“Art Club” boton librin “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur” të autorit Haxhi Shabani

April 23, 2013   | Kulturë / Kultura

Haxhi Shabani - Libri Shqiptaret ne Malin e Zi ceshtje e pazgjidhurShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Shqiptarët në Mal të Zi, çështje e pazgjidhur” të poetit, studiuesit dhe publicistit Haxhi Shabani. Libri është një përmbledhje e artikujve (analizave, komenteve, reportazheve etj.), të cilët autori i ka botuar në gazeta e revista gjatë viteve 1995-2010.

Vendin kryesor në këtë botim e zënë shkrimet që trajtojnë pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, mandej veçoritë e tyre identitare, dhe artikujt për turizmin, kulturën, migrimin dhe diasporën, median etj. Analizat e botuara, jo vetëm përshkruajnë çështjet e shqiptarëve në Malin e Zi, por përfshijnë edhe kontekstin e anëve të ndryshme e herë-herë të kundërta që janë pjesë e problemit, por në të njëjtën kohë japin edhe alternativa për zgjidhje. Shqiptarët në Malin e Zi janë trajtuar jo vetëm në kontekstin e tyre të brendshëm, por edhe në marrëdhënie me shqiptarët në tërësi, me Malin e Zi, kurse më pak në raport me faktorin ndërkombëtar. Artikujt nënvizojnë ndonjë arritje të shqiptarëve në Malin e Zi, por edhe përkeqësimin e pozitës së tyre, duke vënë në dukje problemin e mprehtë se shqiptarët në Malin e Zi nuk kanë arritur pas viteve ’90 të shekullit të shkuar e deri në fillimshekullin e ri, të ndërtojnë minimumin e kërkesave të përbashkëta. Si rrjedhim, sipas autorit, çështja e shqiptarëve në Malin e Zi vazhdon të jetë çështje e hapur.

Për shkak të problematikës që trajtojnë, pavarësisht faktit se janë shkruar në periudha të ndryshme kohore, shumica e artikujve janë aktualë edhe në ditët e sotme. Si njohës i problemeve të shqiptarëve në vend, autori në libër shpreh shqetësimin e tij për pozitën e tyre dhe  moszgjidhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi.

Redaktor i librit është Ali Salaj, recensentë Fran Camaj e Ismet Kallaba dhe redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është botuar me mbështetjen financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi, ndërsa është shtypur në Shtypshkronjën “Grafo Bale” në Podgoricë.

Mr. Haxhi Shabani punon gazetar në Redaksinë Shqipe të Televizionit të Malit të Zi dhe është asistent i fonetikës dhe i morfologjisë së gjuhës shqipe në Programin Studimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe pranë Universitetit të Malit të Zi.

Deri tani ka botuar përmbledhjet me poezi “Të kërkoj”, “Natë e portokalltë”, përzgjedhjen “Jam ai që nuk jam” dhe librin shkencor “Rrezikimi i gjuhës shqipe”.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 90 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Ulqin, më 23. 04. 2013                                                                            SHAI “Art Club”

 

CV e Haxhi Shabanit    

haxhi shabaniHaxhi Shabani u lind më 1963 në Kosiq të Anës të Malit – Ulqin. Studimet universitare i ka kryer në Fakultetin Filozofik, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë në vitin 1987. Në Fakultetin Filologjik të Prishtinës në vitin 2006 ka mbrojtur magjistraturën në fushën e sociolinguistikës, me titullin “Dygjuhësia te shqiptarët e Ulqinit”. Aktualisht është doktorant në Fakultetin Filologjik, në Degën e Gjuhës në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar për media të ndryshme në Mal të Zi dhe Kosovë. Aktualisht punon gazetar në Redaksinë Shqipe të Televizionit të Malit të Zi. Që nga hapja e Programin Studimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe pranë Universitetit të Malit të Zi në vitin 2004 është asistent i fonetikës dhe i morfologjisë së gjuhës shqipe.

Është fitues i Çmimit “Qiriu i Naimit” në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” që mbahet në Tetovë. Poezia e tij është përfshirë në disa antologji me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ka qenë kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në periudhën 2008-2012.

 

Veprat e botuara:

  1. Të kërkoj (1995)
  2. Natë e portokalltë (1998)
  3. Rrezikimi i gjuhës shqipe (2007)
  4. Jam ai që nuk jam (vepër e zgjedhur nga krijimtaria e autorit) (2010)
  5. Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur (2013)