Ulqinakët i thërrasin kosovarët për pushime

May 22, 2013   | Lajmet / Vijesti, Turizmi / Turizam

Plaza MCM Beach Ulcinj - SuncobraniKomuna e Ulqinit ka bërë të gjitha parapërgatitjet për të pritur turistët nga Kosova, por edhe vende të tjera të botës, që viteve të fundit janë në rritje e sipër. Për dallimin nga viti i kaluar, sivjet pushuesit do të kenë kushte më të mira, pasi që janë bërë investime të shumta. Por, edhe hotelet dhe lokalet private sivjet ofrojnë risi të shumta për turistët që zgjedhin këtë qytet për t’i kaluar pushimet.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu ka thënë se interesimi i turistëve kosovarë dhe atyre të huaj për të kaluar pushimet në plazhet e Ulqinit është në rritje e sipër. Sipas tij, edhe më tutje kosovarët vazhdojnë të mbeten pushuesit më besnikë të plazhit të Ulqinit.

Kryetari Cungu ka thënë se nga përfundimi i sezonit të kaluar Komuna ka bërë investime të shumta sidomos në rrugë në mënyrë që Ulqini të jetë sa më tërheqës për turistët. Më tej kryetari Cungu bën të ditur se për sezonin turistik për vitin 2013, parapërgatitjet janë në nivelin më të lartë të mundshëm.

“Normalisht kemi pasur vërejtje të shumta, për shkak të investimeve të mangëta në nivel të komunës së Ulqinit dhe ndoshta nuk kemi mundur të përcjellim hapin e kërkesave në turizëm. Dua t’ju siguroj që gjatë vitit të kaluar kemi përfunduar disa investime të rëndësishme në këtë komunë, që janë në shërbim të turizmit. Komuna e Ulqinit nuk ka më probleme me ujë të pijshëm”, ka thënë ai.

Edhe pronar të plazheve dhe hoteleve në Ulqin u kanë bërë thirrje turistëve nga Kosova që edhe sivjet pushimet verore t’i kalojnë në bregdetin e bukur ulqinak. Mark, një ndër pronarët e plazhit “Copocabana” ka thënë ditë më parë se ai, por edhe pronarë tjerë të lokaleve kanë bërë të gjitha parapërgatitjet që turistet nga Kosova të kalojnë sa më mirë që është e mundshme. Sipas tij, për dallim nga vitet e kaluara, sivjet ka shumë risi.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka thënë se Ulqini edhe më tutje vazhdon të mbetet qytet i preferuar për pushuesit kosovarë. Edhe ai ka bërë të ditur se në bashkëpunim me komunën e Ulqinit kanë bërë marrëveshje për ulje të taksave që qytetarët e Kosovës të pushojnë me një kosto më të lirë.

Nga 1 qershori, pagesa prej 30 eurosh për autobus do të zbret në 8 euro. Po ashtu, edhe taksa prej 3.5 euro që çdo udhëtar duhej të paguante në stacion të autobusëve gjatë kthimit për në Kosovë, do të ulet në 2 euro.

Përndryshe kapaciteti pritës i Ulqinit vlerësohet të jetë deri 5 herë më i lartë se shifrat zyrtare të turizmit. Sipas drejtorit të Organizatës Turistike Rajonale, “mungon një mekanizëm i tërë në Malin e Zi, që mund të bëjë evidentimin e saktë të fluksit turistik”.

Ndryshe nga Budva, që numëron gati 90 hotele, lehtësisht të administrueshëm, Ulqini ka 22 hotele me kapacitet 3500 shtretër dhe pjesa tjetër administrohet përmes apartamenteve. Përllogaritjet e përafërta të kapaciteteve janë për 120 mijë shtretër.

Organizata Turistike Rajonale nuk ka një mekanizëm për të vlerësuar të ardhurat e sakta, megjithatë vlerësohet se në Ulqin shpenzohen mbi 1 milion euro në ditë gjatë sezonit veror.

 

Enis Veliu
Zëri