Ulqinaku Bankier shqiptar në SHBA dhe Princi Harry bashkojnë forcat filantropike

June 15, 2014   | Bota, Lajmet / Vijesti

Richard-Lukaj-Princ-Harry-Richard Lukaj, bankieri i njohur i investimeve, mbledh qindra afaristë dhe filantropistë për t’u njohur me punën e fondacionit “Sentebale”

Beqir Sina

GREENWICH, CT: Në shumicën e kohës Riçard Lukajn e gjen në zyrë të rrethuar nga kolegë duke ideuar, negociuar ose zbatuar strategji biznesi për klientët e firmës së tij, Bank Street. Mirëpo hera-herës nevojitet që “betejat” intensive të transaksioneve financiare të zhvillohen jashtë shtetit ku Riçardi punon e jeton, gjë që e detyron atë që të udhëtojë rregullisht për ditë të tëra jo vetëm në Amerikë por dhe matanë Atlantikut.

Richard-Lukaj-Princ-Harry-1

Ndonëse si bankier investimesh atij i duhet të punojë orar-pa-orar duke vepruar me një saktësi rigoroze dhe me një shpejtësi marramendëse, Riçardi arrin që të bëjë një jetë të plotë familjare dhe shoqërore. Ai është ndër të rallët profesionistë të sojit të tij që kryesisht ia dalin që të qëllojnë me sukses balancën aq delikate ndërmjet të qenurit profesionist i suksesshëm dhe bashkëshort e prind i mire në të njëjtën kohë. Nuk janë të paktë rastet kur pas një fluturimi pune të gjatë e dërrmues ai niset kuturu fill nga aeroporti për të mbërritur në kohë në restorantin ku do të darkojë mebashkëshorten, ose në sallën e teatrit apo fushën e sportit për të ndjekur aktivitetet jashtëshkollore të fëmijëve të tij.

Richard-Lukaj-Princ-Harry-3

Jeta e larmishme familjare e shoqërore dhe karriera e pasur prej bankieri investimesh prej kohësh i japin atij një përmbushje të madhe emocionale dhe monetare, por Riçardi nuk mjaftohet me aq. I renditur dikur nga revista prestigjioze “Crain’s New York Business” si një prej 40 ekzekutivëve më të suksesshëm në Wall Street nën moshën 40 vjeçare (Top 40 Under 40), duhen vetëm disa minuta për të kuptuar se shqiptaro-amerikani që bën bankierin për profesion dhe filantropistin për pasion as që e mendon që të ndalojë së sfiduari vetveten dhe tëngadalësojë ritmin e tij.

Lista me transaksionet e sukseshme bankare është tepër e gjatë, sikurse është ajo me çështjet e ndryshme filantropike. Vlera e mëse 200 transaksioneve që Riçardi ka ideuar, strukturuar dhe zbatuar janë mbi 100 miljardë dollarë, shumëfish i prodhimit të brendshëm bruto vjetor të Shqipërisë. Njëkohësisht, organizatat e bamirësisë me të cilat ai është përfshier janë me dhjetëra, ndërsa individët që përfitojnë në mënyrë direkte dhe indirekte janë me mijëra.

Mëse një dekadë më parë Riçardi themeloi Fondacionin Lukaj dhe sëbashku me një sërë individësh e institucionesh ai ka shënuar një mori suksesesh filantropike. Ndër më të spikaturët janë themelimi i Universitetit Amerikan të Kosovës, përmirësimi i disa jetimoreve në Shqipëri, zotimi për rindërtimin e një shkolle në Mal të Zi, etj.

Richard-Lukaj-Princ-Harry-4

Përfshirja prej kohësh e Riçardit në filantropi bëri që para disa vitesh ai të bashkojë forcat me princin Harry në ndihmë të Fondacionit “Sentebale.” E përkthyer në shqip në “Mos më harroni”, “Sentebale” u themelua nga princi Harry dhe princi Seeiso i Lesotho, shtet i vogël afrikan, për të mundësuar një jetesë sa më normale per fëmijët e shumtë të këtij vendi që janë viktima të varfërisë të tejskajshme dhe epidemisë HIV/AIDS.

Në fillimin e verës të vitit 2010 shumica e banorëve të zones afluente të Greenwich, Connecticut, ishin duke bërë përgatitjet përfundimtare për të nisur pushimet e verës. Por kjo nuk e pengoi aspak Riçardin dhe bashkëshorten e tij që të jenë organizatorët dhe nikoqirët e një pritjeje madhështore në nder te princit Harry. Qindra afaristë dhe filantropistë iu përgjigjën thirrjes të familjes Lukaj për t’u njohur me punën e fondacionit “Sentebale.” Në mesin e të pranishmëve në Greenwich Country Club më 26 qershor 2010 ishte dhe Masiela Lusha, aktorja e njohur shqiptare në Hollywood, që sapo ishte zgjedhur si një prej tre ambasadorëve ndërkombëtarë të Fondacionit “Sentebale.”

I shoqëruar nga çifti Lukaj, princi Harry lëvizi nga njëri kënd i sallës në tjetrin duke përhapuar mesazhin e tij filantropik me një thjeshtësi, pasion dhe përkushtim që të sillnin ndërmend nënën e tij, të ndjerën princeshë Diana. Renditja e çiftit shqiptaro-amerikan në nismën e princit Harry atë natë të nxehtë vere ishte një kontribut i rëndësishëm në dobi të përpjekjeve të fondacionit për ndërtimin e një rrjeti mbështetësish të përbërë nga filantropistë të famshëm në vende të ndryshme të botës që të ofrojnë ndërgjegjësim dhe mbështetje në emër të bamirësisë.

Richard-Lukaj-Princ-Harry-2

Në pamje të parë ndoshta duket disi e vështirë të kuptohet qartazi arsyeja e përfshirjes të një familjeje kaq të njohur shqiptaro-amerikane si ajo Lukaj në një çështje bamirësie që nuk ka ndonjë lidhje të dukshme me shqiptarët ose shqiptaro-amerikanët. Riçardi është tepër i kthjellët. Ai na kujton se si e Lumturuara Nënë Tereza dhe princesha Diana mbeten ende dy figura jashtëzakonisht të dashura në mbarë botën falë ndihmës që ato dhanë në dobi të fëmijëve të vobekët e të sëmurë nga HIV/AIDS. Riçardi shton se përkushtimi, pasioni dhe dashuria e tyre ndaj njerëzimit nuk njihnin kufij.

Gazeta shqiptaro – amerikane “Illyria”

illyriapress