Ulqini po angazhohet për tërheqjen e investitorëve në hotelieri

April 25, 2013   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti

Plazhi i vogel ne UlqinKomuna e Ulqinit përveç që është duke u angazhuar për tërheqjen e turistëve, po angazhohet edhe për tërheqjen e investitorëve në hotelieri, duke zbritur taksat për investitorë deri në 70%. Njëherit, zyrtarët e këtij qyteti bregdetar, ftojnë qytetarët nga Kosova që ti legalizojnë objektet e tyre në këtë komunë.

Në drejtim të zhvillimit të turizmit dhe tërheqjes së investitorëve, Komuna e Ulqinit ka ndërmarrë një hap stimulues për investitorë potencialë. Kryetari I Ulqinit, Nazif Cungu për transmetuesin publik ka thënë se janë ulur taksat për ndërtues të hoteleve.
“Kemi bërë zbritje për ata të cilët janë të interesuar të ndërtojnë hotele me 3 yje, por kanë obligim që deri në fund të vitit 2014 të marrin lejen për ndërtim, kanë zbritje në taksë për 50%. Kurse për hotele me 4 dhe 5 yje 70%.”, tha ai.

Cungu fton afaristët nga Kosova që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Ai njëherit bën ftesë edhe për qytetarët nga Kosova të cilët kanë prona në Ulqin, të bëjnë legalizimin.

“Në Ulqin shumë kosovarë kanë pronat e tyre, kanë troje ose objekt të ndërtuar dhe është një problem shumë i vjetër sepse ndërtimi është bërë pa licencë adekuate, për atë arsye edhe ne kemi bërë përgatitje për miratimin e planeve urbanistike”, theksoi ai.

Për legalizimi komuna e Ulqinit ofron edhe lehtësira, pasi mundëson që pagesat të bëhen në disa këste dhe afati i pagesës mund të jetë deri në 10 vite.

Bota Sot