Ulqinakët kërkojnë pensionet e fituara në Kosovë

April 23, 2014   | Reportazh / Reportaža

Ibrahim-BerjashiIsh punëtorët e ndërmarrjeve të Kosovës që e kanë mbushur moshën e pensionit kërkojnë të realizohet marrëveshja për njohjen reciproke të stazhit të punës në Kosovë dhe në Mal të Zi, të nënshkruar mes ministrive të punës të të dyja vendeve.

Ulqin, Prishtinë, 21 prill 2014 – Ish punëtorët e ndërmarrjeve kosovare, qytetarët të Ulqinit , shtetas të Malit të Zi, e përshëndesin emrëimin e përfaqësuesit të përhershëm të Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmetit.

Ata shpresojnë se z. Ahmeti do të vizitojë së afërmi Ulqinin edhe do të takohet edhe me këtë komunitet, i cili tash 5-6 vjet po kërkon realizimin e pensioneve për dekadat e punës në Kosovë, deri në vitin 1999.

Më 18 dhjetor 2013, ministrat e punës së dy qeverive, Boshkoviq dhe Rashiq, kanë nënshkruar në Podgoricë Marrëveshjen bilaterale për njohjen reciproke të stazhit. Jo zyrtarisht mësojmë se dokumenti ndodhet në tryezat e institucioneve më të larta shtetërore të të dyja shteteve, përkatësisht të kryeministrave Gjukanoviq dhe Thaçi.

Pensionistët kosovarë në Ulqin, rreth 50 sish, të moshës prej 65 deri në 85 vjeç ,falënderojnë dy qeveritë për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe shpresojnë se ajo do të realizohet me sukses. Ata shpresojnë se marrëveshja do të nisë të realizohet menjëherë, pasi u është kumtuar se “Podgorica për këtë çështje e pret Prishtinën.”

“Pensionistët kosovarë në Ulqin e presin mbështetjen e z.Ahmeti për ta përshpejtuar këtë procedurë, duke e ditur se kemi të bëjmë me një komunitet, i cili ka punuar deri në 35 vjet në Kosovë, ndërsa në Mal të Zi kanë punuar prej 10 deri në 13 vjet dhe nuk kanë arritur të marrin atë që u takon me ligj, pensionet”, thuhet ndër të tjera në një komunikatën e grupit të qytetarëve të Ulqinit, shtetas të Malit të Zi, pensionistë kosovarë, të nënshkruar nga gazetari dhe publicist Ibrahim Berjashi, ish korrespondent i gazetës “Rilindja”, që botohej në Prishtinë. (r.m.)

Iliriapresss