Faik Nika sekretari i ri i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi

November 18, 2013   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Faik Nika sekretari i ri i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të ZiNë mbledhjen konstitutive të KNSH-së më datë 15.11.2013 është zgjedhur me votim te fshehte sekretari i ri i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika.

Duhet cekur se Faik Nika është këshilltar i Forces së re demokratike në Parlamentin e Ulqinit.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi ka formuar komisonin per plotësimin dhe ndryshimin e rregullores dhe statusin e këtij institucioni.

Ja pra çka do të ndryshohet nga rregullorja aktuale

STATUTI I KëSHILLIT NACIONAL Të SHQIPTARëVE

 

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në bazë të nenit 33 paragrafi 9 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave („Gazeta zyrtare e RMZ-së“ nr. 31/2006), në mbledhjen e vet, të mbajtur më, 23.06. 2008, në Ulqin, pruni:

 

STATUTIN

 

I.DISPOZITAT THEMELORE

 

Neni 1

Statuti është akti juridik më i lartë i Këshillit Nacional të Shqiptarëve (në tekstin e mëtejmë: Këshilli) i cili përcakton konceptin, kompetencat, organizimin dhe disa çështje të posaçme të punës së Këshillit.

 

Neni 2 Këshilli është institucion i vetëqeverisjes së pakicës së shqiptarëve, i zgjedhur në bazë të vullnetarizmit, zgjedhjes së lirë të identitetit të vet, proporcionalitetit dhe demokratizimit, i cili është organi përfaqësues më i lartë i pakicës nacionale shqiptare, e cila jeton në Malin e Zi si popull autokton, në fushat e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe, kulturës dhe në fushat e tjera të cilat janë me interes jetësor për shqiptarët.

 

Neni 3 Anëtarët e Këshillit kryejnë funksionin e vet në interes të shqiptarëve, të cilët jetojnë në Malin e Zi si popull autokton, në pajtim me kushtetutën, ligjin, statutin e Këshillit dhe me aktet tjera juridike ndërkombëtare të cilat merren me të drejtat e pakicave.

 

Neni 4 Këshilli ka cilësinë e personit juridik. Cilësinë e personit juridik Këshilli e fiton me regjistrim ne regjistrin e këshillave të pakicave nacionale, të cilin e mba Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.

 

Neni 5 Selia e Këshillit është në Ulqin, në Bulevardin «Gjergj Kastrioti Skenderbeu» pa nr.

 

Neni 6 Simbolet e Këshillit dhe përdorimi i tyre përcaktohet me vendim të posaçëm.

 

Neni 7 Këshilli ka vulën me formë të rrumbullakët. Teksti i vulës është i shkruar në gjuhën shqipe, malazeze dhe angleze, si vijon: Mali i Zi-Crna Gora-Montenegro, Këshilli Nacional i Shqiptarëve-Nacionalni savjet Albanaca-Albanian National Counsil, Ulqin-Ulcinj, KNSH.

 

 

II KëSHILLI – QëLLIMET DHE VEPRIMTARIA

 

1. QëLLIMET E KëSHILLIT

 

Neni 8

Mbrojtja, afirmimi, realizimi dhe avancimi i të drejtave nacionale, kulturore, gjuhësore, fetare, informative, sociale, ekonomike dhe i të gjitha të drejtave dhe interesave të tjera të shqiptarëve. Krijimi i kushteve për punë organizatave dhe institucioneve ekzistuese nacionale, si dhe themelimin dhe zhvillimin e organizatave dhe institucioneve nacionale te reja me interes për shqiptarët në Malin e Zi Zhvillimi i bashkëpunimit brenda komunitetit nacional shqiptar, bashkëpunimi me popujt dhe bashkesit nacionale të tjera në Malin e Zi, si dhe bashkëpunimi me organizatat dhe institucionet e tjera nacionale në Malin e Zi dhe jashtë. Bashkëpunimi dhe avancimi i marrëdhënieve me shqiptarët në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre qytetare dhe politike, si dhe avancimi i identitetit të tyre nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar. Bashkëpunimi me shtetin amë Shqipërinë, shqiptarët në territoret e veta autoktone jashtë Malit të Zi ne regjion dhe diaspor. Ndërmarrja e masave dhe aktiviteteve me qëllim të ndalimit të ndryshimit të strukturës nacionale të popullsisë në zonat ku jeton popullsia autoktone shqiptare.

