Intervistë me Adrian Lulgjuraj – Video Tv Boin

March 27, 2013   | Intervista / Intervju

Intervistë me Adrian LulgjurajIntervistë Ekskluzive: Parashikimet për Eurovizion janë relative

Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me këngëtarin Adrian Lulgjuraj

Kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Seiko ka dalë fituese e edicionit të 51-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Këngëtari ulqinak dhe kitaristi i famshëm shqiptar kanë triumfuar në natën finale të festivalit dhe në këtë mënyrë kanë fituar të drejtën ta prezantojnë Shqipërinë në Festivalin e ardhshëm Evropian, i cili do të mbahet më 14, 16 dhe 18 maj të këtij viti në Malme të Suedisë.Adrian Lulgjuraj të shtunën këndoi për herë të parë në Tetovë në hapjen solemne të  marketit “Prince 2” dhe me ndërmjetësimin e Produksionit Muzikor ‘DEA” arritëm ta bëjmë një bisedë ekskluzive për “Zhurnal Plus”

“Zhurnal plus”: Si shkojnë përgatitjet për Eurovizionin 2013?

Adrian Lulgjuraj: Sa u përket përgatitjeve, në fakt gjysma e punës është përfunduar, për të mos thënë më shumë se gjysma. Kënga është regjistruar në Suedi, aty ku edhe e kishim në plan. Doli shumë mirë.Tani jemi në fazën përfundimtare të incizimit të videoklipit. Faza e parë përfundoi para një jave. Këto ditë do bëhet edhe pjesa e dytë dhe pastaj do bëhet montimi dhe shumë shpejt do plasohet videoklipi me gjithë këngën.

“Zhurnal plus”: Do plasohet në faqen zyrtare të Euroizionit?

Adrian Lulgjuraj: Do plasohet nëpër televizionet e ndryshme lokale, regjionale, kombëtare , ballkanike etj. dhe në faqen zyrtare të Eurovizionit. Sigurisht e presin me interesim, sepse kemi paralajmëruar për disa ndryshime.Tema ka mbetur e njëjtë, mirëpo ka disa ndërrime në aranzhman, kënga është shkurtuar, duke e pasur parasysh se ajo në festival ka qenë 4 minuta e dhjetë sekonda, tani është diku fiks 3 minuta.

“Zhurnal plus”: Do këndohet edhe në anglisht apo?

Adrian Lulgjuraj: Jo. Vetë fakti që kënga e ka titullin “Identitet” , e kemi për detyrë që ta këndojmë vetëm në shqip. Shpresoj që të na mirëkuptojnë dhe ta mirëpresin edhe fansat e Eurovizionit, që mos ta keqkuptojnë pse nuk është kënduar në anglisht, se është një arsye dhe arsye e vetme është se prezanton identitetin shqiptar dhe është bukur të prezantohet në gjuhën shqipe.

“Zhurnal plus”: Çfarë parashikimesh keni për fatin e këngës? Çfarë plasimi mund të ketë? Çka prisni ju? A do ketë ndikimin e tij edhe marketingu që do t`i bëhet këngës?

Adrian Lulgjuraj: Sigursht që edhe gjithë ky marketing që pritet të bëhet, pastaj lobimi nga ekipi shqiptar i Eurovizionit duhet të ketë ndikimin e tij. Parashikimet janë relative. Ndjek reagimet e njerëzve në Youtube, ka njerëz që e pëlqejnë, ka të tjerë që e kritikojnë. Janë shumë relative këto mendime. Lexova edhe para disa ditëve për sondazhet që bëhen dhe ku Shqipëria renditej e fundit ose e parafundit, të cilën nuk e marrë për bazë sepse si mundet që kënga e përfaqësuesit të Serbisë të jetë e gjashta, kur ajo ende nuk është publikuar. Nuk pres shumë nga këto komente, po nga performanca që do bëjmë në gjysmëfinale. Nga ajo varet a do të kalojmë në finale. Nëse kalojmë në finale, që shpresoj shumë të ndodh, atëherë jam i bindur se kjo këngë do jetë njëra nga këngët favorite, sepse është një këngë shumë energjike dhe do ta pëlqejnë njerëzit.

“Zhurnal plus”: Zakonisht prezantimet bëhen në fillim të bisedës, po kësaj radhe po jua kërkojmë në fund të saj. Duam një portret tuajin drejtpërdrejt nga ju!

Adrian Lulgjuraj:  Jam Adriani dhe vij nga qyteti i Ulqinit. Studimet për për Jurispudencë i kam mbaruar para 6-7 vitesh në Prishtinë. Pasi u punësova në Gjykatën e Ulqinit si jurist fillova që të merresha edhe me muzikë.Pra,kam filluar shumë vonë të merrem me muzikë. Unë muzikën e mora si hobi, si një pjesë ku unë të mbush veten dhe dëshirën për të kënduar.Pastaj,me kalimin e kohës kjo dëshirë u shtua, sepse filluan të më  kërkonin nëpër klube të ndryshme të natës dhe unë isha vetëm si këngëtar klubesh. Ndërkohë,kur publikova këngët e mia në Top Fest dhe kur në “Top Fest 9” mora edhe Çmimin “Best Male”, ndikoi definitivisht tek unë që të ndërmarrë ndonjë hap më shumë në karrierën time muzikore. Kur Bledar Sejko, të cilin e kam edhe shok, më ofroi që të bëjmë një duet,pa e dëgjuar këngën unë e pranova ftesën, ndërkohë që kur e dëgjova u binda më shumë që nuk kisha gabuar  dhe ajo doli  shumë më mirë se sa ç`e prisnim. Fituam Festivalin 51- të të Këngës në RTSH, që as nuk e prisja, mirëpo nganjëhherë kur pret pak edhe fiton shumë.Tani janë përgatitjet e Eurovizionit. Shpresojmë që t`i përfaqësojmë sa më denjësisht shqiptarët.

(Intervistoi: E. Neziri)
Zhurnal Plus