zi nëse nuk janë me të popujt pakicë”, ka thënë Vujanoviq. Ai ka theksuar se përkrahjen e partive të popujve pakicë e përjeton si mirënjohje për politikën e ndjekur ndaj popujve pakicë dhe vendeve fqinje. “Edhe në mandatin e ardhshëm do të vazhdoj të ndjekë të njëjtën politikë”, ka thënë Vujanoviq.
Ai ka thënë se ka qenë President i të gjithë qytetarëve dhe se kështu do të veprojë edhe në mandatin e ardhshëm presidencial. Vujanoviq ka deklaruar se është angazhuar gjithmonë për vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit dhe miqësisë me të gjithë fqinjët, duke shtuar se ka promovuar nevojën e bashkëpunimit ekomik, kulturor dhe shkencor të Malit të Zi dhe Shqipërisë, në interesin më të mirë të dy shteteve.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike dhe i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, i ka ftuar anëtarët dhe simpatizuesit e kësaj force politike që të mbështesin Vujanoviqin në zgjedhjet presidenciale. “Qeverisë stabile të Malit të Zi, në të cilën marrin pjesë përfaqësuesit e të gjithë popujve pakicë, i nevojitet Presidenti i shtetit që do të jetë garant i zhvillimit të Malit të Zi demokratik. Për këtë arsye më 7 prill do të mbështesim Vujanoviqin për President të Malit të Zi”, ka theksuar ai.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Met Gjoni, ka thënë se kjo parti e përkrah Vujanoviqin në zgjedhjet presidenciale sepse ai nuk është vetëm kandidat i PDS-së, por i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Ai ka përkujtuar se Vujanoviq ka qenë i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Mal të Zi në kohët më të vështira. Kryetari i UDSH-së, Mehmet Zenka, i ka ftuar votuesit e kësaj partie që të mbështesin Vujanoviqin në zgjedhjet presidenciale, sepse sipas tij, kandidati i PDS-së është vërtet njeri i popullit. “Shqiptarët dëshirojnë dhe duan t’i besojnë Vujanoviqit. Lekiq nuk përbën opsion politik për shqiptarët, por Vujanoviq dhe Gjukanoviq.
Në zgjedhjet presidenciale para pesë vjetësh e kemi përkrahur Vujanoviqin dhe e garantoj se edhe tani do të ketë mbështetjen e plotë të UDSH-së”, ka theksuar ai. Në tubimin promovues në Katërkollë, kandidati për President të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka thënë se pakicat shërbejnë si urë bashkëpunimi ndërmjet vendeve. Ai ka thënë se gjithmonë ka udhëhequr politikën e afirmimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, kufijve të hapur, dialogut, respektimit të pakicave si ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve. “Dëshiroj që edhe këtu të falënderoj miqtë e mi shqiptarë që më mbështesin. Me respekt e përjetoj këtë mbështetje, ndërsa vlerësoj lart mbështetjen që më japin partitë shqiptare.
Këtë e përjetoj si mirënjohje për politikën shtetërore që kam udhëhequr”, ka theksuar Vujanoviq. Në tubimin promovues në Ostros, Vujanoviq ka thënë se shqiptarët në Mal të Zi duhet të ndjehen si në shtëpinë e tyre, sepse ajo është shtëpia e tyre. Ai ka përkujtuar se më parë kufiri ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë është kaluar me vizë, gjë e cila nuk ekziston më, sepse vizat tashmë janë hequr. “Kjo është ajo lloj marrëdhënieje që na duhet me Shqipërinë. Marrëdhënie e miqësisë, partneritetit dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.
Në tubimet promovuese në Ulqin, Katërkollë dhe Ostros, qytetarëve u janë drejtuar edhe përfaqësues të PDS-së dhe partive të tjera.

(Kohapress)
YouTube Preview Image