 

Neni 9

Në realizimin e qëllimeve të veta Këshilli bashkëpunon me organet shtetërore, me organet e vetëqeverisjes lokale, me organizatat dhe institucionet qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Këshilli në lidhje me paragrafin 1 realizon këto aktivitete:

1. I propozon organeve shtetërore të Malit të Zi masat për avancimin e pozitës së pakicës nacionale shqiptare, duke përfshirë dhënien e propozimeve të akteve të përgjithshme me të cilat rregullohen çështjet me rëndësi për pakicën nacionale shqiptare.

2. është i informuar për çdo çështje për të cilën do të diskutojë Parlamenti i Malit të Zi, e cila i përket pozitës së pakicës nacionale shqiptare.

3. Jep propozime dhe mendime për programet e stacioneve radiofonike dhe televizive në nivelin lokal dhe shtetëror, të dedikuara pakicës nacionale shqiptare ose për programet të cilat kanë të bëjnë me çështjet e pakicave.

4. Shqyrton dhe merr qëndrime për ligjet dhe dispozitat e tjera (përfshirë këtu edhe propozimet e ligjeve dhe të dispozitave të tjera, gjatë prurjes së tyre) me të cilat rregullohen të drejtat nacionale, liria themelore e njeriut dhe e qytetarit (sistemi zgjedhor, kompetencat dhe mënyra e punës së organeve shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe çështje të tjera me rëndësi për pakicën nacionale shqiptare) dhe realizimi i të drejtave qytetare, personale, ekonomike, sociale, kulturore dhe i të drejtave dhe lirive të tjera të shqiptarëve në Malin e Zi dhe i barazisë së plotë të tyre në Mal të Zi dhe jep propozimet e veta, mendimet, dhe iniciativat organeve të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor të Malit të Zi.

5. Përcjell zbatimin e politikës së barazisë nacionale, mbrojtjes dhe avancimit të identitetit nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar të shqiptarëve dhe i parashtron vetëqeverisjes lokale gjegjesisht organeve dhe institucioneve kompetente shtetërore propozimet, rekomandimet dhe jep mendimet e veta në lidhje me këtë.

6. Jep propozimet, rekomandimet dhe mendimet e veta në lidhje me realizimin e të drejtave për përfaqësimin përkatës në organet shtetërore, organet e vetëqeverisjes lokale dhe në shërbimet publike, në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe dispozitat e tjera, si dhe me aktet ndërkombëtare të cilat i ka pranuar Mali i Zi, dhe i përkasin të drejtave të pakicave etnike dhe nacionale për pjesëmarrje dhe përfaqësim përkatës në punët publike, duke përfshirë edhe punët të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së pakicave etnike dhe nacionale.

7. Bashkëpunon me organizatat dhe institucionet e Kombeve të Bashkuara, Këshillit Evropian, Unionit Evropian, OEBS-in dhe me organizatat dhe institucionet tjera ndërkombëtare, të cilat në punën e vet, si pjesë e aktiviteteve të rregullta të tyre, realizojnë kontakte me përfaqësues të pakicave etnike dhe nacionale dhe me organizatat dhe institucionet e tyre.

 

 

2. ZGJEDHJET, Të DREJTAT DHE OBLIGIMET E KëSHILLIT

 

Neni 10

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Nacional bëhet në bazë të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave („Gaz.zyrtare“ nr.31/2006, 51/2006 dhe 38/2007) dhe të Rregullave per Zgjedhjet e Para te Keshillit („Gaz.zyrtare“ nr.46/2007) të pakicave nacionale

 

Neni 11

Numri i anëtarëve të Këshillit është 35. Këshilli mund të punojë nëse në mbledhje është e pranishme shumica e anëtarëve, ndërsa vendos me shumicën e votave të të pranishmëve. Këshilli bie Statutin, Rregulloren e Punës, Programin e Punës, Buxhetin, Bilancin përfundimtar; vendos për zgjedhjen dhe shkarkimin e kryetarit, sekretarit dhe për rastet e tjera të përcaktuara me ligj, më këtë Statut ose me Rregullore. Këshilli vendos me votim të hapur, përveç në rastet e zgjedhjes dhe shkarkimit të kryetarit, sekretarit ose kur votimin e fshehtë e kërkon kryetari ose 1/3 e anëtarëve të Këshillit.

