35 vjetori i tragjedisë së 15. prillit 1979 nga Rexhep Lleshi

April 15, 2014   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Rexhep LleshiNga Rexhep Lleshi: ”E VËRTETA ime”

TERMETI KATASTROFAL

E diele, 15 prill 1979. Mëngjes i bukur pranveror. Sipas tij askush nuk mundi të gjykojë se ajo ditë, do të jetë e veçantë për rajonin, do të sjelli humbje materiale, vdekje njerëzish, tragjedi, që do të hyjë në kronikë të zezë, me pasoja katastrofale për vendin e bukur dhe njerëzit e tij fisnik.

Atë ditë, duke mos pasur asnjë parandjenjë se çfarë do të ndodh, herët në mëngjes, bashkë me gruan e axhës Aishen, u nisëm me veturë për të shkuar në Risan, me vizituar vëllanë e saj Riza Islamin Sella, aty të hospitalizuar. Në rrugë, te kroi në Osmanaj-Brajshë, takova dhe erdhën me pasagjerët e rastit, Smajl Nuhi Suma dhe e shoqja Lam Hazizit, Naxhija, të dy nga Suma. Siç thanë, ata shkonin në Melinë, me pa Lamin e sëmurë. Arritëm në Kotorr. Kaluam Dobrotën e deri aty pa pengesë.
Duke ecur drejt Perastit, shpatit të malit vërejta rrokullisjen e gurëve dhe rënien e tyre në xhade. Mendova në shembje të zakonshme dhe shikoja si me u mënjanuar prej tyre, por më kot. Ato binin me shumicë dhe krejtësisht ma zunë anën time të rrugës.

Ishte ora 7,20. Edhe pse kahja ime e rrugës u mbuluar me gur, unë nuk u ndalova. Më shumë vështirësi eca anës tjetër, të kundërt të rrugës, deri në hyrje në Perast. Ma nuk mundej përpara! Rruga është bllokuar me shtylla të përmbysura e tela të gërshetuar. Jashtë, do thosha, janë krejt njerëzit e lagjes, të veshur në rroba të ndryshme, po edhe në pizhame. Aty e kuptova se çfarë ka ndodhur.
Nova kuca u rusevinama
Termet! termet! Ishin fjalët e vetme që u dëgjonin në ato çaste. Përveç dridhje ve spontane në fytyrat e njerëzve të frikësuar, nuk vërejta lëndime serioze. Ato më të fuqishmit, më aq sa mundën, u angazhuan në çeljen e rrugës, duke mënjanuar shtylla, tela e pengesa tjera, për të mundësuar kalimin e veturës time të parë nëpër qytezën e tyre në rrethana të krijuara, të jashtëzakonshme.

U nisëm drejt Risanit. Rruga ishte e mbuluar me gur që kishin rënë nga mali. Automjeti i parë që vinte nga drejtimi i kundërt ishte autobusi lokal i ”Autobokës” së Kotorrit. Pa e njohur kush është i blindova i rashë burisë, madje dhe dorën e çova, të ndalet, me pyetur për rrugën, por më kot. Ai nuk u ndal. Nga afër e njoha se shoferi i autobusit ishte Nikolla, burri i cili kohë më parë, në Vlladimir e kishte aksidentuar Rizan, që ne po i shkonim për vizitë. I bindur se ai na ka njohur, mirë e kuptova pse autobusi nuk u ndal në kërkesën time.

Me mundime, në Risan arritëm në ora 8,00. Te porta e spitalit, nga vetura dolën dy udhëtarët, për të vazhduar rrugën në Melinë. Aishja dhe unë shkuam drejt spitalit. Në oborrin e tij ndeshëm në skenë të paparë, që e shikuar edhe nga filmi, ajo pamje do ishte e trishtuar. Instinktivisht eca kah dera e hyrjes. Nga brenda dëgjova zë të drejtuar ka unë. Një burrë në mantele të bardhë thirri, ”u pomoq”! që do thotë, ”në ndihmë”! Pas tij shkova deri në katin e katërt, nga ku, në vig nxorëm jashtë, pacientin e fundit. Në oborr të gjithë në pizhame të bardha, ishin të sistemuar, kryesisht në dy grupe, të palëvizshmit e tjerët, që mundnin me ecur. Aty gjetëm Rizan. Me te ishte dhe Tahir Smajli Lika, prej Brajshe.

Së shpejti arriti drejtori i spitalit dr. Filip Gjurashkoviq. Me te u njihesha mirë që nga do vite më parë. Të vetmet fjalë që më foli pa u ndaluar ishin:
– Kah ke ardhur ti këtu dhe mos u largo pa u parë?!

Pas pak ai duel dhe iu drejtuar pacientëve. Filloi me i inkurajuar ato e me u dhanë udhëzime për veprime të mëtejme. Njoftoi se aty nuk ka ma kushte për kurim dhe se të pa lëvizshmit do të transferohen në spitale tjerë, në: Nikshiq, Trebinë, Dubrovnik…, pasi këto më afër, në Melinë e Tivar janë rrënuar e në Titograd nuk ka siguri. Pacientët e lëvizshëm i porositi të shkojnë në shtëpi. Ai njoftim i tiji, për spitalin në Tivar, më shqetësoi shumë, sepse aty kisha djalin Ilirin në kurim. Kujdesi mu shtuar edhe më tepër pasi të afërmit tjerë të Rizas, për të cilët e dija se janë nisur, nuk arritën në vizitë aty ku isha unë, te Rizaja.

