Ahmeti, diplomati i parë i Kosovës në Podgoricë

April 18, 2014   | Rajoni / Region

Ahmeti-LuksicPërfaqësuesi i parë diplomatik i Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të këtij shteti, Igor Lukshiq.

Ahmeti e ka vlerësuar lartë momentin e ri në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve si dhe mundësinë e bashkëpunimit të cilën e hap emërimi i përfaqësuesit të përhershëm të Kosovës në Mal të Zi.

“Marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën mund të shërbejnë si shembull i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe që me bashkëpunimin e ndërsjellët, por edhe me bashkëpunimin me vendet e tjera të regjionit mund të tregojë se Ballkani Perëndimor po ndryshon”, ka thënë Ahmeti.

Për rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ka folur edhe ministri Lukshiq, duke thënë se emërimi i përfaqësuesit diplomatik të Kosovës do t’i kontribuojë forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ai ka shtuar se përveç marrëdhënieve shumë të mira në fusha të ndryshme, ekziston hapësirë për forcimin e tyre, posaçërisht në fushën e ekonomisë.

Lukshiq po ashtu ka thënë se “fokusi i bashkëpunimit në periudhën e ardhshme duhet të jetë i orientuar në projekte të përbashkëta dhe iniciativa të të dy shteteve”.

Në takim është diskutuar edhe në lidhje me bashkëpunimin e krijuar ndërmjet institucioneve kosovare dhe malazeze, me ç’rast është theksuar nevoja për angazhimin e dy shteteve për avancimin e mëtejmë dhe forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

© KOHA.net