 

Neni 12

Mbledhjen e Këshillit e thërret kryetari, në pajtim me programin e punës dhe nevojat, së paku dy herë në vit.

 

Neni 13

Funksionarët e Këshillit janë: kryetari i Këshillit dhe sekretari i Këshillit.

 

Neni 14

Mandati i anëtarëve zgjatë 4 vjet.

 

Neni 15

Të drejtat e anëtarit të Këshillit janë:

1. të marrë pjesë në përgatitjen, zbatimin, si dhe në kontrollin e zbatimit të vendimeve të Këshillit,

2. të kërkojë shpjegim nga funksionarët e Këshillit, si dhe nga kryetarët e komisioneve të Këshillit, të cilët janë të obliguar të japin përgjigje,

3. që pa të drejtën e vendimit të marrë pjesë në punën e komisioneve,

4. që në bazë të autorizimit te kryetarit të përfaqësojë Këshillin,

5. që nga funksionarët e Këshillit të kërkojë shpjegime të nevojshme për punën e tij, si dhe ndihmë profesionale.

 

Obligimet e anëtarit të Këshillit janë:

1. të marrë pjesë aktive në punën e Këshillit, si dhe në punën e komisionit,anëtar i të cilt është,

2. që me shkrim apo me gojë ta njoftojë kryetarin, sekretarin e Këshillit ose kryetarin e komisionit nëse nuk mundet të marrë pjesë në mbledhje apo të kryejë ndonjë detyrë.

3. të dorëzojë raportin mbi kryerjen e detyrës, të cilën e ka marrë nga Këshilli apo nga komisioni.

 

Neni 16

Anëtarit të Këshillit i pushon mandati:

1. me ndërprerjen e mandatit të Këshillit,

2. në rast vdekjeje,

3. me paraqitjen e dorëheqjes,

4. me ndërprerjen e funksonit anëtarit të zgjedhur sipas automatizmit,

5. nëse me vendim te plotefuqishem gjyqësor i është marrë aftësia për punë,

6. nëse me vendim te plotefuqishem gjyqësor është i dënuar me burgim pakusht me gjate se 6 muaj,

7. me humbjen e të drejtës elektorale.

 

 

3. MANDATI I KëSHILLIT

 

Neni 17

Mandati i anëtarëve të Këshillit zgjat nga mbledhja konstitutive e Këshillit deri në mbledhjen konstitutive të Këshillit të ri të posazgjedhur. Mandati i Këshillit ndërpritet në rastet e tjera të përcaktuara me ligj.

 

 

4. KOMPETENCAT E KëSHILLIT

 

Neni 18

Këshilli:

1. prezenton dhe përfaqëson pakicën nacionale shqiptare,

2. bie Statutin e vet, Rregulloren e Punës, Programin e Punës, Buxhetin, Bilancin përfundimtar dhe aktet e tjera,

3. krijon (zgjedh) organet e veta, zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe sekretarin e Këshillit,

4. përcakton organizimin dhe detyrat e trupave të veta të punës, formon komisionet e veta dhe jep pëlqimin për emërimin e anëtarëve të trupave konsultative të punës,

5. miraton buxhetin dhe bilancin përfundimtar,

6. përfaqëson pakicën nacionale shqiptare në fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe dhe kulturës,

7. merr pjesë në procesin e marrjes së vendimeve në fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe dhe kulturës,

8. merr pjesë në punën e Fondit të pakicave në shpërndarjen e mjeteve për punën e Këshillave të pakicave nacionale,

9. propozon regjistrimin e numrit të caktuar të studentëve në Universitetin e Malit të Zi,

10. propozon regjistrimin e numrit të caktuar të studentëve edhe në universitete jashtë Malit të Zi,

11. merr pjesë në marrjen e vendimeve dhe mënyrën e prezentimit të trashëgimisë kulturoro-historike të pakicës nacionale shqiptare,

12. propozon simbolet nacionale, shenjat dhe festat e pakicës nacionale shqiptare,

13. merr pjesë në hartimin e planeve mësimore për lëndët të cilat shprehin veçantinë e pakicës nacionale shqiptare në lemijt e gjuhes, historis, kultures, artit e vecorive te tjera..

