Reagimi i Dritan Abazoviqit ndaj Danajt: PATRIOTËT ME BATERI

July 23, 2013   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Dritan-AbazovicProblemi i patriotizmit është fenomen interesant dhe i rëndësishëm sociologjik për çdo komunitet nacional, por është kundërproduktiv sidomos kur trajtimi i tij është sipërfaqësor, i cektë dhe popullist. Mirëpo, kjo është gjendje natyrore e vetëdijes së atyre të cilët fshihen pas tij si breshka në mburojë, kështu që nuk shohin asgjë vetëm që e ndiejnë veten, por është krejtësisht e panatyrshme për ato që me intelektin e vet duhet ta zhvillojnë në mënyrë të drejt, ta thellojnë dhe mbjellin si vlerë për gjeneratat e ardhshme të popullit të vet. Për këtë arsye i çuditem vetes, pse njerëzit e kanë kaq të vështirë të kuptojnë gjërat e thjeshta, pse janë të “verbër” e megjithatë shohin qartë, pse qëllimet e mira i shëndërrojnë në keqdashje…? Por kur e mendoj më mirë patjetër është dhe detyra ime si qytetarë i thjesht të tregoj, dëshmoj dhe mbroj të vërtetën si ndaj popullit të vet ashtu edhe ndaj njerëzve tjerë.

Thjesht është e pamundur si “patriotët me bateri”, të cilët heshtin për të gjitha problemet e shqiptarëve tërë këto vite, ose edhe më keq, njërën flasin, e tjetrën mendojnë, “kapen” në tekstet e gazetarëve të cilët nganjëherë “spinohen” me paramendim, e nganjëherë vetëm titullohen gabimisht. Kështu janë “kapur” shumë në titullin e portalit RTMZ – “Koço-Shesheli shqiptar” duke e lidhur këtë me deklaratën time në lidhje me thëniet e z. Koço Danaj. Duke harruar çfarë marrëdhënie ka RTMZ ndaj shqiptarëve në Mal të Zi tërë këto vite dhe si “spinimi” është dukuri shumë e shpeshtë në këtë medie, ato siç duket mezi priten të hidhen dhe them se më janë mirënjohës për shansin. Por bile edhe nëse e lëmë këtë me një anë, duhet të dimë që një nga rregullat themelore të gazetarisë është që gazetari ka liri të titulloj tekstet e veta siç donë ai dhe këtu nuk ka diskutim, përkundrazi, por është e pabesueshme të mendosh që dikush që dha deklaratë të thjesht, ndërkohë të njëjtën gjë e kanë bërë dhe dy politikan tjerë,  në të vërtet ka titulluar edhe tekstin. E dyta, teksti duhet të lexohet dhe pastaj të komentohet, e jo përfundimet të nxirren nga titulli, sepse kjo tregon dëshirën për ta ndryshuar të vërtetën por edhe zbulon sipërfaqësinë që e kam përmendur në fillim. Në karrierën time të shkurtër në skenën publike kam shkruar shumë tekste, ndërsa kam dhënë edhe më shumë deklarata. Dhe për dallim prej atyre që heshtin ose flasin me emra të fshehtë në portale, me përgjegjësi rri ndaj çdo fjale të thënë apo të shkruar kurdo dhe kudo.

Kam thënë që ideja e Koço Danajt është joreale, dhe rri pas kësaj, e kjo mbështetet në argumente që ajo nuk ka përkrahjen e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, as nuk është e artikuluar politikisht në numër më të madh.  Një nga tezat ishte që Shqipëria asnjëherë nuk kishte qëllimi ekspansioniste dhe as nuk ka pretenduar për territoret që nuk ishin të sajat për dallim nga disa shtete tjera ballkanike. Po ashtu në tekstin e përmendur kam thënë që mund të tërhiqen paralelizma në mes Koço Danajt dhe Sheshelit, por tërheqja e paralelizmave nuk është barazim, përveç për “patriotët me bateri” të paditur, keqdashës dhe të kompleksuar.

Ti sqaroj edhe pak këto dy tezat e fundit sepse ato janë siç duket të pakuptueshme komentuesve, apo ju shërbejnë si degë e mirë për ku mund të kapen, në mënyrë që të mund të arsyetojnë politikat e veta të dështuara të tregjeve. Kur thashë që Shqipëria nuk ka qëllime ekspansioniste ndaj territoreve që nuk janë të sajat, kam menduar që nuk bënë pjesë në ato shtete që me dhunë dëshironin të merrnin atë që asnjëherë nuk ishte e tyre. Është e qartë që çdo shtet lufton të kthej apo të arrijë ndikim më të madh në diçka çfarë historikisht ishte e tija, apo ku jetojnë qytetarët e kombësisë së tij. Kjo do të thotë që situata është shumë e qartë dhe që është e logjikshme që çdo kush që jeton për shembull në Ulqin, Plavë, Guci, Shkup apo Prishtinë, ndjen lidhje me shtetin amë sepse kjo është kategori historike. Kush nga historia e Shqipërisë kishte notë kaluese ose ka lexuar të paktën një tekst këtë e kupton pa problem dhe nuk ka problem me artikullin ose autorin, por definitivisht me vet veten.

