Pushimet dhe “xhepat” e artistëve shqiptarë – Video

July 30, 2013   | Lajmet / Vijesti

plazhi ne ulqinDeri në 1400 euro mund të kushtojë një pushim mesatar për një artist shqiptar. Derisa vendet që preferojnë janë ato të zakonshmet që i vizitojnë qytetarët shqiptarë, statusi i artistit në Kosovë nuk të jep ndonjë luks material. Aktorë, këngëtarë, shkrimtarë e regjisorë kanë treguar për rivierat verore ku e “zbrazin xhepin”, që kryesisht janë Vlora, Dhërmia, Ulqini dhe Turqia.

Regjisori Ujkan Hysaj, ka thënë për gazetën se ka disa preferenca, por që ende është në dilemë se cilën rivierë turistike të zgjedhë.

“Jam në mes të Dhërmiut dhe Turqisë. Kohëve të fundit më shumë kam preferuar bregdetin shqiptar, besoj që do t’i kaloj disa ditë në Dhërmi”, ka treguar Hysaj.

Ai ka treguar edhe për një shumë të mundshme që do të shpenzojë për pushime. “Gjatë pushimeve shpenzoj 600 deri në 800 euro”, ka shtuar regjisori Hysaj. Kthimi nga pushimet do të pasohet me disa aktivitete, të cilat ai është duke i përgatitur. Në tetor Hysaj do të udhëtojë për në Qipro, në një festival ku filmi i tij i shpërblyer me disa çmime “Kolona”, do të jetë pjesë e pjesëmarrësve.

“Edhe ky do të jetë një pushim i vogël. Në ndërkohë pres nëntorin dhe nominimet për Oscar”, vazhdon Hysaj.
Regjisorin Bekim Lumi edhe gjatë verës angazhimet nuk e lënë të mendojë shumë për pushime. Ai ende nuk ka veçuar ndonjë vend se ku do t’i kalojë pushimet, megjithatë thotë se do të gjejë kohë edhe për pak shkëputje.

“Ende jam i zënë, meqë pas disa ditësh e kemi provimin pranues të studentëve në Fakultetin e Arteve. Por, pasi të kemi mbaruar me këtë çështje, me siguri do të shkoj diku për pushime”, ka thënë regjisori Lumi.

Artistët thonë se pushimi disaditor afër detit, i ndihmon të “mbushen energji” në mënyrë që më pas t’u kthehen plot forcë angazhimeve të shumta që i kanë gjatë vitit.

Shkrimtari, Albatros Rexhaj, thotë se në pushime do të shkojë më vonë. Ai do të bëjë dy pushime, njërin me familje, ndërsa tjetrin vetëm për të “ikur” në qetësinë që i mungon Prishtinës. “Do të kem një pushim familjar, dhe një tjetër do të shkoj në ndonjë vend më të qetë për të ikur nga zhurma e Prishtinës”, ka thënë Rexhaj për “Zërin”.

Më tej Rexhaj ka treguar vendet ku ai preferon t’i kalojë pushimet e tij, derisa nuk ka përmendur ndonjë shumë të mundshme të shpenzimeve. “Vend të preferuar e kam bregdetin e Malit të Zi dhe Vlorën. Nuk kam ide sa para do të shpenzoj”, është shrehur Rexhaj.

Shkrimtari Ardian Haxhaj nga vendet e tij të preferuara ka veçuar Turqinë. Atje mendon t’i kalojë disa ditë në rivierën turke. Ai ka treguar edhe një shumë potenciale të shpenzimeve.

“Mendoj të shkoj në bregdet diku për një javë. Ende nuk kam zgjedhur vendin sepse dhe me familje duhet të koordinohem. Vend të preferuar e kam Turqinë por nuk e di nëse këtë vit do të shkoj atje. Nuk do të shpenzojmë shumë, bashkë me gruan do të shpenzojmë 1000 deri në 1400 euro”, ka thënë Haxhaj.

Ndonëse vazhdimisht me shumë punë, aktorja Arbëresha Grabovci, thotë se bashkë me familjen, gjatë verës, çdo tri javë shkon për pushime në Shqipërinë e Jugut.

“Për pushime preferoj të shkoj në Shqipërinë e Jugut, në Dhërmi. Shkoj çdo tri javë, nga 4 deri në 5 ditë”, ka treguar aktorja Grabovci. Ajo i ka krahasuar çmimet që janë atje me ato në Kosovë, duke thënë se nuk ka ndonjë diferencë të madhe.

“Çmimet në vendet turistike pranë bregdetit Jon, janë të njëjta me ato këtu në Kosovë, në Kosovë një drekë me një gotë verë, si e hamë këtu edhe atje ashtu është, bile atje hanë para detit”, thotë Grabovci.

“Varet nga akomodimi, sepse asnjëherë nuk e gjen vendin e njëjtë. Neve na nevojiten dy dhoma, çmimi ndërron, paguajmë 70 deri në 80 euro për një natë në hotel”, përfundon aktorja Grabovci.

Aktorja Anisa Ismajli, ka thënë se tashmë i ka përfunduar pushimet e saj, për 10 ditë ka qëndruar në Dhërmi. Nuk ka treguar shumën e shpenzimeve, por ka shtuar se këto kanë qenë pushimet e saj më ekonomike.

“Unë i kam kryer pushimet, kam qenë në Dhërmi¸ dhe kam qëndruar atje 10 ditë. Nuk mund të jap ndonjë çmim për shpenzime, por deri më tani kanë qenë pushimet më ekonomike sepse edhe vendi ishte i tillë”, ka treguar Ismajli.

 

/Telegrafi/Zëri/