14. në Komunat (njësitë e vetëqeverisjes lokale) në të cilat shumicën ose një pjesë të konsiderueshme të popullsisë e përbëjnë shqiptarët, Këshilli merrr pjesë në sjelljen e programeve zhvillimore të komunës, planeve hapësinore dhe urbanistike, buxhetit dhe akteve të përgjithshme, me të cilat rregullohen të drejtat dhe obligimet e qytetarëve,

15. merr pjesë në planifikimin dhe themelimin e institucioneve edukativo-arsimore,

16. themelon institucione në fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe dhe kulturës, themelon edhe fondacione,

17. i jep mendimin organeve të shtetit, njësive të vetëqeverisjes lokale, me rastin e marrjes së vendimeve për çështjet nga fusha e përdorimit zyrtar të gjuhës, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe dhe kulturës,

18. jep mendimin për zgjedhjen e drejtorëve të institucioneve shkollore në pajtim me nenin 18 të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave,

19. nis iniciativën për ndërrimin e dispozitave dhe akteve të tjera me të cilat rregullohen të drejtat e pakicës nacionale shqiptare,

20. i drejtohet organeve të shtetit, si dhe atyre të vetëqeverisjes lokale në lidhje me çështjet të cilat kanë të bëjnë me pozitën dhe të drejtat e pakicës nacionale shqiptare,

21. kryen autorizime të besuara nga fusha e përdorimit zyrtar të gjuhës, arsimimit, informimit në gjuhën shqipe dhe kulturës, krahas sigurimit të mjeteve financiare të nevojshme për zbatimin e këtyre autorizimeve,

22. ia parashtron kryetarit të Malit të Zi iniciativën që të mos shpall ligjin me të cilin shkelen të drejtat e pakicave dhe pjesëtarëve të tyre,

23. ka të drejtë t’i paraqesë ankesë Gjyqit kushtetues në rast se vlerëson që ka ardhur deri te cënimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të pjesëtarëve të pakicës nacionale shqiptare, ose në rast se i drejtohet pjesëtari i pakicës nacionale shqiptare i cili mendon se është cënuar në të drejtat dhe liritë e veta kushtetuese,

24. me vëmendje të posaçme përcjell dhe ndihmon përmirësimin e pozitës së pjesëtarëve të pakicës nacionale shqiptare në diasporë,

25. mban raporte me pjesëtarët e pakicës nacionale shqiptare jashtë kufijve të Malit të Zi,

26. në bazë të interesave të përbashkëta dhe barazisë bashkëpunon dhe lidh marrëveshje me organizatat, institucionet vendore dhe të huaja dhe me njësitë e vetëqeverisjes lokale,

27. paraqet aspiratën dhe interesin e pakicës nacionale shqiptare, e cila jeton si popull autokton në territorin e Malit të Zi, e të cilat kanë të bëjnë me çështjet e vetëqeverisjes së pakicave para organeve dhe organizatave vendore dhe të huaja, si dhe para organeve dhe organizatave të shtetit amë,

28. jep kontributin e vet në azhurnimin dhe hartimin e listës zgjedhore së pakicës nacionale shqiptare, e cila jeton në territorin e Malit të Zi,

29. bie vendimet për mënyrën e kryerjes dhe kompenzimet për kryerjen e punëve profesionale, administrative, teknike dhe punëve të tjera të Këshillit,

30. bie vendimin për shpërblimet, kompenzimet dhe rrogat për kryetarin, sekretarin, anëtarët e Këshillit dhe bashkepuntoret,

31. bie vendimin për bashkëpunim me Këshillet e pakicave nacionale të tjera, organizatat joqeveritare dhe me organizatat dhe institucionet e tjera në vend dhe jashtë,

32. emëron dhe shkarkon, me propozim të kryetarit, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve,

33. shqyrton dhe miraton raportet e komisioneve të cilat i zgjedh dhe emëron,

34. Këshilli në bashkëpunim me organet kompetente për çështje kadrovike kujdeset për përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në shërbimet publike, organet e pushtetit shtetëror, të vetëqeverisjes lokale dhe për përfaqësimin proporcional autentik në Parlamentin e Malit të Zi, Parlamentin e vetëqeverisjes lokale, ku shqiptarët janë autoktonë,

35. vendos për mirënjohjet dhe shpërblimet,

36. Këshilli përcakton se cilat dokumente dhe të dhëna konsiderohen sekrete,

37. kryen kompetencat e tjera të përcaktuara me ligj. Këshilli mund t’ia besojë organeve të veta kryerjen e disa kompetencave. Të drejtën e propozimit të akteve dhe vendimeve nga kompetencat e Këshillit e ka çdo anëtar i Këshillit.

