Rikthehet pasiguria rrugëve të Shqipërisë!

July 19, 2013   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Kriminali ne rrugeNga Valmira Halimi

Rastet e fundit të plaçkitjeve të udhëtarëve, madje edhe në Rrugën e Kombit dhe thyerja e xhamave të autobusëve kosovarë, kanë rikthyer në kujtesë kohën e anarkisë dhe të bandave që nuk ta lënin vendin vend. Policia e shtetit shqiptar garanton për sigurinë e rrugëve përkundër faktit që incidentet po përsëriten edhe ditëve të fundit. Sipas tyre,kjo më shumë është një propagandë mediatike se sa situatë reale. Ata zotohen se shteti do t’u ofrojë siguri edhe më të madhe turistëve, në veçanti atyre nga Kosova.

Qamil Sadikaj, nga Policia Rrugore e Shqipërisë, deklaroi për gazetën “ Zëri” se incidentet që kanë ndodhur ditëve të fundit nëpër rrugët e Shqipërisë janë bërë më shumë propagandë mediatike.“ Nuk e di përse është bërë kaq shumë bujë nëpër media për këtë punë. Në të gjitha rrugët e vendit ka siguri të mjaftueshme. Janë marrë të gjitha masat. Pa frikë fare ejani në Shqipëri”, ka deklaruar Sadikaj.

Po ashtu edhe nga zyra e Sekretariatit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare kanë deklaruar se qytetarët nga Kosova mund të lëvizin pa frikë nëpër rrugët e Shqipërisë.“ Policia shqiptare, pas ngjarjeve të fundit, ka marrë masa më të rrepta për të gjithë vendin, kështu që mund të lëvizni pa problem”, deklaroi dje një zonjë nga kjo zyrë, e cila nuk deshi të prezantohej.

Frikë, sidomos të udhëtosh natën !

Përkundër zotimeve të Policisë Shqiptare, qytetarët e Kosovës ngurrojnë të udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar.“ E kam në plan që këtë javë të nisem për në pushim, por pasi që i pashë në televizor këto ndodhitë e fundit, jam në mëdyshje, të nisem apo ta anuloj. Thjeshtë, për shkak të sigurisë. Kisha planifikuar që të nisem me veturë së bashku me dy shoqe. Por tash po kam frikë për shkak të sulmeve dhe më e keqja është se nuk ke se ku të drejtohesh. Nuk e di, ky bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është bërë vetëm për të shqiptuar gjoba apo për sigurinë e qytetarëve”, thotë prishtinasja H.L.

Të njëjtën brengë e ka edhe qytetarja Merita Visoka, e cila ka ardhur nga Gjermania dhe ka planifikuar që pushimet t’i kalojë në bregdetin shqiptar.
“ Kam ardhë nga Gjermani me shpresën që me i kalue pushimet në Shqipëri, por tash që po i dëgjoj këto lajme që udhëtarët janë duke u plaçkitur nëpër rrugët e Shqipërisë, zor se mund të shkoj. Thjeshtë kam frikë se nuk ndihem e sigurt që të udhëtoj, e aq më pak të shkoj për pushime atje”, është shprehur e shqetësuar ajo.

Por jo të gjithë janë kaq “frikacakë”. Të kundërtën e mendon Besart Morina. “ Unë nga mesi i gushtit e kom planifiku me shku në Durrës edhe kom me shku. Nuk besoj që ka me pas ndonjë rrezik nëpër rrugë, pasi që tani edhe Policia e Kosovës është e pranishme nëpër autostradë dhe kjo, personalisht mua më jep më shumë siguri”, thotë ai.

Qeveria nuk bën asgjë për sigurinë e qytetarëve të saj

Ndonëse shumica e turistëve që ia mësyjnë bregdetit shqiptar janë mërgimtarë nga Kosova, Ministria e Diasporës në Kosovë dënon këto incidente që kanë ndodhur ditëve të fundit në Shqipëri, por kjo Ministri nuk dihet të ketë bërë diçka, ndonjë marrëveshje apo zgjidhje me organet gjegjëse të sigurisë në Shqipëri.

