Punëtorët e NP “Ujësjellës Kanalizimi” protestuan në mbështetje të kolegut të tyre

July 29, 2013   | Anketë / Anketa

Punëtorët e NP Ujësjellës Kanalizimi UlqinPunëtorët e Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” kanë organizuar të enjten një tubim protestues në mbështetje të punëtorit të kësaj ndërmarrjeje, Dyl Veliqi, i cili para disa ditësh është sulmuar dhe rrahur nga pronari i Furrës “Evropa” dhe disa punëtorë të tij gjatë kohës që po shpërndante faturat dhe po kontrollonte gjendjen e matësit të ujit. Tubimi protestues është përkrahur edhe nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale”.

Drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, Fehim Avdiu, ka thënë se janë tubuar për të ngritur zërin dhe për të denoncuar rastet e tilla, në mënyrë që ato të mos ndodhin më.
Ai ka kërkuar ndëshkimin e fajtorëve nga organet kompetente shtetërore në mënyrë që autorët e veprës të marrin dënimin e merituar.
“Ndërmarrja jonë ka ngritur aktpadi lidhur me këtë rast dhe këtij problemi do t’i shkojë deri në fund derisa fajtorët të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Avdiu.

Vetë Dyl Veliqi në fjalën e tij ka falënderuar të gjithë punëtorët dhe qytetarët për përkrahjen që i kanë dhënë, gjë që sipas tij, e ka ndihmuar që ta përballojë më lehtë rastin.
“Pa përkrahjen tuaj e kisha pasur shumë më vështirë ta përballoj situatën”, është shprehur ai.

Veliqi ka kërkuar që ky rast të shërbejë edhe si një thirrje dhe mesazh për të gjithë.
“Në fund të fundit, ne jemi punëtorë. Secili nga ne lufton për kafshatën e gojës në këtë situatë të vështirë. Duhet të japim një mesazh për të gjithë që në të ardhmen dikush të mos na pengojë në punën tonë”, ka thënë ai.

Mbështetje punëtorit Dyl Veliqi i kanë dhënë gjatë fjalimeve të tyre edhe drejtoresha e NP “Veprimtaritë Komunale”, Zana Sarvan, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të NP “Ujësjellës dhe Kanalizimi”, Rasim Osmani, dhe Lulëzim Xhurreta në emër të Shërbimit të Inkasantëve të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

 

Kohapress