Drama shqiptare “Allegretto Albania”, në skenën teatrore të Malit të Zi

April 11, 2014   | Kulturë / Kultura

Drama shqiptare -Allegretto AlbaniaNë Teatrin Kombëtar të Podgoricës në Malin e Zi, do jepet premiera e dramës “Allegretto Albania” e dramaturgut Stefan Çapalikut në gjuhën malazeze. Vepra, e cila për herë të erdhi si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar para disa vitesh, bëhet dhe drama e parë shqiptare që vihen në skenën malazeze. Përkthimi i tekstit u realizua nga përkthyesi i njohur i shqipes në Malin e Zi, Agron Camaj. Për realizimin e këtij produksioni teatror, që vjen në skenë më 15 prill u angazhua trupa profesioniste e Teatrit Kombëtar malazez e drejtuar nga Janko Ljumovic. Janko Ljumovic prej kohësh po tenton ta hapë teatrin që ai drejton drejt trendeve më të reja të dramaturgjisë bashkëkohore.

Është hera e parë që një autor shqiptar bëhet pjesë e repertorit të këtij teatri, që shquhet për produksione dhe bashkëpunime të rëndësishme në rajon. Regjisori i kësaj pjese do jetë Idriz Gjokaj, një i ri shqiptar nga Mali i Zi, të cilit i është dhënë shansi të punojë dhe të promovohet në skenën e Teatrit Kombëtar të këtij vendi. Në rolet kryesore luajnë Mirko Vlahovic në rolin e babait, Gorana Makovic në rolin e nënës, Slavko Kalezic në rolin e djalit të madh, Petar Buric në rolin e djalit të vogël, Dragan Racic në rolin e mësuesit, Jelena Minic në rolin e spikeres dhe Miso Obradovic në rolin e Satedinit. Ky është produksioni i pestë i dramës “Allegretto Albania”, që nga viti 2006, kur edhe fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar të dramës organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Premiera botërore e “Allegretto Albania” u realizua në vitin 2007 nga Teatri i Kombësive të Shkupit me regjisor Alfred Trebickën, produksion ky që përfaqësoi këtë teatër në Festivalin Ndërkombëtar të Ohrit po atë vit. Produksioni i dytë ishte ai i vitit 2009 i Teatrit Kombëtar të Tiranës me regjisor Altin Bashën. Në qershor të vitit 2010, ky teatër me “Allegretto Albania” përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë në Bienalen “New plays from Europe” në Wiesbaden e Mainz të Gjermanisë, ku dhe mori çmimin e parë nga Forumi Ndërkombëtar i Kritikës. Produksioni i tretë i kësaj drame u realizua nga Teatri Odeon i Bukureshtit në vitin 2010, nën drejtimin e regjisorit Cristian Dumitru. Në Nëntor të vitit 2011 regjisori amerikan Joe Martin organizoi premierën e katërt të kësaj vepre në Ambassador Theater në Washington DC.

SOT NEWS