Me lejen e drejtorit, nga spitali mora me vete në veturë dy pacient, Rizan e Tahirin dhe u nisem për shtëpi. Kur dola në xhade, pashë se aty gjithnjë rrinin Smajli dhe Naxhija. Më thanë se nuk kanë mundur me vazhduar rrugë, se është këputur xhadeja, gjë që dhe u shihte. Nuk munda më t’u ndihmoj.

Rrugës eca me kujdes, sepse kërcënonte rrokullisja e gurëve të malit. Te vendi Zhuta Greda, afër Budvës, qëndronte njeriu në uniformë që porosiste:
– Ju them se është rrezik. Ndaluni! Mos kaloni! E ju veproni si të doni.

Në anën e majtë mali ishte i çarë. Binin gurë, por nuk u ndalem. E kaluam edhe atë pengesë. Na thanë se si ajo ka më, në rrugën tonë të gjatë e ”të pafund”. Afër Sutomores ishte shembur mali dhe e kishte zënë krejt xhadenë. Dy eskavatorë, në të dy anët e kundërta largonin pengesën e madhe nga rruga. Polici kujdestar në anën tonë të rrugës na njoftoi se duhet pritur nja një orë. Në dorë ai mbante një transis tor nga i cili ndihej pak zë.

– Çka thotë radio? e pyeta shkurt. Po për ku ju intereson? mu përgjigj ai:
– Spitali në Tivar dhe Vlladimiri e precizova.

Duke vërejtur se jam fort i interesuar, pa përtesë ia nisi të flas burri i shtetit:
– Hoteli Agava, limani e spitali në Tivar, ura mbi Virpazar, qyteti i vjetër në Ulqin janë rrënuar fare. Për fshatra të Vlladimirit nuk ka lajme.

E falënderova për njoftimin, që do të thosha për brengën e shtuar, mbi rrënimin e spitalit, ku ishte djali. Nuk i thash asgjë më tepër, veç që ”kam fëmijën në spital”. Kur i dëgjoi fjalët, ai e fiku radion dhe më ftoi te vetura zyrtare. Aty aktivizoi lidhjen teknike për t’u informuar më konkretisht me gjendjen në spital, ndërsa mua më porositi: – Dëgjoni vetë seç thonë atje! Përgjigja u dha menjëherë:
– Këtu, në spitalin e Tivarit, asnjë pacient nuk është i lënduar. Të gjithë janë evakuuar dhe siguruar.

Policin e përshëndeta ngrohtësisht për mirësinë. Pasi u krijuan kushtet për kalim vazhduam rrugën kah Tivari, pa u ndalur deri te spitali.

Në oborr të spitalit kishin ardhur Safija dhe Kasemi. Me ta ishte djali Iliri. I pashë se janë shëndosh. U gëzova. Edhe ata u gëzuan për ne që ishim mirë. Me ta ishte edhe Fadile Çoboviqi, tezja e djalit, e hospitalizuar. Na tha se, në momentin kritik, ajo kishte shkuar në dhomë te fëmija, e kishte nxjerrë jashtë pa pasoja e mbaj tur në dorë deri sa i kishte ardhur nëna dhe ia kishte dorëzuar asaj personalisht.

Vëllai e gruaja u munduan të na dëftojnë si është gjendja në shtëpi e më gjerë, por unë nuk u besova. Më dukej se po e dramatizojnë gjendjen. Për të më bindur, Safija më tregoi se në spital – oborr ka të shtruar. I përmendën emrat e atyre që i njeh, ndër ta edhe Sait Kasneci i Brajshës e i Pejës. Më porositi që të hyjë e t’u flas. Për së dyti herë, atë ditë hyra në fushën e madhe plotë shtretër e shtroja të bardha. Ishte ajo pamje e trishtuar. Eca ndërmjet të shtrirëve të palëvizshëm. Pa asnjë dallim i përshëndeta të gjithë, por kujdesin e kisha për të gjetur shokun tim Saitin. Edhe pse kalova pranë tij, nuk e shihja. Duke ecur ngadalë dëgjova zë:
– A ti Rexhep Lleshi, më kalove pranë e nuk më fole a ?…!

Zërin e tij e njoha sikur edhe vetëm ”A” të thoshte e jo më që foli edhe fjalë të tjera. Ishte e vërtetë që unë kalova pranë e nuk e pashë Saitin. U ktheva mbrapa për dy shtretër dhe pa e përshëndetur i thashë: – A me helikopter të kanë qitur këtu?
– Jo shok, e dijë, këtu më qiti diçka tjetër. Tash po të tregoj, por ndalu e të përshëndetemi njëherë, më tha ashtu, kalimthi, Saiti.

