Ulqini i kosovarëve – Video

plazhi-vogel-ulqinNga Albert Ahmeti

I lashtë e i pasur me monumente antike, plazhe të bukura, natyrë magjepsëse dhe mikpritje të shkëlqyeshme, qyteti i Ulqinit ka hapur dyert për turistët.

Por, shpresa e ulqinakëve edhe në këtë sezonë turistike mbesin kosovarët, të cilët gjatë sezoneve të kaluara përbënin 80 për qind të turistëve që vizitojnë qytetin, ku besohet të jetë zënë rob nga piratët, shkrimtari i madh spanjoll, Miguel de Servantes.

Ky qytet me shumicë shqiptare neglizhohet vazhdimisht nga pushteti malazez, prandaj turizmi konsiderohet si shpëtimtar për shqiptarët e këtij qyteti, ndërsa kontributin më të madh në zhvillimin e Ulqinit tash e dy dekada po e japin kosovarët, të cilët i kalojnë pushimet në këtë vend që akoma frymon shqip.

Fatmir-Gjeka-kryetari-Ulqinit

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, ka thënë se pret që këtë viti numri i turistëve nga Kosova të jetë edhe më i madh. “Ofertën turistike të Ulqinit e kemi prezantuar nëpër panaire të ndryshme, përfshirë edhe Prishtinën, pasi që Kosova është tregu kryesor për Ulqinin. Ne presim që për një periudhë të gjatë Ulqini të jetë destinacioni kryesor për pushime i kosovarëve”, është shprehur Gjeka.

35 Gazetare nga Kosova vizitojne Ulqinin -4

Ndërsa ciceroni, Ismet Karamanga, gjatë sqarimeve që i bënte për momunentet antike të Ulqinit tha se fati i këtij vendi është në duart e kosovarëve, të cilët sipas tij, përmes turizmit po kontribuojnë në mbijetesën e shqiptarëve në këtë qytet. “Kosovarët janë shpëtimi i Ulqinit. Shumica absolute e turistëve në Ulqin janë nga Kosova”, tha Karamanaga.

Ulqini mirëpret mbi 200 mijë turistë

Ulqini me 20 mijë banorë gjatë një sezone turistike mirëpret mbi 200 mijë turistë, ndërsa sipas statistikave, këtë vit vetëm banimi privat ofron 100 mijë shtretër. Përveç pastërtisë së qytetit dhe të plazheve, në Ulqin garantohet edhe siguri dhe vende të shumta për rekreacion. Edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, ka thënë se në vitet e fundit investimet në Ulqin janë rritur dhe se janë përmirësuar shumë kushtet për turistët.

“Kemi krijuar kushte të mira për turistët, kemi përmirësuar pastërtinë, furnizimin me ujë dhe me rrymë dhe besojmë se këtë vit numri i turistëve të kalojë mbi 200 mijë persona”, ka shtuar Gjeka, duke u bërë thirrje edhe biznesmenëve kosovarë që të investojnë në Ulqini. Turistët në Ulqin mund të akomodohen në hotele ose në banesat private të ulqinakëve. Ndërsa, çmimet duken mjaft të volitshme dhe sillen prej 10 deri në 25 euro për një dhomë.

35 Gazetare nga Kosova vizitojne Ulqinin -6

Ushqimet e llojllojshme janë veçanti tjetër e Ulqinit. Aty përveç specialiteteve të ushqimeve të detit, mund të gjeni ushqime të lira, duke filluar nga ushqimi i shpejt (fastfood) me çmim prej 1.5 euro, apo gjellë me çmim prej rreth 3 euro për racion.

Sa u përket restoranteve ndër më të pëlqyerat edhe në këtë sezonë mbeten: “La Tavola”, “Ibiza”, “City caffe” si dhe plazhet: “Copacabana” dhe “Safari Beach”. Ndërsa, ndër hotelet më të pëlqyera mbeten “Hotel Mediteran” dhe “Hotel Albatros”, të cilët ofrojnë kushte të mira për pushuesit.

Selatin-Gjeloshi-1Drejtori i “Hotel Mediteran”, Selatin Gjeloshi, ka thënë se çmimet janë në nivel me vitet e kaluara dhe se ka rritje të turistëve deri 20 % për dallim nga periudha e njëjtë në vitin 2013.

