Nikollë Camaj: Duam komunë e jo eksperimente

December 29, 2013   | Rajoni / Region

nikolle-camajËshtë ngritur mjaft pluhur mbi statusin e ardhshëm të Komunës urbane të Tuzit. Përderisa në Malësi pritet për datën e referendumit për Komunë, tani erdhi një propozim i ri.

Kryetari i Komunës së Podgoricës, Miomir Mugosa paralajmëroi se në fillim të vitit të ardhshëm do të zhvillohen bisedime me përfaqësues të të gjitha subjekteve politike shqiptare, ku përmes ndryshimit të Ligjit për kryeqytetin dhe financimit të vetëqeverisjes lokale, do të vihet deri te Komuna e Tuzit, siç tha ai, me kapacitete të plota dhe autonomi më të gjerë.

Sipas tij, Tuzi do të fitojë ashtu sikur edhe vetëqeverisjet tjera lokale, menaxhimin e buxhetit të tyre që do të trajtojnë pagat e të punësuarve në administratë dhe do të përcaktonin prioritetet e infrastrukturës në territorin e Malësisë, por do të mbesin pjesë e Podgoricës. Mugosa ka thënë se një komunë e tillë do të kishte shkallë më të gjërë të autonomisë, siguri më të madhe dhe do të kishte në kompetencë direkte burimet financiare.

Këshilltari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Kuvendin e KU Tuz, Nikollë Camaj, nuk është i kënaqur me ata çka po ofrohet.
Camaj në lidhje me ofertën e re ka thënë se çdo dy apo tre muaj po ofrohet diçka ndryshe, diçka e re, por assesi ajo që është e drejtë themelore e qytetarëve, e ajo është e drejta në vetëqeverisje lokale .

“Kjo është një përpjekje e re për një tjetër eksperiment që unë shpresoj se nuk do të gjejë aleatë, edhe pse përvoja me thotë se do të gjejë. Deri sa nuk e shohim propozimin nuk do të merrem me ofertën e Kryebashkiakut Mugosa . Megjithatë duhet të them edhe këtë. Ti ofrohet Malësisë më pak se çfarë i është ofruar Petnjicës dhe Gucicë, mendoj se është e tallje drejtpërdrejtë me gjithë ne por dhe demokracinë në përgjithësi,” përfundoi Camaj. /MALESIA.ORG/