Gazetaria e shurdhuar e terrenit nga Ulqini deri ne Gjirokaster

May 19, 2014   | Rajoni / Region

Ndue-Dedaj-1Nga Ndue Dedaj

Rrallë e më rrallë po ndodh që gazetarët të lajmërojnë nga terreni, të vihet kamera dhe gazetari të raportojë drejtpërdrejt nga Gjirokastra, Korça, Dibra, Tropoja, Ulqini, Peja, Gjilani, Tetova, Presheva etj. Tani që janë bërë të gjithë gazetarë dhe me çdo mjet që mban në xhep mund të bësh gazetari, me celularin që jo vetëm lajmëron telefonisht, por dhe mban shënim, fotografon, filmon. Mirëpo pikërisht kjo është gracka për ta shkatërruar gazetarinë serioze, e cila shpërfaq atë që nuk e shohin të gjithë, dhe hulumton aty ku nuk hyn dot syri i zakonshëm. Kjo e bën gazetarinë profesion dhe gazetarin profesionist. Jo të gjithë mund të jenë reporterë, moderatorë emisionesh, opinionistë etj. Mund të jenë sinjalizues të një diçkaje që ndodh, por jo dhe raportues të lajmit. Ndaj lajmet tek ne shpesh bëhen çorap, pasi ato i raporton kush të mundet, kryeplaku i fshatit, ndonjë i ngarkuar i gazetës si veshi dhe syri i saj në bazë, por jo një reporter i mirëfilltë (pasi ky duhet paguar), e në rastin më të mirë zëdhënësi i policisë. Po qe kështu, le t’i mbyllim fakultetet e gazetarisë, pasi gazetar sot është Facebook-u. Shqipëria, falë infrastrukturës së viteve të fundit, është bërë përherë e më e “vogël” për t’u shkelur dhe kështu grupet e xhirimit për pak kohë mund të jenë atje ku ndodh ngjarja. Por kjo nuk duhet të çojë deri në shuarjen e gazetarisë së terrenit, pasi lajmi nuk mund të kapet në vrap, duhet të ngulesh mes njerëzve që ta zbulosh e përimtosh atë. Vërtet numrat e telefonit që vendosin redaksitë e ndryshme janë një mundësi për informim, por ata që telefonojnë, më së shumti denoncojnë raste abuzive të pushtetarëve, aq sa mund ta bëjnë këtë, tregojnë se ku mungon një urë mbi lumë e ku bregdetin e kanë mbytur plehrat. Kjo nuk është pak, por është veçse pikënisja e lajmit.

Në fillim të viteve ‘90 e deri aty nga viti 2000 kishte reporterë për çdo rreth dhe gazetat ishin shumë më të lexueshme për sa i përket kronikës, reportazhit. Më vonë kjo gjë nisi të mpakej dhe duket se gjithçka është përqendruar në Tiranë dhe në disa qendra qarqesh e rrethesh, falë atyre gazetarëve që vazhdojnë të rrojnë atje. Janë pronarët që e kanë kufizuar e rrudhur median në Tiranë, se nuk duan të lëshojnë pará në terren. Florin Kelmendi, drejtor i Radio-Televizionit 21 të Kosovës, gjatë një emisioni të pasdites, në televizionin e tij, e ngrinte me të drejtë këtë shqetësim të mediave të sotme, duke thënë se sot është më e lehtë të mbyllesh në studio ku nuk ka shpenzime, se sa të shkosh në terren, por nuk është kjo gjëja e duhur. Këtë e thotë çdo drejtues e punëtor i mediave në Tiranë e Prishtinë, që i dhemb për ta shpaluar vendin e tij përmes ekranit, ashtu siç ai është, por jo gjithmonë dhe një pronar që e ka krijuar median për të mbijetuar biznesin e tij nga politika e tranzicionit. Shpesh një lajm e kanë të gjitha gazetat njëlloj, si t’i kenë marrë nga ATSH-ja e dikurshme, ku ndërron vetëm titulli i shkrimit rreth një ngjarjeje që ka ndodhur diku në periferinë e largët, pasi “terreni” tani është ndonjë kafe afër redaksive, ku gazetarët shkëmbejnë mes tyre informacionet e ardhura deri tek ata jo gjithnjë në rrugë profesionale. Ka pasur dhe dikur klube të gazetarëve, por ato ishin më tepër si aula profesionale, ku ata shkëmbenin idetë, por jo informacionet, që i vilnin nga terreni, përmes kanaleve të veta e për llogari të mediave ku punonin.

