KK “Ulqini” i treti në renditjen e përgjithshme në mesin e 24 klubeve

April 22, 2013   | Sporti / Sport

KARATE CLUB ULQINI-ULCINJ, MONTENEGROTë shtunën, më 20 prill 2013 në Podgoricë u mbajt Kampionati i Karatesë së Malit të Zi për Fatosa dhe Pionierë në kata dhe Kupa e Malit të Zi për Kadetë, Juniorë dhe Seniorë të rinj në kata individuale dhe ekipore dhe luftëra individuale. Klubi i karatesë “Ulqini” në mesin e 24 klubeve pjesëmarrëse u rendit në vend të tretë në renditjen e përgjithshme, në vend të parë u rendit KK “Omlladinac” nga Podgorica, ndërsa vendi i dytë i takoi KK “Buduqnost” po ashtu nga Podgorica.

Garuesit e Klubit të karatesë “Ulqini” arritën të fitojnë 16 medalje në disiplinën individuale dhe ekipore; 6 garues u shpallën kampionë duke u kurorëzuar me medaljen e artë: 3 në disiplinën individuale dhe 3 garues në disiplinën ekipore. Me medaljet e argjendta u kurorëzuan 9 garues: 6 garues në disiplinën individuale dhe 3 në disiplinën ekipore, ndërsa me medalje të bronzta u kurorëzuan 2 garues. Kampione e Malit të Zi u shpall Fiona Kraja në një konkurencë mjaft të fortë, por ajo ishte e pandalshme dhe kështu shkëlqeu me medaljen e artë. Kampionë të Kupës së Malit të Zi u shpallën Izabella Ivanoviq – luftëra individuale +55 kg (kadete), Hantije Ibroçi – kata individuale (seniore), kurse Antigona Rama, Seida Suma dhe Venesa Nuhi u shpallën kampione të Kupës së Malit të Zi në kata ekipore (kadetë-juniorë).

Nënkampionë të Kupës së Malit të Zi në disiplinën individuale luftëra u shpallën: Lavdim Tula, Katarina Marnikoviq , Seida Suma, Lulzim Suma dhe Hantije Ibroçi, kurse në kata individuale nënkampione e Kupës së Malit të Zi u shpall Antigona Rama. Në kata ekipore nënkampionë të Kupës së Malit të Zi u shpallën Edin Kraja, Lulzim Suma dhe Nderim Cuca. Me medaljen e bronztë u kurorëzuan Behlul Peri dhe Aldin Buliq.

Kryetrajneri i KK “Ulqini” Kujtim Sukaliqi dhe trajnerët Naim Duraku, Anell Beganoviq, Blerim Sukaliqi dhe Dardan Ceka shprehen të kënaqur me rezultatet e arritura deri më tani.

-Jemi të kënaqur me këto rezultate të të rinjve tanë, pasi që deri më tani kemi 7 kampionë aktualë të Malit të Zi në disiplinat individuale dhe 8 kampionë të Kupës së Malit të Zi në disiplinat individuale dhe ekipore. Kështu, ne renditemi në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të Kampionateve të Malit të Zi dhe Kupës së Malit të Zi pas KK “Omladinac” dhe KK “Buduqnost”. Duhet të theksojmë se me shumë mund e punë e shumë vështirësi financiare e kemi ruajtur supremacionin tonë duke qenë në mesin e tre më të mirëve. Udhëheqësia e klubit në krye me Loro Nrekiqin, Skender Tahirin, Gjergj Daboviqin, Ako Buliqin dhe Ruzhdi Ramën po ashtu shprehen të kënaqur me rezultatet e arritura të garuesve të tyre, por cekin se vështirësitë më të mëdha janë gjendja e mjerueshme finaciare që pengon punën e mëtejshme. Prandaj, edhe kësaj here po i drejtohemi të gjithë atyre që e duan sportin t’i ndihmojnë këta të rinj në rrugën e tyre sportive, të ndihmojnë një tradite të gjatë sportive mbi tri dekada që mos të shuhet, sespe klubi jonë këtë e meriton, falë rezultateve të arritura dhe falë punës së palodhur e dinjitoze me rini në komunën e Ulqinit.

 

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”