Shqiptarët e Malit të Zi ndihen të diskriminuar

April 11, 2014   | Rajoni / Region

Shqiptarët e Malit të ZiShqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, ndihën të diskriminuar nga pushteti malazez. Ata theksojnë se jetojnë në gjendje të mjerueshme, pa të drejta të plota, që i takojnë një komuniteti dhe pa përkrahje nga shteti. Si pasojë e kësaj, ata kanë protestuar në Mal të Zi dhe Uashington për t`i kërkuar të drejtat e tyre.

Pajazit Krasniqi

Mohimi i të drejtave të shqiptarëve nga pushteti i Malit të Zi, po bënë që një pjesë e Malësisë së Madhe dhe atyre vendeve që jetojnë shqiptarët, të boshatisen në tërësi. Kështu konstaton Vasil Camaj, aktivist nga Malësia e Madhe. Sipas tij, shqiptarët që jetojnë në shtetin malazez, janë të diskriminuar dhe gjendja e tyre politike, ekonomike e sociale, po vjen duke u rënduar dita ditës.

“Gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është e mjerueshme për vet faktin se atje po vazhdohet politika asimiluese në vazhdimësi. Arsimimi pothuajse ka vetëm në nivelin e shkollave fillore dhe atë të mesme, edhe pse janë degraduar dhe çdo ditë bëhet presion që edhe ajo të shkatërrohet”

Në kundërshtim të politikës aktuale të qeverisë malazeze dhe në kërkim të drejtave të tyre, këto janë organizuar edhe protesta, në Mal të Zi si dhe në Uashington. Anton Lulgjuraj, organizator i protestës, i tha Radio Kosovës se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e të drejtave të tyre nga shteti malazez.

“Gjithçka që kemi bërë për të mirën e atij vendi, nuk kemi mundur t`i realizojmë ashtu siç duhet me qeverinë e Malit të Zi. E tani nuk na ka mbet asgjë tjetër vetëm që t`i radikalizojmë, brenda parimeve të demokracisë, çështjen tonë, e si me protesta. Madje rrezikon të kalohet edhe në formën më ekstreme të mundshme e që është greva e urisë”.

Sipas Lulgjurajt, shqiptarët që jetojnë në atë shtet, i cili pretendon të jetë familje e Bashkimit Evropian, mund të mendojnë për një të ardhme më të mirë vetëm nëse vjen deri te ndryshimi i pushtetit, funksionimi i parlamentarizmit dhe demokracisë parlamentare në Mal të Zi.

RTK