Qyteza e Katërkollës nga Sabri Salaj

November 8, 2013   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Sabri SalajShkruan: Mr. Sabri Salaj

Qyteza e Katerkollës, si pjesë e sistemit administrative të Komunës së Ulqinit, shtrihet në  Rajonin e Anës së Malit me një territor në të cilën gravitojnë mbi 20 fshatra  me një popullsi mbi 6 mijë banorë, ku përfshirë  migrimin dhe emigrimin kap një shifer mbi 30 mijë banorë. Rajoni i Anës së Malit  shtrihet në një fushë të begat pjellore  në mes të Liqenit të Shkodrës, Liqenit të  Shasit, Lumit Buna dhe Detin Adreatik kurse Qyteza Katërkollë si qendër urbane e këtij rajoni ishte dhe vazhdon të jetë potencial i rendësishëm  ekonomik, administrativ, kulturor , turistik e sportive për tërë këtë rajon , në Komunën e Ulqinit.

Në qytezën e Katerkollës, veprojnë dhe kanë selinë e vet Qendra Shëndetsore, Elektrodistribucioni, Posta, Kino Salla , Bibloteka , Bashkësia Lokale, Regjistri i Gjendjes Civile, Shkolla 9 vjecare, Kopshti për fëmij, N.P.Ujesjellës dhe Kanalizimi, N.P.Veprimtaritë Komunale, , Partitë Politike , Qendra e fëmijëve psiko-edukative,,Ylber Shpresë’’Shoqatat jo qeveritare , Polici i zonës,Policia kufitare, Tregu i Gjelbërt, Tregu i Bagëtive dhe terreni sportiv. Këto institucione të cilat  ishin me kompetenca të plota administrative sot vazhdojnë të degradohen, nga mungesa e mjeteve financiare por  edhe nga neglizhenca e organeve mbikëqyrese kompetente , pavarësisht se disa vazhdojnë të punojnë  në shërbim të qytetarëve,edhe pse jashtë çdo standarti dhe në kushte të vështira.

 

Dikur…

Në biseda më banorët e vendit, për  të kaluarën e kësaj qyteze , vëren qartë pasionin dhe dashurinë  e madhe që kanë të flasin për këtë zonë, ku me një nostalgji të madhe secili bisedën e vet e fillon më Shkollën e Vjetër , fanar i dijes dhe arsimit të parë shqip për këto treva.

Gjatë kohës së Austro-Hungarisë në këto treva,  fillon edhe ndërtimi i parë i rrugës që lidh Shkodrën më Tivarin duke kaluar nëpër qendër të Katerkollës. Kjo rrugë ndërtohet për  zhvillimin e kësaj zone , dhe e gjithë rruga është e ndërtuar më punë të detyruar të popullit , dhe ka qenë e ndërtuar kalldram. Gjatë kohës së Italisë në këto treva, për vizitë në Shkollën e Vjetër vjen Viktor Emanueli i III i cili pritet nga nxenësit e shkollës dhe personeli i saj.

Për karvanet të cilët kalonin nëpër këtë rrugë , dhe vinin nga të gjitha anët ,për tregti dhe vizita  shërbente Hani i Maxharreve , që kishte odat për fjetje , lokalin për pushim si dhe vendin për kafshë.Hani kryente edhe funksione tjera ku ushtori i cili ka qene rojtari i tokës,  në rast se kafshët e dikuj tjetër kanë bërë dëm në territorin e tij ,ushtori  ka qenë i detyruar që t’i dërgoj në Han , ku pronari i kafshëve ka paguar pastaj dëmin e shkaktuar dhe shërbimin e Hanit. Ushtori  për tokat në Shas ka qenë Hysni Lam Salaj.