Tërheqja e paralelizmit në mes Danajt dhe Sheshelit është padyshim e mundshme. Njëjtë si do të ishte e mundshme të tërhiqen paralelizma në mes Danajt dhe Tomas Xhefersonit ose në mes Danajt dhe Jaser Arafatit, megjithëse Danaj nuk ishte asnjëherë deri tani i eksponuar politikisht kaq lartë. Paralelizmin e përmendi gazetari i cili shtroi pyetjen: “a mund të tërhiqet paralelizmi në mes të këtyre dy politikanëve”, dhe unë jam përgjigjur, duke përdorur logjikën më të thjeshtë që mundet. Si? Thjesht, që të dy janë shkencëtarë, të dy janë shkrimtarë, të dy janë të interesuar për çështjen kombëtare, të dy mbrojnë mendimin që të gjithë pjesëtarët e një populli të jetojnë në një shtet brenda kufirit unik…sigurisht që në mes tyre ekziston dhe diferencë e madhe, sepse njëri është fashist i dëshmuar dhe kriminel lufte (Sheshel), e i dyti (Danaj) nuk është as njëra dhe as tjetra, por është njeriu i cili publikisht mbron idenë për të cilën mendon që është më e mira dhe që deri te ajo mbërrihet nëpërmjet zgjidhjes paqësore.

Të shtoj atë çfarë nuk kam thënë: Danaj për dallim nga “patriotët me bateri” është njeri i cili nuk i turpërohet ideve të veta dhe i mbron publikisht. Do të kisha dëshirë që njëri nga ato që mbrojnë Danajn nga unë apo nga ndokush tjetër, të nisen hapave të tij, të dalin dhe publikisht të deklarojnë që përkrahin idetë e tija dhe politikisht qoftë nëpërmes partisë apo sektorit civil të fillojnë kampanjën publike për arritjen e kësaj ide. Por, për dallim nga Danaj, ato mbesin frikacak politik, të cilët mbrojnë politika të pasinqerta, duke e rrahur gjoksin dhe duke folur që jetën do ta jepnin për interes kombëtarë, e pastaj së bashku me prijësit e tyre politik, ja shesin xhelatëve të të drejtave të shqiptarëve! Dhe atë falas!

Njerëzit e tillë kanë ndërtuar kulturën e manipulimit, kanë copëtuar trupin votues shqiptar, kanë ndërprerë solidaritetin në mes qytetarëve të kombësisë së njëjtë, kanë nxitur ndarjet fetare në mes shqiptarëve, dhe mbi të gjitha i përqeshin ato që nëse asgjë tjetër janë të sinqertë në këtë punë dhe me qëllime të sinqerta, pavarësisht a do të kenë rëndësi në skenën politike apo do të mbesin margjinal.

Dhe në fund lidhur me emrin tim. Emri nuk e bënë njeriun por e bënë morali i tij, por kjo është e vështirë t’u shpjegohet atyre që kanë vetëm të parën. E me emër tek unë nuk ka tregti politike, edhe pse kjo është popullorçe në mesin e “pazarxhive kombëtarë” të cilët me formalitete dëshirojnë të fshehin paaftësinë e vet. Ndoshta për disa nuk jam shqiptar i mirë dhe ndoshta asnjëherë nuk do të jem si ato, por koncepti im politik nga fillimi është i ndryshëm dhe nënkupton që interesi nacional nuk mbrohet me imagjinatë dhe as me shfaqjen e nacionalizmit, por me ngritjen e vlerave universale mbi frustrimet personale dhe krijimin e imazhit i cili tejkalon karakterin nacional, dhe me këtë edhe e forcon. Çdo vend është krenar për njerëzit e tillë, por kjo është rruga më e gjatë dhe më e vështirë e cili më rrallë zgjidhet, sepse ka gjasa të jetë e paarritshme për shumë ke si dhe për mua. Mirëpo, në këtë rrugë vlen edhe të harxhohesh, të paktën për gjeneratat që definitivisht e shohin të ardhmen në kulturë tjetër politike, të çliruar nga shpirtrat e të kaluarës dhe makinacionet e së tashmes. Atyre që dëshirojnë të ndajnë të drejtat dhe liritë e njëjta me të gjithë të tjerët, e që njëkohësisht me krenari dhe dinjitet ti ruajnë veçoritë e identitetit të vet.

Mr Dritan Abazoviq