LD në MZ: Thirrje shqiptarëve për votime që të vendosin vet

April 4, 2013   | Politika

Lidhja-Demokratike-ne-mal-te-ZiLidhja Demokratike në Mal të Zi

KUMTESË 

Me rastin e zgjedhjeve për kryetar të Malit të Zi

 

                                                                                Tuz, 04. 04. 2013

 

Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve për Kryetar të Malit të Zi, megjithëse LD në MZ, si njëra nga partnerët e Koalicionit Shqiptar Zgjedhor e Parlamentar, nuk kemi  qenë të ftuar në konsultime, të cilat janë më tepër protokolare e formale, nga ana e Kryetarit të Malit të Zi, zotni Filip Vujanoviq, për arsye që ai di, ne kemi thënë publikisht që për LD në MZ, gjegjësisht, për shqiptarët në Malin e Zi është me rëndësi që kandidatët për kryetar, nëse duan të llogarisin në zgjedhësit shqiptarë, po edhe të tjerët, më së pari  duhet që publikut të gjerë, zgjedhësve dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, madje edhe institucioneve ndërkombëtare, t’ju prezentojnë programin e vet zgjedhor, qëndrimin e tyre se për çka do të angazhohen në mandatin e ardhshëm, nëse fitojnë. Cilët janë prioritetet e tyre, prioritetet për të siguruar  l i r i n ë, raportin ndaj popujve pakicë, konkretisht në lidhje me çështjen shqiptare në Malin e Zi, e cila ende është e hapur, për shkak të mungesës së vullnetit politik të shumicës qeverisëse, por edhe të opozitës, për zhvillimin duke treguar qartë në vepër angazhimin e qeverisjes shtetërore që të ndalë shfrytëzimin e pasurive në trojet etnike ku shqiptarët jetojnë me shekuj, rishqyrtimin e të ashtuquajturave privatizime të deritashme, të cilat janë bërë jo vetëm pre plaçke e oligarkisë sunduese, por mjeti kryesor dhe qëllim i një politike kolonizuese, okupuese e eksploatuese. Rasti me Kryporen e Ulqinit, Hotelierinë, pastaj me »parqet nacionale«, si ai i liqenit të Shkodrës, »Prokletije« në Plavë etj.

Konkretisht, për çështjen shqiptare,  sot në Malin e Zi, për përmbushjen e parakushteve ligjore dhe të tjera, bazës demokratike dhe materiale për realizimin e të drejtave të tyre, përmbushjen e obligimeve ndaj shqiptarëve. Pra, nuk flasim për premtime por për obligimet, sikur është rasti i realizimit, formimit të komunës së Tuzit / Malësisë me të drejta të plota, në kufijtë natyrorë, decentralizimi i pushtetit dhe kthimin e ingjerencave vetëqeverisjes lokale, realizimin e të drejtave natyrore, historike, nacionale dhe atyre të arritura, të cilat po na mohohen. Konkretisht me Ligjin Zgjedhor, ku shumica e bashkuar malazeze serbe pravosllave në Kuvend në vitin 2011 aprovoi ligjin diskriminues, antikushtetues, megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve legjitim shqiptarë, të cilët e lëshuan Kuvendin në shenj proteste,  pakënaqësie e revolte, të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe në adninistratë në nivelin shtetëror dhe lokal, ku shqiptarët janë autokton. Kthimin e pasurisë të marrë nga pushteti komunist apo edhe pas, me cilëndo bazë, si është rasti me Valdanosin, pyjet, pasurinë fisnore, »të këqijat  detare«, çlirimin e ishujve  në liqenin e Shkodrës dhe sidomos majen e malit Rumi, malit tonë të shenjtë e krenar, mburojë nga erërat shekullore, nga okupimi i kishes pravosllave serbe, okupim ky që paraqet rrezikshmëri të vazhdueshme për paqën dhe qetësinë, jo vetëm në këto treva, por me të cilën pushteti vazhdimisht koketoi, bëri tregti dhe së bashku vepruan, varësisht nga nevojat e momenteve politike, ndërsa opozita serbe ishte zëdhënsja e saj, të cilat veprime edhe mëtej shtojnë shqetësimin dhe mosbesimin e shqiptarëve. Arsimi, planprogramet dhe tekstet mësimore në gjuhën shqipe dhe nga pedagogët shqiptarë; informimi i plotë në gjuhën shqipe me kanal të vetin televiziv e jo siç bënë duke e zvogluar kohën dhe duke ndryshuar terminin kohor dhe caktuar personin e përkatësisë malazeze për redaktor përgjegjës etj. Çka thonë për përfaqësimin proporcional?

Pse zotëri Vujanoviq nuk veproi për realizimin e këtyre dispozitave kushtetuese nga pozitat e larta që pati dhe ka  në parti dhe në qeveri ?! A e ka të njohur që i vetmi shqiptar që gjendej në Akademinë Policore, e përjashtuan pas mbarimit të vitit të parë, a e dimë fare mirë pjesëmarrjen e shqiptarëve që është nën çdo nivel, e mos të flasim në gjykata të nivelit shtetëror. Pse?

Korrupcioni dhe kriminaliteti i organizuar janë bërë realitet i përditshëm, por fatkeqësisht jo edhe shqetësim serioz i organeve shtetërore për ta luftuar e parandaluar.

LD në MZ me shumë vëmendje e ka përcjellë fushatën parazgjedhore të dy kandidatëve: zotni Filip Vujanoviq, kandidat i DPS-it dhe zotni Miodrag Lekiq, të kandiduar si kandidat i pavarur, i cili ka përkrahjen e opozitës heterogjene.

Për çështjet e përmendura më lart, ato nacionale, shtetërore demokratike, ekonomike… e të tjera çështje, kanë folur shumë pak ose aspak. Ndoshta për shkak »të kujdesit« ndaj pakicave që mos t’ju premtojnë shumë (!?), a për shkak të kontinuitetit të politikës së vjetër  dhe projekteve të vjetra, në këto momente është pak e rëndësishme, por kjo tregon mosgatishmërinë që seriozisht do të angazhohen për ndryshime e përmirësim të jetës së qytetarëve, realizimin e vërtetë të drejtave dhe lirive.I pari, jurist në zë, avokat, ministër dhe kryetar i republikës dhe shtetit të Malit të Zi, jo vetëm gjatë 20-viteve të qeverisjeve, por as në  fushatën parazgjedhore, i dyti, megjithëse intelektual e diplomat, që ka përkrahjen e opozitës heterogjene, edhe asaj antishqiptare në shumë raste, por jo vetëm opozitës, nuk na kanë bindur që të ftojmë  zgjedhësit tonë që t’i përkrahin.

Kështu, mbas të gjitha këtyre, LD në MZ, anëtarëve dhe simpatizuesve të vet dhe  shqiptarëve  ju thotë që vetë të bien vendim, duke pasur parasyshë atë që i realizuan dhe nuk i realizuan. Shqiptarë, koha  është që të mendojmë me kokën tonë, ndërsa kandidati që do të fitojë për kryetar të Malit të Zi, mos të harrojë se shqiptarët janë autoktonë dhe jetojnë në tokën e vet .

SHËRBIMI PËR INFORMIM

Mehmet Bardhi, kryetar