Kush duhet të na udhëheqë Ulqinin

January 23, 2014   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Kush duhet të na udhëheqë UlqininShkruan :

Esat Mehmeti, gazetar i radio Ulqinit  

                       Kush duhet të na udhëheqë ?

 

Në rrethanat kur po përballemi me sfidat e ndërtimit demokratik, në periudhën e krizës ekonomike e cila është duke e përcjellë vendin tonë të varfër, tani e dy dekada, po t’i shtohet kësaj edhe kriza ekonomike globale, përmes të cilës po kalon ekonomia botërore, mund të thuhet se, tërë kjo e ka vënë në pikëpyetje dinamikën dhe rritjën e zhvillimit ekonomike të vendit. Edhe pse faktori politik përpiqet për të bindur, se do të kemi një të ardhme më të mirë, del se, brenda “vijës së verdhë” të kësaj situate sa ekonomike, aq edhe politike, takohemi me një realitet shqetësues, që kërkon ndërhyrje për ndryshimin e shpejtë të gjendjes në ecurinë e progresit ekonomik të vendit .

Nisur nga faktet, shqetësimi duhet të shëndërrohet në alarm, qoftë për shkallën e krizes, qoftë për strategjinë e daljes nga “anemia” ku jemi zhytur. Dekleratat e faktorit politik për “rritje ekonomike, rritje investimesh, rritje të mirëqenies, reforma strukturore, privatizime, gjallërim të iniciativës së lirë” etj,etj. ,kontestohen nga fakti, që kemi si tregues jo fuqizimin, por rrënimin e ekonomisë. Deri më tani, së paku në këto dy dekadat e fundit, pothuaj, asnjë aksion i bërë me ekonominë tonë, nuk është shoqëruar me efekte përmirësuese të drejtpërdrejta në mirëqenien e popullatës. Andaj, për të maskuar këto politika dështuese e denigruese në ekonomi, qeveria ka krijuar raporte jotransparente me ndikim në zhvillimin progresiv të ekonomisë në këtë mjedis.

Qeveria, së bashku me politikanët tanë, nuk po bëjnë asnjë kujdes për ruajtjen e ekuilibreve jetikë në këtë mjedis. Zhvillimi ekonomik i vendit duhet mbështetur jo vetëm me konstatime e deklerata, por me aksione konkrete. Treguesi më i qartë i uljes ekonomike është niveli i lartë i varfërisë, sespe të deklarosh rritje ekonomike, do të thotë të kesh ulje të dukshme të varfërisë. Para së gjithash, është mirë, të shtohet diçka më tepër në xhepat e njerëzve dhe të plotësohet më tepër tavolina e bukës së kësaj popullate, e jo vetëm të hartohen tabela me rritje të lartë ekonomike .

Sipas të dhënave statistikore del se, krahas papunësisë së madhe është edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve me elementare. Në anën tjetër, pagat e ulta që s’përmbushin as nevojave elementare të jetës në familje, ato dhe vonohen me muaj të tërë. Një numër i madh i popullsisë jeton në varfëri të skajshme. Lufta për ekzistencë behet e papërballueshme.Çdo vit e më tepër “prodhohen” numër i madh i të papunëve aktivë. Çdo vit e më tepër largohen nga vendi të rinj e familjar. Beteja për mbijetesë është më e egër se kurrë ndonjëherë në këto dy dekadat e fundit. Por, për më tepër, kësaj krizë i shtohet edhe gjendja e trasheguar nga e kaluara. Kjo është edhe pasojë e problemeve të grumbulluara gjatë viteve të shkuara. Këto dhe të tjera fakte, janë dhe duhet të jenë treguesit me të mirë për matjen e rritjës ose rëniës ekonomike të një vendi. Janë rritja ose ulja e mirëqenies dhe jo tabelat statistikore që hartohen në zyrat e pushtetarëve tanë. Edhe pse, mendoj se Ulqini ka një të ardhme të mirë, nga se ka një pozitë të mirë dhe resurse të vlefshme natyrore që Zoti di t’i falë, por këto duhet ditur, ruajtur dhe shfrytëzuar mirë. Ulqini me rrethinë, ka resurse të mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat e kësaj popullate, por pushteti qendror prej vitesh është inferior, madje, Ulqini është jashtë loje. Mirëpo, nga ana tjetër, nëse  mes subjekteve shqiptare  edhe më tutje  nuk do të kemi një konsulidim të përbashkët, atëherë mundësitë për ndryshime pozitive do të  jenë edhe më të vogla .

Të gjitha përvojat e vendeve të zhvilluara dëshmojnë se rrugëdalja qëndron në përzgjedhjen e kuadrove që posedojnë shkathtësi dhe dituri menaxhuese. Andaj, para nesh janë zgjedhjet e parakohëshme lokale. Atëherë, shtrohet pyetja, me cilat kritere t’i votojmë liderët tanë të cilët na “mundësojnë “dalje nga kriza ekonomike dhe japin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për qytetarët tanë  dhe për  këtë mjedis ?.

Mendoj, se zgjedhja e duhur e liderëve me veti udhëheqëse demokratike, patjetër duhet të posedojë kulturë, aftësi dhe dije menaxhuese për udhëheqje të institucioneve lokale dhe shtetërore, funksione të sistemit politik dhe ekonomik. E tërë kjo le të mbetet një përkujtues ndoshta i vlefshëm i vlerësimit të secilit nga ne qytetarët me rastin e votimit. Kam besim se këto konstatime vlerësuese sado pak do të na ndihmojnë që t’i votojmë kandidatët të cilët e meritojnë.