Pasi u përqafuam ngrohtësisht, u ula te shtrati i tij e ai, ia nisi:
– Kjo është hera e parë që erdha në Brajshë, mbrëmë e nuk tu lajmërova. Jo me qëllim. Por, ja e shkela besën e shenjtë dhe përfilljen e rregullt pesëmbëdhjetë vjeçare. Në vend që, si gjithmonë, rruga menjëherë të më bjerë tek ti, kësaj radhe ”dredhova”. Ndoshta dhe për atë, ajo më pruri këtu ku më gjete e po më sheh.

Nuk desha ta dëgjoj modestinë e tij në ato çaste të vështira dhimbjeje. Doja ta inkurajoj, por ai nuk më lejoi. Sikur ai vetë dëshironte të flasë dhe shtoi:
– Është shumë interesante, që ti gjithmonë ke ndenjur pranë meje. Edhe sot, më thanë se nuk je në shtëpi e ke ardhur me vrap tek unë, me ma heqë zorin. Pas pak e lëshova ”fushën e bardhë” dhe bashkë me të afërmit vazhdova udhën.

Arritëm në Brajshë, në oborr të shtëpisë. Dridhja e vazhduar e tokës, për ne në at vend e para, sikur përshëndeti ardhjen tonë. E pabesuar! Shtëpia e re në të cilën gjashtë vite kishim investuar në te, ishte çoroditur aq, sa që, me dyer e dritare të hapura, nuk na pranonte të hyjmë brenda. E pamë! Rrënim e vetëm rrënim!

Por edhe fat i madh. Nga ato zbrazje muresh e gurësh askush nuk u lënduar. As djali i vogël, Besniku, jo katër vjeç, që vetëm tre minuta para çastit kritik kishte dalë nga dhoma e gjumit në kat, shtretërit e të cilës ishin mbuluar me gur, të rënë nga muri i shtëpisë.

Mu për atë, u mblodhëm rreth zjarrit në kopsht, për të zier e pi kafenë e fatit
të asaj fatkeqësie. Edhe pse të lodhur, deri vonë ndenjëm duke biseduar si u bë e si do të bëhet. Nuk kishim ku të shkonim. Për të fjetur ndenjëm në kopsht, para shtëpisë. Për shtrojë kishim dheun e butë të tokës me ndopak barë, për jastëk dorën, ndërsa në vend të jorganit na mbulonte qielli i kaltër i natës së qetë. Realisht, pa asnjë teprim, mirë fjetëm dhe bukur dolëm në dritë.

Të nesërmen, herët në mëngjes, u vërtetova se në shkollë nuk kishte kushte për punë, për çka edhe nuk u mbajt mësim deri në fund të javës. Atëherë, para dite, vizitova të piklluarit e të dëmtuarit më të afërt e mandej me vëlla goditëm ”shtëpinë e bardhë” të tejdukshme prej plazmasti për të ndenjur në të për dy javë ditë. Atë e zëvendësuam me tendë të madhe në të cilën banuam gjashtë muaj, deri në nëntor.

Në orët e vona të pasdites, shkova në Shtabin Komunal Ulqin,të sapoformuar. Aty erdhi i dërguari i kryetarit Tito, nënkryetari i Kryesisë së RSFJ shoku Fadil Hoxha, për të shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave të këtij vendi dhe në rrethana të krijuara, të inkurajojë njerëzit e dëmtuar e të pastrehë.

Ditën e dytë, më 17 prill, bashkë me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Vendit, unë kryetar i Konferencës së Lidhjes Socialiste të PP Vlladimir, duke përfshirë edhe strukturat tjera shoqërore, në bazë të udhëzimeve të marra ditë më parë në Kryesinë e Lidhjes Socialiste dhe Shtabin Komunal, formuam Shtabin e Bashkësisë Vendit Vlladimir, për eliminimin e pasojave të tërmetit katastrofal, me seli në oborr të Shkollës së vjetër. Grupet punuese të sapoformuara të shtabit tonë, po atë ditë vizituan krejt rajonin e bashkësisë vendit, ”shtëpi në shtëpi”, për të shikuar drejtpërsëdrejti gjendjen e krijuar. Unë me shokë vizitova Selitën.

Po aty, nën çadër, më 17 maj, prita kryetarin e Kuvendit Republikan të Malit të Zi, Budisllav Shoshkiqin dhe kryetarin e Konferencës Republikane të Lidhjes Socialiste të Malit të Zi, Nenad Buqinin, me bashkëpunëtorë dhe shoqërues nga komuna jonë. Ata i njoftova me pasojat e shkaktuara nga tërmeti, nevojat elementa- re të banorëve të këtij vendi dhe masat e mundshme për zbutjen e fatkeqësisë.

Më 29 maj, në Shtabin e Bashkësisë Vendit Vlladimir, erdhi kryetari i Republi- kës së Sërbisë, Dushan Çkrebiq me shoqërues nga republika dhe komuna jonë. Unë poashtu edhe atë, e njoftova me pasojat e fatkeqësisë natyrore dhe nevojat e bano- rëve të vendit.