“Ministria e Diasporës ka kontaktuar me organet kompetente për këtë shqetësim dhe ka kërkuar që të rriten masat e sigurisë, të lehtësohet qarkullimi i udhëtareve në kufi në mënyrë që mërgimtarët tanë të mos presin gjatë për të kaluar kufirin. Po ashtu, Ministria i ka njoftuar mërgimtarët që për çdo problem që kanë gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Kosovë, të njoftojnë Ministrinë dhe ne do të mundohemi të bëjmë zgjidhje”, ka deklaruar Besim Berisha, zyrtar për informim në Ministrinë e Diasporës.

Lidhur me këtë, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se Policia e Kosovës është në dijeni për incidentet që kanë ndodhur kohëve të fundit dhe se, sipas tij, është kërkuar shtim i masave të sigurisë në pjesët ku kanë ndodhur incidentet.

“ Po ashtu kemi kërkuare nga autoritetet policore të Shqipërisë njëkohësisht që të rriten masat e sigurisë në ato lokacione ku kryesisht kanë ndodhur incidentet. Policia e Kosovës vazhdon të jetë prezente në kuadër të marrëveshjes që ka me Policinë e shtetit shqiptar, me qëllim të ofrimit të mëtutjeshëm të sigurisë, kryesisht sigurisë në komunikacionin rrugor për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kalojnë në atë pjesë”, ka deklaruar Kelani.

Gazeta po ashtu gjatë ditës dje ka tentuar të sigurojë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), nëse kjo ministri ka arritur që të kontaktojë me organet kompetente të Shqipërisë dhe të kërkojë siguri më të madhe për qytetarët e Kosovës, por kjo ka qenë e pamundur. Edhe pse na është premtuar një përgjigje nga MPJ-ja, zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur për gazetën.
Rreth shqetësimeve të ngritura, Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Çështje të Sigurisë,i ka thënë “Zërit” se autoritetet kosovare duhet të bëjnë më shumë për sigurinë e qytetarëve të vet. Qytetarët e Kosovës ndihen të frikësuar për arsye se edhe pse po ndodhin këto incidente autorët ende nuk janë kapur.

“ Faktikisht, unë për vete ndihem i pasigurt në atë pjesë në qoftë se organet e rendit dhe ligjit në Shqipëri nuk i kapin këta kryes të veprave kriminale. Besoj që kjo do të ketë impakt për qytetarët e Kosovës, përderisa këta persona, të paktën një pjesë e tyre nuk vihen para drejtësisë”, tha Vrajolli. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte më e vendosur me kërkesat e saj dhe në njëfarë forme ta kushtëzojë shkuarjen e turitëve kosovarë në bregdetin shqiptar me sigurinë e tyre.

“ Qeveria e Kosovës, madje, duhet të marrë edhe fushata informuese ndaj qytetarëve të Kosovës që të jenë më vigjilentë në rast të shkuarjes në Shqipëri për turizëm, e sidomos duhet të identifikohen pikat apo akset ku ka më shumë rrezik nga bandat kriminale apo ku ka patrollim më të vogël policor, me qëllim që t’iu shmangen këtyre incidenteve mjaft të rrezikshme ”, ka deklaruar Vrajolli.

Kompanitë turistike, nuk ka rënie të numrit të kërkesave

Ruzhdi Kurtishaj, drejtor i njërës nga kompanitë e autobusëve në Prishtinë, i ka thënë dje gazetës se zvogëlimi i kërkesave për udhëtim ka nisur që nga fillimi muajit të Ramazanit, më 8 korrik, por këto ditëve të fundit nuk është hetuar gjë.

“ Që nga fillimi i ramazanit janë ulur kërkesat e qytetarëve për pushime në Shqipëri. Por, sa i përket incidenteve që kanë duke ndodhur ditëve të fundit në Shqipëri, nuk shihet se ka pasur ndonjë ndikimin.. Sot (dje), në mëngjes janë nisur autobusët plotë me udhëtarë për në Durrës, Velipojë, Sarandë, Vlorë e Ulqin, pa asnjë problem”,ka treguar Kurtishaj.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Sefedin Bekteshi drejtor i një kompanie tjetër turistike, sipas të cilit kërkesat për të udhëtuar në bregdetin shqiptar janë të njejta.“ Këto ditë nuk ka pasur rënie të udhëtarëve. Kërkesat janë të njëjta siç kanë qenë edhe në ditët e kaluara. Nuk është vërejtur ndonjë ndryshim”, thotë ai.

Zeri