A do bashkohen këta tre burra që të shpëtojnë fytyren e Ulqinakëve?- Video

January 27, 2014   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti

cungu-gjeka-zenkaPër herë të parë pas 24 viteve pluralizëm në Mal të Zi, në Ulqin zgjedhjet i ka fituar një parti malazeze. Kjo parti tani po mendon se me kë e ka më të lehtë të krijojë qeverinë e ardhshme lokale.

E megjithatë, ekziston një alternativë. Shqiptarët, ani pse në zgjedhje dolën të ndarë, e rezultati i kësaj përçarje po shihet, e kanë ende një mundësi për të qeverisur.

Për të krijuar pushtetin në Ulqin nevojiten 17 ulëse në Kuvendin e qytetit. Forca e re demokratike në këto zgjedhje ka fituar 9 ulëse, e pasuar nga Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” – Partia Demokratike, Perspektiva dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi – i cili ka fituar 7 ulëse. Unioni demokratik i Shqiptarëve ka fituar 3 ulëse. Bashkë këta 3 lista zgjedhore kanë 18 ulëse në Kuvendin lokal, numër i cili siguron pushtetin.

Por, a do të bashkohen këta tre burra për të shpëtuar fytyrën e Ulqinakëve? Apo ndoshta këta tre burra nuk do të mund të merren vesh se kujt t’i takojë ulësja e kryetarit të qytetit e kujt ajo e kryetarit të Kuvendit? A do mund të merren vesh këta burra se kush do udhëheqë me departamente të ndryshme të komunës? Apo ndoshta këta tre burra as që e kanë ndërmend të bisedojnë për një gjë të tillë? Ndoshta për ta ky opsion nuk do të shqyrtohet fare, ose do të shqyrtohet sa për sy e faqe, ashtu siç u shqyrtua opsioni i bashkimit për zgjedhjet parlamentare, e i cili dështoi ende pa nisur mirë. E kjo “tentativë” do ju shërbejë, si edhe më heret, për të fajsuar njëri tjetrin për dështimin e iniciativës.

A do të mendojnë një herë të vetme këta tre burra për të mirën e qytetarit, për të mirën e shqiptarëve në Ulqin? Ne qytetarët gabuam, kush me dëshirë, kush nga mosdija, e kush nga kushtet e vështira me të cilat po manipulon shtresa politike. Por a do gabojnë edhe këta tre burra e do lejojnë këtë njollë në historinë e Ulqinit të shqipeve?

Nazif, Fatmir e Mehmet, mendojini mirë veprimet tuaja sepse ju do shkruani historinë tonë, ju do vizatoni të ardhmen tonë. Mos shkatërroni atë për çka të parët tuaj e tonët kanë dhënë edhe jetën. Mendoni mirë …

 

Burimi: Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro Facebook

YouTube Preview Image