“Art Club” boton monografinë “Të menduarit është formë” të piktorit Rudi Goga

May 29, 2014   | Kulturë / Kultura

Rudi-Goga-MonagrafyShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar ditë më parë monografinë e piktorit Rudi Goga “Të menduarit është formë”.

Pjesën kryesore të monografisë e përbëjnë punimet e autorit. Në hyrje të saj janë katër kritika (në gjuhën shqipe dhe angleze) mbi krijimtarinë e piktorit, nga prof. dr. Hivzi Muharremi, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, studiuesja e artit Suzana Varvarica – Kuka dhe Lilana Zekoviq, historiane e artit. Pjesë përbërëse e monografisë janë edhe artikujt në gazetat e huaja mbi veprën e piktorit, fotografitë nga hapja e ekspozitave dhe nga jeta e piktorit.

Monografia përbëhet nga 112 faqe dhe është botim cilësor, në format të madh dhe me lidhje të fortë. Botimin e saj e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta” në Lezhë.

Rudi Goga është njëri ndër piktorët më të mirë shqiptarë në Mal të Zi dhe më gjerë. Ai ka lindur në Ulqin në vitin 1948. Studimet akademike i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, te profesor Muslim Mulliqi, dhe në Diseldorf te profesori Joseph Beuys.

Deri tani ka hapur 61 ekspozita individuale, në vend dhe shtete të Evropës, ndërsa me punimet e tij është prezantuar edhe në disa ekspozita kolektive. Për veprat e tij kanë shkruar shumë kritikë të njohur të artit.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

      

 

        Ulqin, më 29. 05. 2014                                                                               SHAI “Art Club”