 

Neni 19

Këshilli do te marrë në shqyrtim te gjitha ato çështje të cilat nuk janë përfshirë në këtë Statut, por janë me interes për shqiptarët.

 

Neni 20

Këshilli sipas nevojës dhe mundësive do të angazhojë ekspertë e konsultantë për çështje më interes.

 

Neni 21

Anëtarët e Këshillit kanë të drejtë për shpërblim dhe kompenzim të rregullt të shpenzimeve, të cilat kanë dalë nga puna në Këshill. E drejta për shpërblim dhe kompenzim të rregullt të shpenzimeve rregullohet me vendim të posaçëm të Këshillit.

 

Neni 22

Organet e Këshillit janë:

– kryetari,

– sekretari.

 

Neni 23

Trupat e përhershme të punës janë:

1. Komisioni i dispozitave ,

2. Komisioni i bashkëpunit me Shqipërinë dhe shqiptarët në vendet tjera,

Komisioni i raporteve me shtetin,

Komisioni i arsimit,

Komisioni i informimit,

Komisioni i përdorimit zyrtar të gjuhës,

Komisioni i kulturës,

Komisioni i financave dhe ekonomisë,

Komisioni i rregullimit hapësinor,

Komisioni i turizëmit, sportit dhe mjedisit jetësor,

11. Komisioni i bujqësisë,

12. Komisioni i parashtresave dhe ankesave.

 

Organizimi dhe mënyra e punës së Këshillit rregullohen më detajisht me Rregullore të punës.

 

 

III. KRYETARI I KëSHILLIT

 

Neni 24

Këshilli ka kryetarin, i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve të vet.

 

Neni 25

Këshilli e zgjedh kryetarin me votim të fshehtë. Mandati i kryetarit zgjate 4 vite. Te drejtë kandidimi për kryetar ka secili anëtar i Këshillit që ka përkrahjen – me nënshkrime të më së paku 5 anëtarëve të Këshillit. Anëtar i Këshillit mund të përkrah vetëm një kandidat.

 

Neni 26

I zgjedhur konsiderohet ai kandidat/kandidate që ka fituar më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të Këshillit. Në qoftë se asnjë kandidat nuk ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhje, atëherë votimi përsëritet për dy kandidatët (ose nje kandidat) që kanë (ka) fituar më së shumti vota në votimin e parë. Ne raundin e dyte i zgjedhur konsiderohet ai kandidat/kandidate që ka fituar më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të pranishem qe kane votuar.

 

Neni 27

Kryetari i Këshillit për punën e vet i përgjigjet Këshilllit.

 

Neni 28

Kryetari ka të drejtë për shpërblim dhe kompenzim të rregullt të shpenzimeve, të cilat kanë dalë nga puna në Këshill.

 

Neni 29

Rregullat për zgjedhjen dhe shkarkimin e kryetarit të Këshillit përcaktohen me Rregulloren e Punës së Këshillit.

 

 

DETYRAT E KRYETARIT Të KëSHILLIT

 

Neni 30

 

Detyrat e kryetarit të Këshillit prezenton dhe përfaqëson Këshillin, propozon planin e punës së Këshillit, thërret dhe kryeson mbledhjet e Këshillit, parashtron raportin mbi kryerjen e kompetencave të besuara, kujdeset për evidentimin e pyetjeve të bëra nga ana e anëtarëve të Këshillit dhe ndjek procesin e dhënies së përgjigjeve në to, ndihmon punën e anëtarëve të trupave punuese të Këshillit, emëron dhe shkarkon, me propozim të kryetarëve të komisioneve dhe të trupave të tjera punuese, anëtarët të komisioneve dhe të trupave të tjera punuese, përkohësisht deri në vendimin e Këshillit, emëron dhe shkarkon trupat e përkohshme punuese, duke i dhënë me aktin mbi themelimin, një pjesë të kompetencave nga fushëveprimi i vet, nënshkruan Buxhetin dhe është urdhërdhënës i planit financiar të Këshillit, lejon udhëtimet zyrtare në vend dhe jashtë, duke pasur parasysh mjetet me të cilat disponon, 11. parashtron kërkesën për sigurimin e mjeteve për punën e Këshillit, 12. kujdeset për transparencën e punës së Këshillit, kujdeset për administrimin e dokumentacionit mbi punën dhe ruajtjen e arkivit të Këshillit, nënshkruan vendimet dhe aktet tjera të Këshillit dhe procesverbalin nga mbledhja e Këshillit, ka të drejtë të inicojë thirrjen e mbledhjes së komisioneve të Këshillit, përgjigjet për ligjshmërinë në punën e Këshillit, drejton punën e Zyrës së Këshillit, në pajtim me vendimet e Këshillit dhe në bazë të kompetencave të veta, përcakton punët e Zyrës në lidhje me organizimin e punës, përgatitjeve dhe zbatimeve të vendimeve të Këshillit me propozim të sekretarit. Kryetari kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj, me këtë Statut dhe me aktet e tjera të Këshillit.