“Kapaciteti i këtij hoteli është për momentin 134 dhoma do të thotë diku 330 shtretër. Investimet nuk kanë munguar, të gjitha dhomat kanë, do të thotë, përveç akomodimit normal që do të ketë aircondicion, banjë e televizorë, të gjitha kanë pamje në det, ajo është diçka më e rëndësishme për hotelin tonë. Të gjithë këto vite sa unë punoj në hoteleri janë mysafirë nga Kosova, por mysafirë nga Kosova janë edhe ata të diasporës”, ka thënë Gjeloshi.

Kosovarët i qëndrojnë besnik Ulqinit

Qytetarët e Kosovës, të cilët e vizitojnë një herë Ulqinin, ai u mbetet vend i preferuar për të kaluar pushimet. Sipas tyre, plazhet e bukura, pastërtia, çmimet e volitshme dhe ambienti i qetë janë arsyet kryesore që ata i kalojnë pushimet verore në Ulqin.

Ndërsa, sipas drejtoreshës së Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Serven, në periudhën e parë të sezonës turistike ka rritje për 20% të numrit të vizitorëve për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar. “Jemi të kënaqur me numrin e turistëve, të cilët po e vizitojnë Ulqinin, pasi që ka rritje të numrit të turistëve për 20 për qind për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka deklaruar Zana Servan.
35 Gazetare nga Kosova vizitojne Ulqinin -2

Në anën tjetër kosovarët tregojnë se nuk e kanë ndërmend që ta lënë Ulqini për të kaluar pushimet në ndonjë vend tjetër, pasi sipas tyre vendet si ky janë të rralla. Një tjetër e veçantë e Ulqinit sipas kosovarëve është ambienti i shkëlqyeshëm për t’i kaluar pushimet me familje. “Është viti i pestë ose i gjashtë me radhë që pushimet me familje e kaloj në Ulqin, pasi që është vendi më i mirë për pushime për familjarë”, ka thënë Agron Ibrahimi, qytetar i Prishtinës.

Ulqini, qytet antik

Plazhet e bukura, natyra magjepsëse dhe mikpritja nuk janë të vetmet veçanti të Ulqinit. Ky qytet njihet edhe për kalanë 2500-vjeçare dhe qytetin antik Shas. Qëndrimi në këtë qytet pa e vizituar edhe kalanë e bukur të Ulqinit nuk është kuptimplote. E ndërtuar para 2500 vjetësh, mbi shkëmbinjtë e afër Plazhes së Vogël dhe me një pamje përrallore, brenda mureve të Kalasë së Ulqinit jetojnë 55 familje, apo 178 qytetarë të Ulqinit. Po ashtu brenda kësaj kalaje ka disa restaurante luksoze.

Në këtë kala gjatë mesjetës besohet të ketë qëndruar edhe shkrimtari spanjoll, Miguel de Servantes, i cili është zënë rob nga piratët ulqinakë të asaj kohe.

Një tjetër veçanti e Ulqinit është ish-qyteti antik i Shasit, në të cilin besohet të jenë ndërtuar aq kisha sa ka viti ditë, pra 365 kisha. Ndërsa, janë të pakta ato gërmadha që i kanë përballuar kohës. Sipas historianëve, ky qytet ka qenë shumë i pasur para pushtimit romak.

Gazmend-Kovaci-kalaja-Shasit

Arkeologu, Gazmend Kovaçi, ka thënë se qyteti i vjetër i Shasit lidhet me kulturën dhe trashëgiminë arbërore. “Trashëgimia mesjetare e krishterë, me të cilën lidhen edhe trashëgimia e krishterë e qytetit, e cila është një trashëgimi që e dëshmon autoktoninë e popullsisë dhe fliten edhe mjaft legjenda, ku tregon se edhe në mesjetë qyteti ishte një qendër mjaft e rëndësishme si laike ashtu edhe fetare. Me këtë legjendë lidhet edhe legjenda e 365 kishave”, ka thënë Kovaçi.

Të gjitha këto veçori e bëjnë Ulqinin njërin prej vendeve më të bukura për t’i vizituar, prandaj edhe besohet se ky qytet do të jetë destinacioni kryesor i kosovarëve gjatë sezonës turistike të këtij viti.

 Zëri
YouTube Preview Image