Humbja e gazetarisë së terrenit është një nga goditjet e fjalës së lirë, pasi, siç cekëm dhe në fillim, jo çdo gjë mund të raportohet përmes fjalëtorëve të zakonshëm mediatikë. Në radhë të parë e pëson gazetaria investiguese. Nëse ka mafia në krom, siç është thënë, si mund të depërtohet tek ajo pa gazetarinë e terrenit? Nëse ulen dhe ngrihen avionët me drogë e nuk i kapin as mjetet e NATO-s, gazetarët e terrenit shohin dhe më “ulët” se sytë e qelqtë të radarëve. Ka plot gjëra të tjera të padukshme të korrupsionit, që shtrihen deri nëndhé, te bonifikimet, kanalet kulluese, “gjerizet” e hajdutërisë, që do t’ia kishin frikën gazetarit të terrenit. Po ashtu ka rënë nga vakti reportazhi, që disa gazetarë e bënin me plot pasion e kërkim, ashtu siç ka vite që është harruar fejtoni fshikullues. Rrallë mund të ndodhë që lajmësi vullnetar nga terreni të mund të raportojë se është duke u rrënuar përfundimisht kalaja e vjetër e harruar e Vigut, që deti po e kafshon Kunen duke i përlarë pjesët e lagunës e një ditë “plazhi” mund të na mbërrijë te Hoteli i Gjuetisë në Lezhë, që në zonat turistike po bëhen ndërtime me një arkitekturë të admirueshme, por me ujërat e zeza që zbresin në lumin më të afërt duke e ndotur. Ndërkohë që asnjë investigim nuk është bërë për ato 30 vatrat e infektuara me mbetje kimike, që do të pastroheshin nëse do të kishim pranuar armët kimike të Sirisë. Edhe cianur ka pasur nëpër depot e minierave etj. Një gazetar “investigativ” i mjedisit, për interesa të turizmit dhe jo vetëm, do të na thoshte dhe se në ç’gjendje është korani i Pogradecit, midhja – mbretëresha e detit të Sarandës, trofta e Valbonës, ujku si specie në zhdukje, “materniteti” i peshkut në Urakë si ato rrënojat e fabrikave të bakrit, pastaj bimët endemike, ku së bashku me Lurën është duke u zhdukur dhe “zambaku i bardhë” i përveçëm i saj, etj. E prapë gazetaria e terrenit është përtej vetë “terrenit”. Përtej anës gjeografike e materiale. Mund t’i raportosh të gjitha ç’kanë të bëjnë me natyrën, mjedisin, monumentet, por jo dhe ato që kanë të bëjnë me njeriun. Ai është pjesë e lajmit vetëm kur i ndodhin të këqija, vrasje, aksidente, përmbytje, po jo dhe në ato detaje jetësore që nuk duken e kapen lehtë nga kamera. Ka kohë që nuk dëgjojmë më për minatorët e silikozës. Njëri nga ata, një adashi ynë në Kurbnesh, rron sot me “30 për qind frymëmarrje” të veten, se pjesën tjetër duhet ta “blejë” muaj për muaj me gjysmën e pensionit, ilaçe, pompa ajri etj. As kaq nuk ia kanë mundësuar falas deputetët që i kanë kërkuar votën me premtimin se të paktën frymëmarrjen do t’ia rimbursonin! Cila kamerë e ka regjistruar këtë njeri, që rron te kulla e tij në kodër, ku gazetarët mund të venë një herë në pesë vjet? Ai nuk ka frikë, flet me emra deputetësh e ministrash pa iu dridhur qerpiku, se ai nuk ka pasur frikë nëntokën kur është shembur e i ka këputur krahun, i ka zënë ajrin. Frikë kemi ne që shkruajmë se mos po prishemi me qeveritë!

Tash për tash gazetaria e terrenit bëhet me të deleguar, me grupe xhirimi kur ka ngjarje, apo ca gazetarë “aventurorë”, falë të cilëve kemi prekur nga pak atë Shqipërinë informale, ku bëhen ndërtime pa leje, priten pyje, gërryhen lumenjtë, shkatërrohen monumentet e kulturës etj. Ndoshta jemi i vetmi vend që kemi filluar të kemi njëfarë kulture mediale të kryeqytetit, studiove televizive, klubeve klanore të njerëzve të kënduar, duke i ikur “provincës” sa më shumë, mbase nga ngasja për të qenë metropolitan. Të ketë ndikuar dhe kjo në rrudhjen deri në shuarje në shumë rajone të vendit të gazetarisë së terrenit? Teksa jo pak nga problematikat e mëdha të ditës dhe të krejt tranzicionit zhvillohen po aq në qendrat kryesore, si korrupsioni, ndërtimet pa leje, legalizimet, drogat e të tjerë, ashtu si dhe çështjet që kanë të bëjnë me varfërinë, prodhimin vendas, turizmin, infrastrukturën etj. Epiqendra e drogës, paçka Gjadrit e Divjakës, mbetet Lazarati, e gjakmarrjes zona e Mbishkodrës, e shtokëzimit nga shkulmet e detit zona e Lezhës, e dëmtimit të rrjetit hekurudhor hapësira nga Shkodra në Pogradec. Vetëm integrimi duket se lidhet me metropolin, po dhe ai ka të bëjë me çdo qelizë të vendit. Si dhe drejtësia, e cila ka treguar se është e korruptuar jo vetëm në Tiranë, po dhe në Pukë. Ndaj gazetaria nuk ka kuptim të lërë tokë djerr në asnjë qoshe të Shqipërisë. Ashtu si dhe të Kosovës e shqiptarëve gjithandej. Aq më tepër tash që mes dy shteteve shqiptare shumë gjëra po trajtohen së bashku, si turizmi, doganat, arsimi etj. Terreni nuk është për gazetarët vetëm kur atje zbret politika për fushata elektorale, apo promocione qeveritare. Një gazetari që shkon pas qerres së politikës është e destinuar të shuhet pa e kuptuar. Mendoni, shkon një ministër në Lushnjë për trangujt dhe ngrihen fluturim atje katër-pesë media, kurse për kinse reformën që asgjësoi personelin inxhiniero-teknik pyjor nga Vermoshi në Leskovik, nuk u harxhua publikisht, me zë e me figurë, asnjë deputet, shtetar, politikan, studio televizive, katedër universitare, shoqatë pyjore, sindikatë, e për çudi, dhe asnjë foltore e opozitës. Sepse pyjet, në një nga vendet më pyjore të Ballkanit, nuk përbëjnë më lajm!… (Vetëm kur t’iu bjerë zjarri në verë!)

Lajm tash tash përbën vetëm politika dhe ky është mjerimi i gazetarisë.

Gazeta 24 orë