“Mali i Zi ne Beneluksin Ballkanik”: Me integrim ekonomik rajonal drejt BE-së

December 9, 2013   | Rajoni / Region

Beneluksi Ballkanik EkonomikPolitikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi diskutuan në një konferenc rajonale në Shkup për idenë e integrimit ekonomik rajonal sipas modelit të Beneluksit.

Ideja për integrimin ekonomik rajonal mes Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, sipas modelit të Beneluksit, promovohet me qëllim të zgjerimit të tregut dhe prosperitetit ekonomik të rajonit e jo për të ndryshuar kufijtë në Ballkan. Bashkëpunimi ekonomik rajonal njëherësh ka për qëllim përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe përgatitjen e vendeve të rajonit për antarësim të plotë në BE, ka theksuar kryetari i Grupit të Veprimit për Integrim Ekonomik Rajonal dhe Evropian, AGREEI me seli në Austri Adrian Shehu. Projekti “Beneluksi Ballkanik”, është vlersuar si tejet i dobishëm për formimin e tregut të përbashkët rajonal, duke e konsideruar ate si një paradhomë për antarësim në BE të vendeve aspirante.

“Beneluksi Ballkanik do të krijonte një treg prej 8 milionë konsumatorësh me lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke sjellë përfitime të menjëherëshme në vend të pritjes për antarësim në BE. Formimi i tregut të përbashkët rajonal aspak nuk ka për qëllim ndryshimin e kufijve. Iniciativa “Beneluksi Ballkanik” është ide e pastër ekonomike, e cila do të ofronte më shumë punë dhe kushte më të mira jetësore për popullsinë e këtyre vendeve”, është shrehur Adrian Shehu , kryetar i AGREEI-t.

Filozofia integruese, “shpëtim “për Ballkanin

Sipas Rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Zamir Dika, thelbësore është të këmbëngulet dhe të tregohet angazhim serioz për të trajtuar këtë iniciativë me temë aktuale në një kohë përballjesh me sfidat e mëdha. Iniciativat bashkëkohore rajonale janë themele mbi të cilat ndërtohet një e ardhme e integruar në ekonominë botërore. “Procesi integrues rajonal përfaqëson një reagim pozitiv ndaj presioneve të pashmangshme të globalizimit. Tendencat bashkëkohore të integrimit çojnë në integrimin ekonomik rajonal duke i kontribuar në masë të madhe hapjes ekonomike ndërkombëtare” , ka thënë rektori Zamir Dika.

Profesori i universitetit, Blerim Reka, mendon se filozofia integruese rajonale duhet të mbështetet dhe ndihmohet pa kompromis. Shembulli i bashkëpunimit të shteteve sipas modelit të Beneluksit, sot nuk është utopi edhe në Ballkan. “Synimi ynë është të instuticionalizojmë Beneluksin Ballkanik si model për një Ballkan të pajtuar, të integruar, Ballkan paqësor, politikisht demokratik, të prosperuar ekonomikisht dhe të gatshëm për antarësim të plotë në strukturat euro-atlantike”, shprehet Blerim Reka.

Profesori Miroljub Shukarov, thekson se ideja e “Beneluksit Ballkanik” duhet të promovohet në opinion, sepse ai para së gjithash ka të bëjë me ekonominë dhe do ti ndihmojë kësaj pjese të Ballkanit që sa më lehtë të integrohet në familjen e përbashkët Evropiane. “Të izoluar dhe individualisht është vështirë të kalohet rruga e quajtur integrim, të bashkuar në veçanti në aspektin ekonomik, rruga drejt Brukselit do të jetë shumë më e lehtë dhe më e shkurtër”, shprehet Shukaorv.

Ekonomia përforcon kapacitetet demokratike

Eksperti për çështje të eurointegrimeve Edmond Hoxha, thotë se nuk ka asnjë dyshim për efektet pozitive të bashkëpunimit rajonal meqë ai është një instrument i fuqishëm për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. “Të jesh i hapur nënkupton liri ekonomike, por gjithashtu edhe konkurencë . Dhe aftësia e shteteve për të konkuruar është një nga kushtet e nevojshme që BE kërkon për tu bërë anëtare me të drejta të plota”, thotë Hoxha.

Pushteti lokal përkrah çdo iniciativ të bashkëpunimit ekonomik rajonal, sepse ekonomia e zhvilluar përforcon kapacitetet demokratike në shoqëri, thotë kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti. “Bashkëpunimi ekonomik rajonal do të ndihmojë për të bindur BE-në se rajoni është pjekur dhe është i gatshëm për t’ju bashkangjitur Unionit. Për krijimin e tregut të përbashkët Ballkanik nevojitet më tepër vullnet politik”, është shprehur Izet Mexhiti.

Shqipe Patina, anëtare e bordit në AGREEI dhe aktiviste në shoqërinë civile të Kosovës, mendon se duhet të mësohet nga historia me të cilën popujt e Ballkanit janë shumë të preokupuar. Roli i shoqërisë civile mud të japë një kontribut domethënës në krijimin e tregut të integruar ekonomik rajonal, thotë Patina. “Ne duhet të shohim patjetër përtej të sotmes. Ajo që është shumë pozitive, është se komuniteti i biznesit nga katër vendet e rajonit, i ka dhënë mbështetje të plotë idesë së “Beneluksit Ballkanik”. Përveç zhvillimit të hovshëm ekonomik, ky projekt do të parandalojë edhe largimin e qytetarëve nga Ballkani drejt vendeve të BE-së”, shprehet Patina.

Komuniteti i bisnesit pro bashkëpunimit rajonal

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore, Menderes Kuçi, thotë se për të gjitha shtetet e Ballkanit që synojnë integrimin në BE, prioritet themelor mbetet bashkëpunimi ekonomik midis vendeve fqinje. Ideja e “Beneluksit Ballkanik” është kuptimplotë për afaristët, por që kjo të jetësohet, kërkohet një angazhim serioz nga të gjitha palët e në veçanti vullnet politik.

“Që të realizohet kjo ide , fillimisht duhet të bëhet harmonizimi i legjislaturës dhe shqyrtimi i mundësisë për krijimin e një tregu unik ndërmejt katër shteteve, duke mos anashkaluar edhe shtete të tjera që do të dëshironin të ishin pjesë e kësaj nisme “, shprehet Kuçi. Benefitet nga integrimi rajonal ekonomik janë të ndryshme duke filluar nga rritja e dukshme e tregut unik, akcesi në fondet e BE-s, zvoglimi i papunësisë dhe përmisimi i standardit jetësor të qytetarëve. Përfitimi nga integrimi rajonal ekonomik do të jetë një shans i mirë edhe për heqjen e barierave midis vendeve fqinje , kanë theksuar pjesmarësit në konferencën rajonale ku është debatuar për projektin “Beneluksi Ballkanik“.

Deutsche Welle