Vajzat e KK “Ulqini” nënkampione të Malit të Zi

March 11, 2014   | Sporti / Sport
Vajzat e KK Ulqini nënkampione të Malit të Zi-Të dielën, më 9 mars 2014 në Podgoricë u mbajt Kampionati i Karatesë së Malit të Zi për Seniorë. Klubi i karatesë “Ulqini” u rendit në vend të tretë në renditjen e përgjithshme. Në vend të parë u rendit KK “Buduqnost” nga Podgorica, ndërsa vendi i dytë i takoi KK “Omlladinac” po ashtu nga Podgorica.

Ekipi i vajzave u shpall nënkampion i Malit të Zi në kata dhe luftëra, duke ruajtur kështu renomenë e deritashme, e cila është për çdo lëvdatë. Të rikujtojmë, edhe viti i shkuar për vajzat tona ishte vit i sukseseve të arta – ato ishin të argjendta në Kampionatin e Malit të Zi dhe të arta në Kampionatin Mbarëkombëtar.

Ekipet të cilat u shpallën nënkampion të Malit të Zi janë në këtë përbërje: ekipi i luftërave Seida Suma, Hantije Ibroçi, Antigona Rama dhe Venesa Nuhi dhe ekipi i katave Seida Suma, Antigona Rama dhe Venesa Nuhi. Të gjitha garueset u kurorëzuan me medalje të argjendta në të dy ekipet.

Në luftëra individuale nënkampione të Malit të Zi u shpallën Seida Suma +68kg dhe Hantije Ibroçi -68kg, kurse me medalje të bronztë u kurorëzuan Venesa Nuhi -50kg dhe Antigona Rama +68kg.

-Kjo është edhe një arritje e shkëlqyeshme e klubit tonë, sepse nuk është lehtë të jesh në mesin e tre më të mirëve në konkurrencën e seniorëve. Klubet e tjera në renditje më poshtë ishin dukshëm më të dobët se ne – ne kishim 10 pikë, ndërsa të tjerët 4 pikë e më pak. Do të vazhdojmë të punojmë me të rinjtë tanë, që edhe në të ardhmen të marrim pjesë me sukses edhe në gara të tjera për seniorë dhe për gjenerata të tjera, – shprehet i kënaqur trajneri Naim Duraku, i cili edhe i udhëhoqi në këtë garë.

Për ndihmën e dhënë për pjesëmarrje kësaj radhe falënderojmë restaurantin “Rozafa”, restaurantin “Ponte”, picerinë “Amarillo”, “Arb international”, “Kabellux” dhe “B-market”, si dhe drejtorin për marketing të klubit Skender Tahirin, i cili, si përherë, u angazhua maksimalisht në mbledhjen e mjeteve nga sponzorët e lartëpërmendur.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”