Ilir Harasani: Studimet privilegj dhe pergjegjesi

May 27, 2013   | Opinione

Ilir HarasaniArsimimi i një shoqërie luan rol vendimtar për ardhmërine dhe avancimin e saj metej, është shtylla kurrizore e bashkesive sociale ne çdo nivel. Se diçka e tillë është e sakte, e dëshmojnë shoqertitë Euro-Atlantike, te cilat edhe përkunder arritjes se majave në edukimin e brezave, vazhdojnë edhe më tej investimet në këtë drejtim.
Studimet janë njëkohesisht privilegj dhe përgjegjësi. Për të marrë një vendim drejt tyre nuk është aspak e lehtë, sepse ky vendim te percjellë tëre jetën. Aty hyne shumë elemente, arsyeshmeria, parimet, perspektiva.

Ndoshta dike prej jush mund ta ndihmoje thjeshte nje shpjegim i mirë i kuptimit teorik të vet fjalës studim. Studim, në latinisht “Studare” ka disa kuptime, p.sh. të përpiqemi për diçka, të zbulojmë diçka, ose të provojmë diçka, kurse përkthim me adekuat sipas përshtatshmerisë në gjuhën tonë do te ishte, të mësuarit me kujdes, të menduarit thellë, thellimi në problem, vrojtimi i një gjëje në aspektin objektiv dhe subjektiv, vrojtimi i një gjëje në mënyrë të detajizuar deri në thelb, …etj. Ky diversitet tek fenomeni i studimit si term le të kuptojme se është materje e gjërë dhe e komplikuar për ta elaboruar detajisht. Për këtë arsye do të ndalemi tek mënyra dhe të kuptuarit e studimit në vendin tonë.

Para se te ja fillojnë studimeve nxënësve u parashtrohen disa dilema dhe pyetje pa përgjegje. Dikujt me heret dhe disave më vonë u vertiten në mendje disa pyetje teorike, siç janë: çfarë kam dëshirë të studijoj? në cilin vend do t i zhvilloj studimet? a kam mudësi financiare ti mbuloj ato? a do t u pëlqej familjareve drejtimi im dhe a do ketë perspektivë drejtimi që do zgjedhë ( a do punësohem). Pastaj pyetjet praktike, si p.sh. çfarë kuptimi ka të menduarit, të mesuarit, të studiuarit të jeshë i edukuar dhe i moralshëm, kur në botë nuk mbizotron dituria, arsyeja dhe morali, por imponimi apo forca e më të fortit.

Nëse themi se çdo veper varet nga kauza-qëllimi dhe në qoftë se studimet i marrim si një veprim-akt njerzor, s’do mend që edhe studimet kanë një qëllim. Shikuar në këndin subjektiv qëllimet studimore dallojnë nga përceptimet e personave para se studiojnë dhe receptimeve të tyre gjatë studimeve.

Parimisht, si qëllim kryesor i atyre që studjojne, studentëve të dijes, është që përmes studimeve të arrihet një jetë më e lehtë, më e sigurte, dhe me e mirë profesionale. Themi parimisht se jo çdo herë dhe për çdo kend ndodhë kështu, dhe problemi qëndron këtu!. Çfarë i shtyen studentet e ardhshëm në perzgjedhje të tilla dhe ku qendron problemi? Mund të cekim se paku tre probleme kyçe:

1 mosvetedijesimi dhe mosvetebesimi lidhur me studimet,

2 sistemi arsimor, kualiteti i Universiteteve dhe Kolegjeve sot,

3 zhvillimi ekonomik ose tregu i punës,

Sa i përket vetëdijesimit, studentet e ardhshem duhet t’i marrrin gjërat shtruar, të konsultohen me studentet paraprak, të konsultohen me profesorë, të informohen mbi mundësite dhe programet që ofrojnë Universitetet, të përgatiten në aspektin psiqik dhe emocional para studimeve, të zgjedhin shoqërine – kolegët e duhur, të organizojnë kohën. Ndërsa, për vetëbesimin lidhur me studimet, dua të citoj një profesor që shpresoj t’i ndihmoj studentët e ardhshëm: “95% e njerëzve kanë aftësi psiqike t i përfundojne studimet, kurse as gjysma e këtyre 95% nuk i përfundojne ato edhe pse kanë aftësi, sepse nuk duan t i plotësojne dy kushtet bazë për studim që janë, dëshira-vullneti dhe durimi-këmbëngulja për studim.”

Sistemi i Bolonjës si një sistem i gradave shkencore lehtësisht të njohshme dhe të krahasueshme, një sistem me qëllim që të nxitet aftësia për punesim e qytetareve evropian dhe konkurrimi ndërkombëtar, edhe pse i proklamuar si sistem i ri dhe ndryshe nga sistemi i mëparshëm është e veshtirë të thuhet që ka ndryshuar shumë mënyren e studimit tek ne. Më shumë kanë ndikuar Universitetet dhe Kolegjet ( sidomos të rinjtë) jo përmes sistemit të studimit, por përmes menyres, qasjes dhe interesit në studentë, ku më shumë bëhet komercializëm se sa ofrim i dijes dhe mundësisë së studimit adekuat, ku me së shumti ligjerojnë asistentë se sa profesorë, ku dominon mungesa e mjeteve për punë dhe mungesa e kreativitetit, përgjegjësise, vullnetit dhe si pasoje e kësaj kemi më shumë kuantitet se kualitet.

Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe tregut të punes, mund të themi se është si problem dhe si i tillë ndikon ne njëfare mënyre në studime. Gjendja ekonomike në vendin tonë nuk është shumë stabile, apo nuk është shumë e zhvilluar, është në ngecje dhe si pasoje e kësaj ndikon dhe në tregun e punës. Ku nuk ka progres nuk hapen vende te reja pune. Kurse çdo ditë dhe më shumë kemi të diplomuar dhe të gatshëm për punë. Vendet e lira të punës janë të kufizuara dhe të orientuara veçse në disa sektore, ku dhe studentët orientohen më së shumti në këto drejtime ndoshta edhe pa dëshirë, por që më së shumti kanë mundësi punesimi. Pa dashur të hyjmë tematikës se si edhe ky treg kaq i varfër manipulohet e keqpërdoret është e udhës të ceket në pika të shkurta se me të vertete ka ndikuar ne mënyren e studimeve. Cdo ditë e më pak vlerësohen vlerat, virtytet dhe aftësite, më vendimtare është të jeshë i kyçur ne parti politike ( parti punëdhënese) se sa të kesh aftësi dhe dije, ku nuk paraqet problem se nuk i jep asgjë profesionale punës por veçse i merr asaj .

Të gjitha këto elemente luajne rol të rendësishëm në mënyren e studimeve. Sidoqoftë, pa dashur të përdorim retorikë, me studim njeriu ngritet në një shkallë më të lartë se sa mesatarja e perditshmërise, fiton njohuri në lami të caktuara të jetës, ka mundësine të bëhet profesionist në drejtimin-fushën që studjon dhe me këtë t i ndihmoje vehtes dhe shoqërise në të cilen jeton. Vendi jonë sot me shumë se kurrë ka nevoj për studentë të dijes , për njerëz profesionistë, të moralshëm, parimorë, dhe puntorë. Eshte koha te zgjohemi me kemben e mbare e te fillojme te permiresojme gabimet, te nxisim vlerat, t a mesojme respektojme drejtesine, te besojme. Te gjitha keto jane te mundshme vetem permes nje rruge, arsimimit te denje.

Ilir Harasani

Jurist, Univerziteti i Prishtines