Furnizimi më rrymë për Katerkollë vinte nga centrala e cila ishte sjell nga Ulqini, punonte më naftë dhe kishte bazenin për ftohje, ku orari i dritave ishte deri në ora 10 të mbrëmjes , ku jepej sinjal tri herë ndizej-fikej përpara se mu ndal që banorët të përgaditëshin për fjetje. Banorët e zonës vesheshin më tesha kombëtare dhe me pekta të qepura në tezjeh ku mjeshter i njohur i këtyre artizanaleve ishte Shaqir Kaleziqi kurse për ngjyrosjen e pelhurave dhe xhamadanave shkonin në Bojk. Darsmat janë bërë dy netë e dy ditë , ku instrumentet popullore që janë përdor kanë qenë lodra me kernet dhe qemalja me dajre. Muzikantët anamalas të cilët ishin për aheng në çdo familje ishin Faik Nuzi me qemale dhe Sylo Xhafa me dajre. Në Katerkollë vepronin edhe disa  kovaç hane të cilat merreshin më rregullimin e veglave bujqësore dhe mjeteve  të punës dhe ishin në pronësi të Dullo Halilit, Sait Axhemit  dhe Beqir Kovaçit. Poashtu kishte edhe dy mullinjë për bluarjen e drithërave ku njeri ishte në Vorre të Selitës dhe ishte në pronësi të një banori nga Milla , ku Milla  ishte më e njohura për industrinë e bluarjes së drithërave dhe   numëronte mbi 44 mullinjë më ujë. Mulliri i dytë në Katerkollë  ishte i një periudhe më të vonë i cili ishte mullini sapot dhe ishte në pronësi të familjes së Halil-Mehmet Tahirit . Me fillimin e makinerive të renda për përpunimin e tokës dhe për lëvizje ,familja e  Adem Dyl Taipit  hap servisin e parë në Katerkollë, ku për një kohë shumë të shkurtër filloj të bëhëj shumë i njohur saqë filluan të vinin mjete për riparim edhe nga Ulqini e Tivari.

Në qytezen e Katerkollës ishte e vendosur edhe qendra administrative e rajonit të Anës së Malit ku udhëheqës u caktua Tahir Çapriqi prej Shasit. Ai vendos që ujin e Brajshës ta shpërndaj nëpër qendër të Katerkollës deri në Shas ku sjell gjashtë kroje publike për të gjithë qytetarët, tre i sjell në Katerkollë dhe tre në Shas.  Në Katerkollë u ndërtuan edhe  tetë banesa për ushtrinë kufitare të cilat më vonë më iniciativ të Junuz Divanit kaluan në pronësi të shkollës për mësuesit që vinin nga zonat e  largëta për të mësuar nxënësit në ,,Shkollë të Vjetër’’të Katerkollës. Poashtu u ndërtua edhe shpija e mallrave , shpija e kulturës dhe shpija e shëndetit të cilat u bënë më kontribut vullnetar nga banorët e Anës së Malit. Karakteristik për Katerkollën është edhe ndërtimi i puseve për ujë ku më i njohuri është pusi Dervish i cili sipas disa legjendave thuhet se është ndërtuar më kërkesë të banorëve të zonës dërguar një Dervishi i cili arriti të  zbuloi këtë rrjedh uji për gjithë këto banorët dhe të  rregulloj gjendjen e ujit. Në këtë territor kemi edhe pusin Bajram, pusin e Danit, pusin Sapot, pusin e Hanit etj. Furra e parë e bukës ka qenë e Nizo Kavajës i cili erdhi nga Kavaja , kurse shitorja e ushqimit dhe e tekstilit ka qene ajo e Gjon Kelit. Te shpija e Gjon Kelit ka qene edhe posta e pare në Katerkollë.

Sot…

Aktualisht në qytezën e Katerkollës, veprojnë një numër i konsiderueshëm i bisnesëve ku duhet të përmendim , sallone darsmash, resturante, pizzeria , kafe bar, shitore te ndryshme , sallone  flokesh, servise te ndryshme , burektore, furra buke  etj.  Rikonstruktimi i fazës së dytë të rrugës, Katerkollë- Krythë ,  faza e parë e ndërtimit të  trotuareve , si dhe nisja e procedurave për hartimin e planit detal urbanistik të Katerkollës  jep shpresë dhe hap një perspektivë  të re që e gjithë territori në të cilën shtrihet Qyteza e Katerkollës  të jetë zonë urbane dhe në shërbim të qytetarëve të Komunës së Ulqinit. Poashtu  hartimi i planit hapsinor  do këtë rendësi të veçantë jo vetëm për qendër por për të gjithë rajonin e Anës së Malit dhe duhet një vëmendje dhe kontribut i gjithësecilit sepse nga kjo mvaret e tashmja dhe e ardhmja për brezat që do jetojnë në këtë rajon . Hartimi i planit detal urbanistik për Katerkollë duhet të bëhët në përputhje më planin hapsinor , më qëllim që ta shëndrrojë  Qytezën e Katerkollës nga një problem që çdo herë ishte aktiv për fushata politike në një zgjidhje administrative në shërbim të qytetarëve të Komunës së Ulqinit.