Koalicioni shqiptaro – malazezë; Cilën parti do ta zgjedhë DPS-i

January 16, 2014   | Shtypi / Mediji

Komuna e UlqinitVota për DPS-in dikur ishte turp, e sot e japim të gjithë, me apo pa dëshirë

Arsyeja e vetme pse në këtë faqe deri sonte nuk keni parë asnjë postim lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Ulqin është sepse nuk ka asgjë për të thënë.

Po, për ju që keni fatin e mirë e nuk e keni ditur, në Ulqin përsëri ka zgjedhje. Ato mbahen më 26 janar dhe mbi 19,000 ulqinakë do të mund të zgjedhin midis 9 listave zgjedhore.

Përsëri ka ardhur koha që ne pak shqiptarë që kemi mbetur aty të grindemi e përçahemi. Ka ardhur koha të bëjmë me gisht kah njëri tjetri. Ka ardhur koha që kojshitë të mos flasin sepse i takojnë partive të ndryshme.

Po për ju kojshi, që nuk flisni për inat të përkatësive politike, unë kam një lajm të mirë: ju të gjithë për një parti jeni. Po po, të gjithë i jepni votën të njëjtës parti. Ndoshta edhe se keni ditur, por kjo është e vërtetë.

Të gjithë ne, deshtëm apo nuk deshtëm, votën do ja japim DPS-it. Partia Demokratike Socialiste, apo siç e njeh populli DPS ose partia e Milos, duket se do të rithehet në pushtet në Ulqin pa u lodhur fare. E pyetja e vetme që shtrohet është cila nga partitë shqiptare do ta ketë nderin të qeverisë me ta kësaj radhe?

Gara e partive shqiptare në Ulqin kësaj rradhe nuk është për qytetarët e Ulqinit, nëse nisemi nga të menduarit se gara më herët ka qenë sinqerisht për ta. Kësaj rradhe, gara sillet rreth asaj se kush do të jetë i zgjedhuri i DPS-it. Cilën parti do ta zgjedhë DPS-i që të qeverisë Ulqinin me ta?

Kësaj rradhe të gjithë grinden për votën e qytetarit që të mund të ja japin atë DPS-it. E më kujtohet koha kur DPS-hat ishin pakicë e “shqiptarët patriotë” ua bënin me gisht. Sot ska mbetur kush për të drejtuar gishtin në asnjë anë, falë politikanëve tanë.

E kështu pra, ju kojshi që po grindeni, mosni se zgjedhjet kalojnë. Të gjithë me një parti jemi.

Gëzuar !

Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro Facebook