Kosovarët harxhojnë 200 milionë euro në pushime në Shqipëri

July 4, 2014   | Ekonomia / Ekonomija

Pasha-Beach-Ulqin-UlqiniPushuesit nga Kosova vlerësohet se çdo vit shpenzojnë në bregdetin e Shqipërisë deri në 200 milionë euro.

Kështu thonë ekspertë të turizmit nga Kosova, sipas të cilëve, gjatë muajve të verës pushimet në bregdetin shqiptar i kalojnë 700 mijë deri në 800 mijë veta dhe shumica prej tyre orientohen në bregdetin e Durrësit.

“Vlerësohet se pushuesit kosovarë për pushimet verore në bregdetin e Shqipërisë çdo vit shpenzojnë rreth 200 milionë euro”, thotë për Zekë Çeku, ekspert i turizmit.

Sipas tij, shumë kosovarë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës, para se të nisin pushimet verore në vendlindje, ndalen në bregdetin shqiptar, ku takohen me familjarët e tyre nga Kosova.

“Rreth 70 për qind e kosovarëve shpenzimet në bregdet i kanë të mbuluara nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë një standard më të lartë jetese, prandaj edhe bëjnë shpenzime më të mëdha në bregdet”, shprehet Çeku.

Sipas tij, shpenzimet mesatare të një familjeje me pesë anëtarë për 10 ditë shkojnë deri në 1 500 euro, por ka që shpenzojnë edhe më pak.

Pavarësisht shpenzimeve për çdo vit në Shqipëri, sipas Çekut, pronarët e apartamenteve dhe bizneseve të ndryshme në bregdet e përbuzin pushuesin kosovar, duke ngritur artificialisht çmimet e artikujve të ndryshëm dhe duke mos treguar kujdesin e duhur ndaj këtyre konsumatorëve.

Eksperti kosovar i turizmit po ashtu ka vërejtje edhe sa i përket ofertës turistike të Shqipërisë, ku, sipas tij, Shqipëria pushuesve u ofron vetëm detin dhe plazhin, ndërsa nuk orientohet në turizmin kulturor.

Në Panairin e Turizmit që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë, Shqipëria u përfaqësua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT).

Drejtorja e Promocionit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në AKT,  Anisa Sheldija, pranoi se, turistët nga Kosova përbëjnë edhe numrin më të madh të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Sipas saj, vetëm gjatë vitit të kaluar qytetarët kosovarë zunë 48 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve që vizituan Shqipërinë.

Republika