Shqiptarë si qejflinj partish politike

November 8, 2013   | Opinione

Lavdrim LitaPartitë politike përbëjnë elementin thelbësor të demokracisë në shoqëritë moderne. Të dala nga vetë shoqëria, në shumicën e demokracive, partitë politike luajnë rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe organeve kushtetuese. Mirëpo pluralizmi politik në shtetet e banuara nga shqiptarët ka nxjerrë në pah një trill të paparë të formimit të partive politike. Dëshira e shqiptarëve për të krijuar subjekte politike po vihet re në rritje marramendëse tek shqiptarë e Maqedonisë, Kosovës, Mali të Zi dhe padyshim Shqipërisë, që në fakt është dhe gjeneruesja e kësaj fryme. Në Republikën e Maqedonisë ku faktori shqiptar arrin në 30% të popullsisë së përgjithshme numri i partive politike shqiptare mbërriti në 16 subjekte dhe nuk mendoj se do të ndalet si trend. Në fillim të pluralizmit politik në Maqedoni ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD). Ndërsa 14 vite më vonë skena politike shqiptare pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik. Pavarësisht kësaj situate, pozicion më të favorshëm në skenën politike shqiptare kanë Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe pas tyre radhitet Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) dhe shumë parti të tjera të vogla apo që funksionojnë gati vetëm me liderin dhe bashkëpunëtorë të ngushtë. Ndërkaq në Republikën e Kosovës me një popullsi rreth 2 milion banorë shqiptarët kanë arritur të krijojnë në letra mbi 80 parti, aq sa në zgjedhjet e fundit lokale u futën në garë 105 subjekte politike. Ndërsa në Malin e Zi ku shqiptarët janë diku tek 50 mijë banorë dhe me rreth 30 mijë votues ekzistojnë 6 subjekte politike dhe në luginën e Preshevës janë 7 parti politike. Mirëpo vendin e parë për krijimin e subjekte politike ndërshqiptarë e mban Tirana zyrtare me 113 parti politike te regjistruara në Gjykatë. Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës nga 1990-2011, janë regjistruar gjithsej 113 subjekte, duke shënuar kështu shifrat më të larta se në çdo vend të Evropës. Pa përmendur këtu listën e partive të regjistruara rishtas si FRD, AKZ, PDIU, etj. Ndërkohë që numri i votuesve në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 të thirrur të merrnin pjesë në votime ishte 3.2 milionë shtetas, 157 mijë prej të cilëve votues për herë të parë. Por në këto zgjedhje janë përfshirë me kërkesën e tyre edhe 380 persona mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve ishin bllokuar nga gjendja civile. Sidoqoftë lind vetiu pyetja se cila është arsyeja e krijimit të kaq shumë partive politike ndër shqiptarë. Pa dashur të jem përgjithësues një element i përbashkët gjendet në faktin se partitë janë “parti kryetarësh” dhe jo idesh apo vlerash që përfaqësohen me seriozitet. Po t’i analizosh programet apo statutet e partive politike shqiptare pjesa më e madhe e tyre janë kopje të mira dhe të këqija të partive të tjera, ku me vështirësi intelektuale gjen një faktor dallues. Dalldia e formimit të partive politike ndër shqiptarë ka krijuar një inflacion zhvlerësues të dobësimit të komuniteteve përballë arrogancës shtetërore. Programet qeverisëse në të shumtën e rasteve e këtyre subjekteve politike reduktohet në menaxhimin pushtetit sesa në avancimin e komunitetit. Fatmirësisht jo të gjithë partitë politike shqiptare e kanë humbur rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe organeve kushtetuese, por disa subjekte duke u bërë palë dhe ndërpalë me pushtetin kanë fuqizuar më shumë ndërmjetësimin personal kundrejt atij institucional.

(Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni)

Bota Sot