 

 

PUSHIMI I MANDATIT Të KRYETARIT Të KëSHILLIT

 

Neni 31

Mandati i kryetarit pushon:

1. me dhënien e dorëheqjes,

2. me ndërprerjen e anëtarësisë në Këshill,

3. me shkarkim.

 

 

IV SEKRETARI I KëSHILLIT

 

Neni 32

Sekretarin e Këshillit e zgjedh Këshilli me votim të fshehtë. Mandati i sekretarit zgjate 4 vite. Te drejtë kandidimi për sekretar ka secili anëtar i Këshillit që ka përkrahjen – me nënshkrime të më së paku 5 anëtarëve të Këshillit. Sipas regullës, për sekretar të Këshillit mund të zgjidhet personi i cili ka të kryer fakultetin juridik apo ekonomik. Anëtar i Këshillit mund të përkrah vetëm një kandidat.

 

Neni 33

I zgjedhur konsiderohet ai kandidat/kandidate që ka fituar më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të Këshillit. Në qoftë se asnjë kandidat nuk ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhje, atëherë votimi përsëritet për dy kandidatët (ose nje kandidat) që kanë (ka) fituar më së shumti vota në votimin e parë. Ne raundin e dyte i zgjedhur konsiderohet ai kandidat/kandidate që ka fituar më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të pranishem qe kane votuar.

 

Neni 34

Sekretari i Këshillit:

1. udhëheq Zyrën e Këshillit,

2. kujdeset për kryerjen e punëve në lidhje me punën e Këshillit,

3. përgatit propozimvendimet, sjellja e të cilëve bën pjesë në kompetencat e Këshillit dhe kryetarit të Këshillit,

4. kryen kompetencat të cilat ia beson Këshilli dhe kryetari,

5. merr pjesë në punën e Këshillit dhe të trupave të punës të Këshillit,

6. ia tërheq vërejtjen Këshillit, kryetarit të Këshillit ose trupit të punës nëse ekzistojn paligjshmëri,

7. jep mendimin juridik në lidhje me propozimin i cili gjendet në rendin e ditës së Këshillit ose të trupave të punës të Këshillit,

8. kujdeset për kryerjen e punëve organizative në lidhje me punën e trupave të Këshillit,

9. kujdeset për hartimin e procesverbaleve nga mbledhjet e Këshillit dhe i nënshkruan ato,

10. kujdeset për përgatitjen profesionale të propozim vendimeve të Këshillit dhe të trupave të punës të Këshillit,

11. kujdeset për shpalljen dhe botimin e vendimeve të Këshillit,

12. ndihmon kryetarin e Këshillit gjatë përgatitjes dhe thirrjes së mbledhjeve të Këshillit,

13. ndihmon punën e Këshillit, të funksionarëve, trupave të punës dhe të anëtarëve të Këshillit.

 

Neni 35

Sekretari i Këshillit për punën e vet i përgjigjet Këshillit dhe kryetarit të Këshillit.

 

Neni 36

Sekretari ka të drejtë për shpërblim dhe kompenzim të rregullt të shpenzimeve, të cilat kanë dalë nga puna në Këshill.

 

Neni 37

Rregullat për zgjedhjen dhe shkarkimin e sekretarit të Këshillit përcaktohen me Rregulloren e Punës së Këshillit.

 

 

V TRUPAT E PUNëS Të KëSHILLIT

 

Neni 38

Trupat e punës të Këshillit janë: Komisionet dhe trupat e punës konsultative. Anëtari i Këshillit mund të jetë sipas rregullës më së shumti anëtarë i dy trupave të punës të përhershme.

 

Neni 39

Këshilli mund të formojë Komisionet e përhershme dhe të përkohshme. Komisionet e përhershme dhe të përkohshme përgadisin vendime, japin mendime dhe propozime per ceshtje te vecanta qe Keshilli ia cakton per shqyrtim.

 

Komisioni në fushat nga kompetencat e tij:

1. përgatit vendimet e Këshillit,

2. inicon diskutimin mbi propozimet e caktuara sipas procedurës urgjente,

3. jep mendimin në lidhje me propozimet e përcaktuara nga ana e Këshillit,

4. kryen punët tjera të cilat ia beson Këshilli.

 

 

1.KOMISIONET E KëSHILLIT

 

Neni 40

Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit zgjedhet nga radhët e anëtarëve të Këshillit. Numri i anëtarëve të Komisioneve të përhershme mund të jetë nga 3 deri në 9.

 

Neni 41

Për punët administrative lidhur me punën e Komisioneve kujdeset sekretari i Këshillit.

 

 

KOMISIONET E PëRKOHSHME

 

Neni 42

Këshilli per nevojat e veta mund të formojë trupa të punës të përkohshme me vendim të posaçëm. Kompetenca, përbërja dhe kohëzgjatja e mandatit të Komisioneve të përkohshme përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit.

 

 

TRUPAT KONSULTATIVE

 

Neni 43

Këshilli mund të formojë trupa të punës konsultative për përgatitjen e vendimeve, si dhe për dhënien e mendimeve dhe propozimeve.

 

Neni 44

Këshilli mundet që me vendim të posaçëm të formojë edhe trupa të punës konsultative të tjera.

 

 

VI SHëRBIMI PROFESIONAL I KëSHILLIT

 

Neni 45

Për kryerjen e punëve profesionale, administrative, materialo-financiare, teknike dhe punëve të tjera për nevojat e veta Këshilli mund të themelojë Shërbimin profesional. Shërbimin profesional e përbëjnë një ose më shumë persona të angazhuar në kryerjen e punëve nga paragrafi i mëparshëm i këtij neni. Me akte të posaçme Këshilli i rregullon të gjitha pyetjet lidhur me themelimin dhe veprimtarinë e Shërbimit profesional, duke përfshirë të drejtat dhe përgjegjësitë e personave të angazhuar.

 

 

VII. FINANSIMI I PUNëS Së KëSHILLIT

 

Neni 46

 

Finansimi i punës së Këshillit bëhet nga Buxheti i Malit të Zi dhe donacionet.

 

Neni 47

Veprimtaria financiare e Këshillit duhet të jetë e evidentuar në librat afariste dhe të mbajtura sipas dispozitave në fuqi.

 

Neni 48

 

Këshilli ka llogarinë rrjedhëse. Neni 49 Këshilli me aktin e vet sipas nevojës mund të rregullojë më detajisht veprimtarinë materiale dhe financiare të Këshillit.

 

Neni 50

Të hyrat (tëardhurat) dhe të dalat (shpenzimet) e Këshillit përcaktohen me plan financiar, ndërsa financimi bëhet sipas planit financiar dhe vendimeve të Këshillit.

 

 

VIII REALIZIMI I TRANSPARENCëS Së PUNëS

 

Neni 51

Puna e Këshillit është publike. Për realizimin e parimit të transparencës është përgjegjës kryetari. Me qëllim të informimit të opinionit për punën e Këshillit, mund të botohen publikime, buletine dhe të themelohen mjete të përhershme të informimit.

 

 

IX AKTET JURIDIKE Të KëSHILLIT

 

Neni 52

Këshilli nxjerre (bie): vendime, aktevendime, përfundime, propozime, mendime, udhëzime dhe aktet të tjera nga fusha e kompetencës së tij.

 

 

X DISPOZITAT PëRFUNDIMTARE

 

Neni 53

Statuti i Këshillit sillet me shumicën e votave të anëtarëve prezent të Këshillit. Propozimin për ndërrimin dhe plotësimin e Statutit mund ta parashtrojë Kryetari ose së paku ¼ e anëtarëve të Këshillit. Për ndërrimin e Statutit zbatohen rregullat të cilat jane zbatuar per prurjen e tij.

 

Neni 54

Ky Satut hyn në fuqi ditën e aprovimit të tij.

 

KRYETARI,

Tahir Tahiri

Burimi: http://www.knsh.me/statuti.html